Studentët e UET fitojnë çmimet për projektet inovatore nga Sigal Uniqa

SIGAL UNIQA si një nga kompanitë më të mëdha në fushën e siguracioneve në vend në bashkëpunim me UET ka shpërndarë çmimet për studentët fitues në projektin “PROJECT AND IDEA INNOVATIONS IN INSURANCE MARKET”, i cili është prezantuar disa muaj më parë në kuadrin e partneritetit strategjik që Universiteti Europian i Tiranës ka lidhur me Sigal Uniqa.

Ky projekt konsistoi në kërkim tregu, krijim dhe zhvillim produkti, strategji marketingu dhe komunikimi, analizë financiare në fushën e sigurimeve. Grupi i përbërë nga studentët, Sara Dervishi, Viviana Simoni, Bledi Salaj, të cilët u prezantuan me projektin “Karta Vizuale e Besnikërisë” u shpallën fitues dhe u shpërblyen me një shumë prej 500 Eurosh, ndërkohë që edhe grupi i përbërë nga Eraldo Breshani dhe Vasil Xhaja u shpërblyen me 250 Euro.

Studentët, të organizuar në grupe, patën mundësinë të paraqisnin projektet e tyre inovatore që i përkisnin tregut të sigurimeve përpara një jurie profesioniste, me përfaqësues nga UET dhe Sigal Uniqa që kryesohej nga CEO i kësaj kompanie, z. Avni Ponari.

I gjithë ky projekt ishte i iniciuar nga Uniqa, (mëmë) e cila ka shpallur një konkurs për inovacionet më të reja, gjatë tri viteve të ardhshme, dhe ka vendosur një buxhet 500 milionë euro për ide, për sistemin IT.

Në fund të këtij të ndarjes së çmimeve z. Ponari theksoi se ky projekt shërbeu më së shumti për të kuptuar se sa e njohin të rinjtë tregun, çfarë idesh kanë dhe se si munden ata të promovojnë dhe shesin produktet, të sigurojnë klientë të rinj e pse jo edhe të ndërtojnë produkte të reja. “Tregu i sigurimeve është një treg që zhvillohet me shpejtësi, kompanitë e biznesit hasin nevojën e vazhdueshme për ide të reja, të cilat shpesh i gjejnë brenda tyre, por i kërkojnë edhe në treg”.

Prof. asc. dr. Selami Xhepa, dekani i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Europian të Tiranës, e ka vlerësuar këtë bashkëpunim të UET me Sigal Uniqa si një mundësi shumë të mirë për studentët e UET.

“Unë e falënderoj Sigal Uniqa për këtë bashkëpunim që është shumë i rëndësishëm për ne dhe studentët tanë. Është një eksperiencë e re, jashtëzakonisht interesante dhe e vlefshme për ta”.

Fituesit e këtij konkursi flasin më tepër rreth kësaj eksperience dhe pritshmërive në lidhje me projektin e tyre.

Sara Dervishi, Viviana Simoni dhe Bledi Salaj janë të tre studentë në degën Administrim Biznesi, Master Shkencor, dhe në konkursin e organizuar nga Sigal Uniqa në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës, u paraqitën me projektin “Karta Digjitale e Besnikërisë”.
Ky projekt konsistonte në krijimin e një karte besnikërie të klientit, digjitale.

“Projekti ynë konsistonte në krijimin e një karte digjitale, ndryshe nga kartat e zakonshme që jemi mësuar të mbajmë me vete në kuletë dhe që shpesh ndoshta harrojmë t’i përdorim apo t’i marrim me vete. Për këtë arsye, menduam të krijojmë konceptin e Kartës Digjitale të Besnikërisë, e cila mendojmë se do të jetë shumë herë më praktike dhe e pëlqyeshme nga klientët”-tregon Viviana.

Projekti i prezantuar përpara jurisë profesioniste, përmbante një shpjegim të detajuar mbi mënyrën se si tre studentët kishin menduar ta krijonin këtë kartë dhe ta vendosnin në përdorim në të ardhmen.

“Kjo kartë do të jetë pjesë e aplikacionit të Sigal, si një kategori e veçantë. Kështu klientët do të kenë akses më të kollajtë dhe do të mund të përfitojnë prej saj më lehtë”-është shprehur Sara.

Të frymëzuar nga disa kompani jashtë Shqipërisë që e ofrojnë një shërbim të ngjashëm, studentët mendojnë se aplikimi i një karte të tillë në Shqipëri do të ishte një mundësi shumë e mirë që të përfitojnë jo vetëm klientët por edhe kompania që e ofron.

“Besojmë që ky projekt do të aplikohet së shpejti dhe ne jemi mjaft optimistë për të ardhmen e tij”– thotë Bledi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Një ligj për strehimin social dhe tri keqkuptime qeverisëse!

Nga Gentian Kaprata – Memo Sovranit Vitin e pestë të qeverisjes Rama,...
Read More