Studentët vijojnë qëndresën, Rama pranon “shuplakën”



Kryeministri Edi Rama pranon në Parlament përgjegjësinë e qeverisë për situatën e krijuar në universitetet e vendit dhe ribën thirrjen për dialog duke e lexuar reagimin masiv studentor se “I dha shuplakë qeverisë, grusht opozitës dhe shpresë shoqërisë”. Çfarë ndodhi dje në Parlament nga përplasjet pozitë-opozitë në fjalimin e vajzës së Azem Hajdarit. Studentët, të vendosur për vijimin e protestës. Rama shkund rektorët dhe dekanët e Universitetit të Tiranës dhe u kërkon të mbajnë përgjegjësitë.

Ndërsa jashtë sallës së Parlamentit mijëra studentë protestonin paqësisht me tetë kërkesat e panegociueshme në duar, kryeministri Edi Rama i bëri një “skaner analitik” dhe politik protestës së tyre, duke pranuar se qeveria e ka marrë një shuplakë. “Leximi im i protestës së studentëve është: protesta i dha një shuplakë qeverisë, i dha një grusht opozitës, ndërkohë që i dha një shpresë shoqërisë”. Ky ishte thelbi i fjalimit të parë të kryeministrit Edi Rama nga foltorja e Kuvendit. Një seancë e detyruar të përqendrohej vetëm në revoltën e studentëve që në ditën e tyre të nëntë të protestës, vijojnë të qëndrojnë të vendosur në kërkesat me tetë pika drejtuar kryeministrit dhe të qëndrueshëm në idenë që: “Nuk ka negociata dhe dialog”. Pasi qëndruan për një orë përballë Parlamentit, studentët nuk e shkëputën protestën e tyre, por vijuan përqendrimin para Kryeministrisë. Ata vijojnë t’i qëndrojnë tetë pikave të paraqitura ku kërkojnë përgjysmim të tarifave të studimit, rritje të buxhetit të arsimit me 5 % të prodhimit të përgjithshëm kombëtar, kushte më të mira në konvikte dhe auditorë, mbështetje për studimet shkencore dhe pajisjen me kartën e studentit që u krijon lehtësira. Edhe pse kreu i qeverisë ka rënë parimisht dakord me të gjithë pikat, ka ripërsëritur ofertën e tij për dialog me studentët që t’u plotësojë jo vetëm tetë pikat që kërkojnë, por edhe më shumë. Situata e ndërlikuar vuri dje përballë politikën në tërësi dhe grupimin e madh studentor, që ka gjetur përkrahjen masive edhe të qytetarëve. Një përfaqësi nga deputetët e opozitës kërkuan të futen në rend ditë diskutimet për amendime të ligjit të arsimit të lartë dhe përfshirjen e të tetë kërkesave të paraqitura nga ana e studentëve. “Luan Rama tha se studentët kanë të drejtë të na nxjerrin të gjithëve jashtë, por ndërkohë, ata ju kanë nxjerrë jashtë juve. U detyruat të hidheni në ilegalitet dhe ta ndikoni protestën të maskuar. Së pari, dje janë formuar organet e para të drejtësisë së re, KLP dhe KLGJ, pas KED-së. Sa i përket propozimit të këtyre janë të refuzuara. Kjo sepse janë të bëra për të mos u bërë kurrë. Leximi im i protestës së studentëve është: protesta i dha një shuplakë qeverisë, i dha një grusht opozitës, ndërkohë që i dha një shpresë shoqërisë”, -tha Rama, duke iu referuar diskutimeve të dy deputetëve të opozitës. Po në Parlament ka bërë disi “habi” prania e Rudina Hajdarit që mbajti një fjalim, duke dalë në mbështetje të studentëve, por bëri përgjegjës për situatën e krijuar qeverinë dhe politikën në tërësi. “Nuk kam ardhur për të marrë një llokmë të studenteve, jam për t’i mbështetur. Këtu kushdo që foli më parë ju them se jeni kryehajdutë që nuk e doni këtë vend dhe nuk e keni dashur ndonjëherë. Ju që bëni sikur ju intereson ky vend, por rrini vetëm nëpër kafe. Sillni listat e hapura. Nëse e doni këtë vend sillni Kodin Zgjedhor. Nëse doni ndryshime në këtë vend, sillni këtu Kodin Zgjedhor, mos mbani listat e mbyllura. Silleni këtu ta votojmë dhe atëherë do të pastrojmë këtë parlament, do të pastrojmë këtë kastë politike dhe do ta ndryshojmë këtë vend”-tha Hajdari. Pavarësisht “të papriturës” Kryeministri Edi Rama vijoi me “refrenin e dialogut” me studentët, por gjeti momentin për ta kthyer çështjen edhe në politike, duke pranuar se përtej saj ekziston edhe e vërteta se janë bërë shumë gabime nga ana e qeverisë në lidhje me çështjen e arsimit të lartë në vend. “Jo nuk mund të pranojë që kjo zgjidhje të vijë me porosi nga Doktoresha e Shkencave Monika Kryemadhi, profesor Lulzim Mziu apo nga profesor Qorri. Zgjidhja vjen me dialog. Opozita kërkon vetëm bllokim të zgjidhjes, duke i futur studentët në qorrsokak. Ne si qeveri e kemi zgjidhjen dhe do ta japim me dialog”, shtoi kryeministri Rama. Megjithatë surprizën e madhe kryeministri e kishte lënë pasditen e djeshme, ku pas fjalës së mbajtur në Parlament përballë rektorëve dhe dekanëve të Universitetit të Tiranës. Pasi pranoi përgjegjësitë e qeverisë për situatën e krijuar, Rama iu kundërvu edhe drejtuesve të fakulteteve të Tiranës dhe premtoi se do kishte shkarkime jo vetëm nga pjesa e qeverisë që janë marrë me çështjen e arsimit të lartë, por edhe shkundje të thellë të stafeve pedagogjike që kanë abuzuar me fondet.

Rama, profesorëve: Do vijë radha juaj…

“Dua të them që për mua, tetë pikat e ndritura janë vetëm parathënie e një libri që është shumë i ngatërruar, por patjetër duhet kaluar e korrigjuar i gjithi. Nuk diskutohet që gjithçka e gjithsekush nga ana e qeverise që ka patur lidhje me Arsimin e Lartë mban përgjegjësi”, -tha Rama. Në vijim të fjalës, iu drejtua dekanëve e rektorëve: “S’jam unë që duhet t’iu them juve sa përgjegjësi keni. Jeni ju që duhet ta nxirrni përgjegjësinë. Por, duhet t’ju them s’jam më ai që isha para kësaj në raport me universitetet. Protesta do mbarojë një ditë kurse mua sa të jem kryeministër, do më keni protestues për çështjen e universitetit”-deklaroi Rama. Ai u ndal në çështjen e administrimit të fondeve dhe në “autonominë” e universiteteve për shpërndarjen e tyre, ku nga reagimi studentor, por edhe hapja e letrave dukshëm janë konstatuar abuzime. “Nëse nga 5 lekë, katër i çon për lumë, askush të merr vesh. Kjo është historia e universiteteve. Jam marrë me universitetin kur kam parë katër dekanë të alarmuar për mosmarrëveshje me rektoratin. Kam takuar rektorët, dekanët, jam përpjekur të ndihmoj dhe kam kuptuar një ngërç të madh që vjen jo nga ligji, por nga mundësia që vjen”-shtoi Rama. Sipas tij, kjo situatë nuk duhet të vijojë më tej dhe u shpreh i vendosur që pavarësisht autonomisë universitare të siguruar me ligj, ka vend për ndërhyrjen e fortë të qeverisë. “Mes të qenit i tërhequr nga autonomia e universiteteve dhe rreziku i të qenit bashkëfajtor me çfarë ndodh brenda mureve, ju kërkoj mos u fshini më. Jo të dilni në TV dhe të mbështesni qeverinë se na dëmtoni në këtë fazë. Ju po merrni hijen misterioze të fajtorit padrejtësisht për shumë nga ju, por ju them mos u fshini. Këtu s’është një lojë, një gjë e vogël, por fati i universitetit. Universiteti s’mund të jetë më siç ishte pas kësaj”-tha Rama. “Autonomia universitare është bërë arratisje nga përgjegjësia”, -tha kryeministri Edi Rama, i cili paralajmëroi se, “ka ardhur koha të rishikojmë autonominë e universiteteve”. Ai, gjithashtu, kritikoi rektorët e dekanët për mostransparencë ndaj studentëve për shpenzimin e fondeve dhe për vendosjen e tarifave të studimit. Para profesorëve Rama tha se bordi i administrimit i përbërë me shumicë nga qeveria duhet të shkarkohet i gjithi dhe ata duhet të zëvendësohen me persona publikë. Me diskutimin e gjatë dhe pranimin e situatës mjaft të rëndë u mbyll dje takimi i Ramës me drejtuesit e Universitetit të Tiranës. Gjithsesi kreu i qeverisë nuk po mundohet të shuajë vetëm revoltën studentore, pasi edhe në disa qytete të vendit qindra qytetarë, të frymëzuar nga reagimi rinor në Tiranë dhe në rrethet ku ka Universitete, kanë bllokuar rrugët dhe bërë thirrje qeverisë për ulje taksash dhe të çmimit të naftës. Në Shkodër qytetarët kanë bllokuar rrugën dhe të veshur në mënyrë simbolike me jelekë të verdhë kërkuan ulje të çmimit të naftës, ndërsa nuk kanë munguar edhe parulla kundër qeverisë. Kjo mënyrë e ngjashme proteste është zhvilluar edhe në Berat ku në numër të konsiderueshëm qytetarët u ulën në rrugë dhe për disa minuta bllokuan trafikun. Gjithashtu, kjo formë e revoltës me kërkesën kryesore për uljen e çmimit të naftës ka vazhduar edhe në qytete të tjera për të katërtën ditë radhazi.

loading...
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Vetëm e djathta i mbron homoseksualët, e majta i poshtëron

Nga Fitim Zekthi Kur përfundoi Lufta e Parë Botërore një pjesë e...
Read More