Studentët nuk ndalen, paralajmërojnë politikën: Qëndroni larg protestës

Pavarësisht tërheqjes së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, duke hequr pikën 4 në VKM-në e kundërshtuar ashpër nga studentët që tarifonte çdo kredit të provimeve të bartura, të cilët prej dy ditësh mblidhen në protestë para kësaj ministrie, ata duket se nuk janë kënaqur me plotësimin e vetëm një prej kërkesave të tyre.

Në kryeqytet, studentë nga shumica e fakulteteve të Universitetit të Tiranës apo Politeknikut, kanë nisur të marshojnë për të tretën ditë me radhë drejt Ministrisë së Arsimit, me kërkesat e qarta për përgjysmimin e tarifave të studimit dhe përmirësimit të kushveve të konvikteve, sikurse edhe përfaqësimin në Bordin e Administrimit.

Në Vlorë, studentët e Universitetit “Ismail Qemali” kanë lënë sërish orët e mësimit për të protestuar jashtë ambienteve të universitetit, sikurse edhe në Elbasan, ku studentët janë mbledhur përpara “Aleksander Xhuvanit” dhe më pas do të nisen drejt Tiranës.

Edhe studentët e “Fan Nolit” të Korçës kanë hyrë në ditën e dytë të protestës. Ata kërkojnë tashmë plotësimin e kërkesave të tjera. Grumbullimi ka filluar në ambientet e jashtme të Korpusit universitar, me pjesëmarrjen e studentëve të fakulteteve të Ekonomisë, Edukimit dhe Bujqësisë.

Ndërkohë, studentët e fakulteteve të Shkencave Humane dhe atyre Natyrore kanë zgjedhur të protestojnë përpara fakulteteve respektive. Por, në Korçë, Këshilli Studentor u ka bërë thirrje edhe gjimnazistëve që t’i bashkohen protestës, edhe pse nuk kuptohet arsyeja për këtë.

Me thirrjet “Bashkohuni, sot ne, nesër ju”, studentët e Tiranës janë ndaluar për disa minuta përpara gjimnazit “Qemal Stafa” duke i bërë thirrje nxënësve që t’i bashkohen protestës së tyre.

Ata i kanë kërkuar gjimnazistëve që të pezullojnë mësimin dhe t’i bashkohen protestës. Ka raportime se disa gjimnazistë i janë bashkuar protestës.

*******************

Protesta e studentëve ka hyrë sot në ditën e tretë të saj, ndërsa kërkesat e tyre për përgjysmimin e tarifave janë primare. Një nga thirrjet që është bërë gjerësisht në protestën e sotme është mbajtja larg e forumeve politike.

Shumë prej studentëve e kanë deklaruar dhe më herët që protesta e tyre lidhet me kushtet ekonomike dhe sociale të tyre dhe nuk ka asnjë ngjyrim partiak.

‘’Jo politikë, jo politikë”, janë koret e përdorura në masë nga ana e studentëve që janë mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit.

Katër kërkesat e studenteve drejtuar Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë:

1. Anulimi i VKM per tarifa shtesë.

2. Përgjysmimi i tarifës së studimit.

3. Përmirësimi i kushteve të konvikteve.

4. Bordi i Administrimit të ketë numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrisë së Arsimit, duke shtuar një përfaqësues nga studentet ne bord.

*******************

Pavarësisht tërheqjes nga protesta të Këshillit Studentor, të rinjtë që janë pjesë e Universitetit të Shkodrës kanë vijuar bojkotin e mësimit dhe protestën e tyre për plotesimin e 3 pikave të tjera për të cilën nisën kauzën e  tyre pak ditë më parë.

Mbrëmjen e së enjtes, Këshilli Studentor i këtij universiteti doli zyrtarisht me një deklaratë ku tërhiqej nga protesta pasi sipas tyre qëllimi i nisjes së protestes ishte arritur, pra pika 4 e VKM-së ishte shfuqizuar, pra pika që lidhej me pagesën e tarifave për provimet e mbartura.

Por studentët e Shkodrës mesa duket nuk i janë bindur strukturave që ata i përfaqësojnë, duke dalë në rrugë edhe këtë të premte ne Shkodër për të kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe vetë drejtuesit e Universitetit të tyre që plotësojnë 3 kërkesat e tjera që, vetë Ministria tha se do të negociohen.

Studentët e Shkodrës kanë marshuar në rrugët e qytetit me pankarta në duar.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Një zë i vrazhdë e sfidues nga Kosova

“Poeteka – Tirana Between” në programin e rezidencës për muajin gusht ka...
Read More