Studentët europianë të UET-it

Njihuni me studenten hungareze që dashuria për një shqiptar e ka sjellë me studime në Tiranë dhe me finlandezin që dëshiron të jetë i pari që “zbulon” Shqipërinë. Si programi i BE-së Erasmus+ i ka kthyer universitetet në pikë takimi mes kulturave dhe kombësive të ndryshme. 

Në korridoret e një universiteti në Tiranë nuk është më habi të dëgjosh të fliten gjuhë të huaja, përveç shqipes. Shumë studentë dhe pedagogë të huaj po udhëtojnë drejt Shqipërisë për një eksperiencë të re jetësore dhe akademike duke shfrytëzuar programin Erasmus+ të financuar nga Bashkimi Europian.

Në korridoret e UET-it këtë fillimviti akademik u njohëm me Gréta Maráczi, studenten hungareze që ka vendosur të bëjë një semestër në UET dhe Toni Loustarinen nga Finlanda, i cili ka shfrytëzuar i pari prej miqve të tij mundësinë për të udhëtuar drejt një vendi që për të është ekzotik, si Shqipëria.

“Gjatë këtyre viteve, falë memorandumeve dypalëshe por mbi të gjitha skemës Erasmus+ KA107, UET ka mirëpritur 15 studentë të huaj dhe rreth 40 veta nga stafi, të cilët kanë mbajtur trajnime por edhe leksione për studentët. UET po i kushton vëmendje të veçantë ndërkombëtarizimit dhe dëshiron të jetë një universitet novator dhe tërheqës sa i takon përthithjes së stafit e studentëve të huaj. Përmes projekteve të ndryshme dhe marrëveshje të reja, UET gjithashtu do të mundësojë edhe leksione në anglisht. Së shpejti shpresojmë që të kemi mjaftueshëm studentë të huaj për të ofruar dhe klasa në grupe të mëdha në anglisht. Gjithashtu, studentët e UET janë mjaft të interesuar për të ndihmuar studentët dhe stafin e huaj, pasi kjo është një mënyrë për ta për t’u njohur me kultura të reja, gjuhë dhe miqësi ndërkombëtare”, shprehet Lutjona Lula, koordinatore e marrëdhënieve me jashtë në zyrën e zhvillimit të projekteve në UET.

Përveç dy studentëve gjatë kësaj kohe në UET ndodhet edhe Anne Markonne, Drejtuese e Zyrës Ndërkombëtare të Lappeenranta University of Technology në Finlandë, si dhe Kornelia Lazanyi, dekane pranë Obuda Universiy në Budapest.

Anne Markonne mbajti një leksion të hapur me studentët me temë: “Përfitimi i bursave Erasmus+ për studentët e IT në UET”. Gjatë këtij leksioni studentët kanë patur mundësinë të mësojnë më tepër në lidhje me mundësitë për të studiuar në Finlandë, përmes skemës Erasmus+, e cila falë bashkëpunimit disavjeçar të UET me LUT u ofron studentëve tanë mbulim të plotë të qëndrimit në Finlandë.

Kornelia Lazanyi zhvilloi një leksion të hapur me studentët me temë: “Sjellja Organizative dhe Lidershipi”. Gjatë këtij leksioni studentët kanë patur mundësinë, jo vetëm të informohen për temën e trajtuar, por edhe të mësojnë më tepër në lidhje me mundësitë për të studiuar në Hungari, veçanërisht në universitetin pranë të cilit znj. Lazanyi është dekane. Ata patën mundësinë të kuptonin se si funksion ky universitet dhe mënyrat si mund të studiojnë atje, përfshirë dhe programin Erasmus+

 

Greta Maraczi: Dashuria më solli me studime në Tiranë 

Studente në vitin e tretë të degës Marketing në Universitetin Obuda, Hungari, Gréta Maráczi vendosi të shpërngulej për të kryer studimet në Tiranë, pranë Universitetit Europian të Tiranës. Erasmus+ dhe bashkëpunimi i UET me universitetin Obuda bëri të mundur këtë udhëtim të saj, një udhëtim akademik që do të zgjasë një semestër dhe një udhëtim jete në vendin ku ka lindur i dashuri i saj.

Pse zgjodhët të vinit në Shqipëri dhe në Universitetin Europian të Tiranës kur aplikuat për bursat Erasmus?

Doja të shpenzoja semestrin tim Erasmus në Universitetin Europian të Tiranës sepse unë e dua Shqipërinë dhe kam gjithashtu dhe një të dashur shqiptar.

Si ndiheni në raportet tuaja me profesorët në UET dhe me studentët shqiptarë?

Kam mbërritur vetëm para 5 ditëve, por deri tani jam pritur ngrohtësisht.

Cilat janë ndryshimet apo të përbashkëtat mes dy universiteteve?

Ndryshimi i vetëm është që në UET më duhet të punoj individualisht me profesorët, por në Obuda kemi rreth 30 studentë në klasë.

Sa e vlefshme mendoni se do të jetë kjo eksperiencë për ju dhe a do t’ua këshillonit studentëve të tjerë në të ardhmen?

Për mua një semestër në një vend të huaj ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Për më tepër, duke qenë se jam në semestrin e fundit kam mundësinë të përfitoj dije ndërkombëtare në fushat e mia të interesit, si marketing dhe tregtia ndërkombëtare. Dije të cilat do të mund t’i aplikoj në punën time të ardhshme.

 

Toni Loustarinen: Dua t’u tregoj Shqipërinë miqve në Finlandë

Toni Loustarinen është student në programin Master në Lappeenranta University of Technology, Finlandë, në degën Ekonomiks me një fokus në inovacion, qëndrueshmëri dhe strategji. Ai ka zgjedhur që një pjesë të studimeve t’i kryejë në Tiranë pranë Universitetit Europian të Tiranës. Arsyeja që mori këtë vendim ka lidhje me natyrën e tij eksploruese; donte të ishte i pari prej miqve të tij që vizitonte këtë vend. Por akoma pa kaluar disa javë ai ka ftuar shokët që ta vizitojnë në Tiranën plot diell dhe njerëz empatikë, siç i quan ai shqiptarët që ka njohur.

Pse zgjodhët të vinit në Shqipëri dhe në Universitetin Europian të Tiranës kur aplikuat për bursat Erasmus?

Shqipëria dhe Tirana ishin destinacioni më i ri që ofronte universiteti ynë dhe unë doja të isha i pari nga studentët e LUT që vinte këtu. Në Finlandë, njohuritë për Shqipërinë janë shumë të pakta ndaj vendosa të vija dhe të njihja nga afër Shqipërinë.

Si ndiheni në raportet tuaja me profesorët në UET dhe me studentët shqiptarë?

Deri më tani çdokush ka qenë shumë i hapur, fleksibël dhe ndihmues. Kam takuar shumë vendës që duan të kalojnë kohën me mua.

Cilat janë ndryshimet apo të përbashkëtat mes dy universiteteve?

Konkretisht, universiteti nuk ka filluar ende, përveç orëve të para orientuese ndaj nuk është e lehtë të përgjigjem. Por, Universiteti ynë ka një kampus shumë të madh disa kilometra nga qyteti, ndërkohë që UET ndodhet brenda në qytet. Në LUT studentët jetojnë brenda në kampusin universitar, kurse këtu është ndryshe, ata jetojnë në shtëpitë e tyre ose në shtëpi me qira që i ndajnë bashkë.

Sa e vlefshme mendoni se do të jetë kjo eksperiencë për ju dhe a do t’ua këshillonit studentëve të tjerë në të ardhmen?

Natyrisht që është e vlefshme pasi do të takoj shumë njerëz të rinj nga kultura të ndryshme. Shqipëria po më trajton shumë mirë dhe përfundimisht do t’ua rekomandoj miqve të mi. Madje, unë i kam ftuar tashmë që të më vizitojnë këtu!

Shkruar Nga
More from Redaksia

‘4 politikanët e lidhur me krimin’: Si u lexua ‘bomba’ e Lu

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, arriti dhe njëherë të dominojë lajmet...
Read More