Studentët e talentuar të UET – të parët në skenë dhe në auditor

Universitetet kudo në botë i vlerësojnë dhe i mbështesin studentët e talentuar në fusha të ndryshme, si një aset për shoqërinë dhe vetë universitetin. Në këtë frymë në UET është krijuar grupi i studentëve të talentuar, ku bëjnë pjesë këngëtarë, sportistë, gazetarë, aktorë etj.

Vjeshta sjell zhurmën e munguar në auditorët e universiteteve dhe bashkë me të dhe party-t e para të nisjes së vitit të ri shkollor. Në Universitetin Europian të Tiranës është bërë traditë që studentët e famshëm dhe ALUMNI –VIP të mblidhen çdo shtator në një festë të veçantë ritakimi me njëri-tjetrin.

Është gati e pamundur të shohësh kaq shumë njerëz të famshëm në të njëjtën sallë, por “Fancy Lounge – Resto” në Tiranë arriti të mbledhë bashkë dhjetëra studentë dhe ish-studentë të famshëm të Universitetit Europian të Tiranës.

Secili prej tyre është i talentuar dhe i famshëm në fushën e tij që nga televizioni, skena, teatri, pasarelat apo fusha e futbollit, por të enjten në mbrëmje ata ishin të gjithë “shokë klase”. I kishte mbledhur së bashku historia e përbashkët në auditorët e universitetit dhe janë pjesë e “UET Talent Club”.

UET që në vitin e parë të hapjes ka mbështetur me bursa të veçanta studentët e talentuar. Ndër studentët e brezit të parë ishte dhe Turjan Hyska dhe bashkëshortja e tij Orinda Huta, të cilët janë nostalgjikë për kohën e tyre të studimeve në UET. Nga radhët e studentëve VIP ishte zgjedhur dhe presidentja e UET-ALUMNI, shoqatë e ish-studentëve, e cila u drejtua nga këngëtarja Eneida Tarifa deri para pak javësh.

Për t’iu përshtatur përbërjes së këtij klubi organizimi i takimit parashikonte dhe një kalim simbolik mbi tapetin ku ata mund të ndjenin famën dhe të pozonin për fotografi.

Por larg famës, të gjithë pranojnë se në auditorët e UET-it kanë qenë thjesht studentë që kanë sakrifikuar nga koha e punës së tyre për të studiuar dhe për të mos munguar në leksione.

Pedagogët i kanë vlerësuar vetëm për kontributin që kanë dhënë në studime, jo për talentin e tyre jashtë klasës.

“UET Talent Club” është kthyer në një traditë tashmë. Edhe këtë vit, pjesë e këtij organizimi ishin ndër emrat më të dëgjuar të botës së artit, muzikës, sporteve, modelingut etj., të cilët patën mundësinë të kalojnë një natë të këndshme në shoqërinë e njëri-tjetrit dhe stafit akademik që ishte prezent për të festuar bashkë me ta.
Edhe ose shumëkush mund të mendojë se të kesh një karrierë të suksesshme dhe fitimprurëse nuk ke nevojë të studiosh, ata vetë nuk mendojnë kështu, përkundrazi i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë shkollimit.

Po si e kanë parë ata UET-in, marrëdhënia me pedagogët dhe ndjesinë e të qenit i famshëm në auditorët e universitetit? Suplementi Mapo Universitet bisedoi me disa prej tyre.
Turjan Hyska: Të famshmit paragjykohen si studentë të këqij

Producent, prezantues, këngëtar dhe moderator i një emisioni të suksesshëm në televizionin Vizion plus, Turjan Hyska është frymëzim, jo vetëm talentin, por për origjinalitetin dhe përkushtimin e palodhur që ka treguar ndër vite. Këto janë ndër ato cilësi që e kanë shndërruar atë në një nga personazhet më të dashur të botës shqiptare të televizionit dhe më të suksesshëm gjithashtu.
Turjani është ndër studentët e parë, të cilët kanë përfunduar studimet në Universitetin Europian të Tiranës, si përftues së bursës së talentit që UET ofron.
“Në UET kam studiuar Marrëdhënie Publike-Komunikim. Kisha përfunduar studimet e mia në Shkenca Politike në shtet, por për të plotësuar formimin tim, në lidhje edhe me profesionin, m’u duk e arsyeshme të studioja në këtë degë. Unë kam qenë ‘brezi i parë i UET-it’ dhe ndër fituesit e parë të bursës së talentit. Dy nga themeluesit e UET, të cilët më kishin dhënë mësim më parë në shkenca politike, e njihnin potencialin tim, përtej botës së televizionit dhe më ofruan këtë bursë të cilën e pranova me kënaqësi. Një ndër arsyet që më shtynë të pranoj ishte edhe mendimi mjaft pozitiv që kisha për stafin e Universitetit Europian të Tiranës, e vlerësoja si mjaft cilësor”. Tregon Turi zgjedhjet e tij, tashmë si një ALUMNI i UET.
Rrugën e suksesit Turi e ka nisur në moshë farë të re, ndaj natyrshëm lind pyetja se si ka ndikuar fama e tij gjatë kohës që ai ka qenë student?

Ja se si i përgjigjet ai kësaj pyetjeje: “Ka dy forma perceptimi. Në shtet më ka ndikuar negativisht, për faktin e thjeshtë që paragjykohesh. Unë kam mësuar më shumë në UET pasi doja që të jepja maksimumin dhe kam qenë student mjaft i mirë faktikisht. Por përgjithësisht paragjykimi ndodh me pedagogët dhe vetëm në fillim. Nëse shohin pastaj që ti artikulon, ti mëson, që përgjigjesh ashtu siç duhet, që provimet i jep mirë, që flet me logjikë, kuptohet bie ai paragjykim. Sidoqoftë çdo gjë varet nga individi, se sa duan ata të jenë të aftë”.

Anxhela Kashari, rekordmenia e notit që studion për Financë

Ndoshta janë disi më larg vëmendjes që bota e televizionit iu ‘dhuron’ vazhdimisht personazheve të njohur të artit, por kjo nuk i bën ata më pak të suksesshëm. Flasim për talentet në fusha të ndryshme të sportit, të cilët janë po ashtu të mbështetur nga Universiteti Europian i Tiranës me bursa talenti. Këta personazhe nuk janë të pakët, dhe përbëjnë pa frikë një ndër arsyet për të cilat UET krenohet. Rekordmenë, të njohur përtej kufijve shqiptarë, të suksesshëm në karrierë dhe të suksesshëm në studime po ashtu.
Një nga shembujt më të mirë është pikërisht Anxhela Kashari, rekordmene në not, një sportiste tejet e talentuar që ka çuditur një audiencë të gjerë me arritjet e saj në këtë fushë. Ajo sapo ka përfunduar studimet e saj, në ciklin Bachelor, në degën Financë-Bankë.
“Kam zgjedhur të studioj në degën Financë-Bankë pasi shifrat përbëjnë një pasion të hershëm timin. UET ka qëndruar gjithnjë pranë talenteve, dhe i ka ndihmuar që krahas zhvillimit të talentit të tyre, të formohen cilësisht në fushën e studimit që kanë zgjedhur të studiojnë. Kjo është edhe arsyeja përse unë zgjodha UET,” thotë ajo.
Aktualisht Anxhela është instruktore noti në një qendër fitnesi.
“Aktualisht punoj instruktore noti, por pavarësisht se dega që unë kam studiuar më ka ndihmuar të futem në punë, unë kam zgjedhur të shkëputem nga financa pasi për momentin pasioni im i hershëm e ka zëvendësuar disi”, thotë ajo për gaztën Mapo.
Ndoshta në një të ardhme të afërt Anxhela do t’i rikthehet profesionit për të cilin ka studiuar, megjithatë për momentin duket e lumtur që ushtron talentin, i cili e ka bërë ketë një numër shumë të madh kupash, medaljesh dhe rekordesh të thyera, brenda dhe jashtë vendit.

Ardit Çuni: Shkolla më ka bërë një menaxher të vetes

Ardit Çuni është një nga personazhet më simpatikë të skenës muzikore shqiptare, këngët e tij janë kthyer në hit dhe janë pëlqyer në masë, veçanërisht nga audienca në moshë të re. Përkushtimi ndaj pasionit për muzikën, që në moshë të vogël dhe puna e palodhur i kanë mundësuar Arditit të fillojë të ndërtojë një karrierë mjaft të suksesshme në muzikë. Por krahas kësaj, ai ka gjetur kohën t’i përkushtohet edhe studimeve të cilat i ka kryer në degën Marrëdhënie publike-Komunikim në Universitetin Europian të Tiranës.
“Kam zgjedhur të studioj në degën Marrëdhënie publike–Komunikim sepse e mendoj si zgjedhjen më të mirë, e cila më ndihmon edhe në karrierën time si këngëtar, prezantues dhe producent, por edhe sepse ka mjaft hapësirë punësimi. Njëkohësisht UET-in e vlerësoj si zgjedhjen më të mirë që kam bërë. I kam patur të qarta synimet e mia kur erdhi momenti për të zgjedhur universitetin ku do të studioja, UET ishte i vetmi që ofronte mësimdhënie europiane dhe ofronte mundësinë që krahas të qenit student, të kishte një jetë post-akademike shumë të mirë”, shprehet ai për zgjedhjet që ka bërë në lidhje me studimet e ciklit të lartë.
Ndërkohë që po shijon festën e organizuar nga UET, ai pohon se të tilla organizime janë një mundësi shumë e mirë, që studentët të ritakohen me njëri-tjetrin, si kolegë por edhe si miq të mirë.
Por si ka ndikuar fakti që Arditi ka ndjekur studimet e tij në UET, në statusin e një personazhi publik?
“Përgjithësisht jam ndjerë mirë, për faktin që pedagogët më kanë respektuar për atë që jam. Ndoshta të qenit personazh publik, më ka ndihmuar më tepër në jetën post-akademike, ku për shkak të profesionit, ndryshe nga studentë të tjerë, kam patur mundësinë të jem më afër stafit akademik, por kjo gjë nuk ka ndikuar në lëshime në notë apo gjëra të kësaj natyre”.
Arditi sapo ka përfunduar studimet e tij në ciklin Bachelor me mjaft sukses, duke dëshmuar se mund të balancosh edhe karrierën e një artisti, edhe jetën akademike të një studentit të zellshëm.

Dëfrim Derti: Nga skena e këngës në atë të politikës

Një nga reperët me në zë shqiptar, këngët e të cilit janë kthyer jo pak herë në hite, duke thyer madje edhe rekorde shikimi në YouTube, është gjithashtu student në UET. Dërfrim Derti, i njohur me emrin e artit “Dafi” është një ndër studentët e talentuar të UET. Ai është në vitin e tretë të studimeve në ciklin Bachelor, në Shkenca Politike. Kjo zgjedhje duket pakëz e çuditshme, kur mendon që Dafi është jo vetëm mjaft i talentuar në muzikë por edhe mjaft i suksesshëm në këtë profesion që nuk ka të bëjë aspak me këtë degë studimi.
“Kam zgjedhur të studioj Shkenca Politike, pasi e mendoj si një profesion të përshtatshëm për veten në të ardhmen time. Muzika është pasioni im si dhe karriera ime e tanishme, por një profesion në Shkencat Politike më jep më tepër siguri për një të ardhme më të vonë”, shpjegon Dafi arsyet që e kanë shtyrë të bëjë këtë zgjedhje.
Për shkak të angazhimeve të shumta në karrierën e tij, Dafi pranon se e ka ndjerë deri diku të vështirë të menaxhojë edhe studimet njëkohësisht, megjithatë falë përkushtimit duket se ia ka dalë mbanë mjaft mirë.
“Të them të drejtën është pak e vështirë që të arrish të frekuentosh të gjitha orët e mësimit apo të studiosh intensivisht, për shkak të aktiviteteve të ngjeshura që muzika më imponon, por unë jam një tip që kërkoj t’i balancoj të gjitha gjërat dhe gjithnjë e gjej kohën e duhur për gjithçka”, shprehet ai për gazetën Mapo.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gerta qau pak

Nga Edison Ypi Gerta qau pak. Gerta duhej të qante më shumë....
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.