Një studente në Tiranë është dënuar nga Gjykata me 40 orë punë të detyruar për interes publik, pas rrëmujës që ka shkaktuar në Urgjencën e QSUT-së.
Ngjarja ka ndodhur në 5 prill të këtij viti.
A.P. kishte dalë me dy shoqet e saj dhe në gjendje të dehur ka shkuar në QSUT, pasi njëra prej mikeshave ishte helmuar nga konsumimi i tepërt i pijeve alkoolike.
A.P. ka nisur të debatojë me mjekun toksikolog, të cilit i ka kërkuar disa peceta, por ky i fundit i ka thënë se nuk kishte me vete. Pas debatit mes tyre, mjeku ka njoftuar Policinë.
A.P. nuk iu bind urdhrit të Policisë dhe ka vazhduar të debatojë me mjekun.
Ajo, madje, i është kthyer edhe efektives së Policisë, duke e shtyrë dhe duke i thyer kamerën që ajo mbante në trup. Më pas ajo është arrestuar.
Në gjykatë, studentja e ka pranuar fajin dhe konsumimin e veprës penale, si dhe ka kërkuar dënim sa më të ulët dhe gjykim të shkurtuar.
Gjithashtu, përmes avokates, A.P. ka kërkuar që Gjykata të marrë parasysh edhe statusin e saj, si studente në Universitetin e Tiranës.