Studimi: Të moshuarit në depresion, probleme edhe te të rinjtë

Një në tre të moshuar vuan nga disa sëmundje dhe dy në tre prej tyre janë të sëmurë kronikë, nën trajtim mjekësor me ilaçe. Këto janë të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik të cilat tregojnë fakte shqetësuese mbi jetesën e moshës së tretë në vend

Duhet të presim rritje të problemeve të shëndetit mendor në Shqipëri. Urbanizimi i shpejtë, izolimi i individit, stresi, depresioni po shtojnë numrin e personave që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor e deri te sëmundjet mendore. Paralajmërimi vjen nga specialistë të Institutit të Shëndetit Publik gjatë konferencës ndërkombëtare të ISHP-së. Doktor Alban Ylli, specialist në ISHP publikoi të dhënat e disa studimeve, ku evidentohej fakti se 1 në 3 gjimnazistë në Tiranë tregon shenja të depresionit dhe rreziku është më i lartë te të rinjtë që nuk kanë lindur në Tiranë. I njëjti studim i zhvilluar në Tiranë me të moshuarit tregoi një frekuencë të ngjashme të depresionit. Teksa pranohet se nga depresioni dhe sëmundjet mendore shqiptarët nuk po vdesin. Sepse po zënë një përqindje të vogël të vdekjeve nga vetëvrasja në krahasim me totalin e vdekjeve. Doktor Ylli thotë se, rritja e problemeve mendore rrit rrezikun për sëmundjet e tjera që mund të çojnë drejt vdekjes. Kjo pranohet edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë e cila përmes studimeve të shumta evidenton se depresioni ka ndikim në sëmundjet kardiovaskulare.

Metoda

Gjatë dekadës së fundit, ekzistojnë një numër teknikash të reja që testojnë gjendjen e shëndetit mendor. Për këtë punë është shqyrtuar një numër raportesh dhe studimesh të publikuara si dhe të dhëna të pabotuara të zhvilluara nga Instituti i Shëndetit Publik dhe partnerët e saj. Përveç të dhënave nga raporti policor për vetëvrasje, në spital dhe në regjistrat e kujdesit parësor shëndetësor, janë shqyrtuar tre anketa të kryera në nxënës të shkollave të mesme, dy studime në popullatën e përgjithshme të moshës 15-49 vjeç dhe dy studime mbi personat e moshuar mbi 65 vjeç, duke përfshirë mostrat përfaqësuese të individëve në Tiranë dhe qytete të tjera. Nga këto ka rezultuar se 30% e popullsisë kanë probleme mendore dhe këto rezultate janë marrë nga pyetësorët në popullsi. Mirëpo sikurse evidenton doktor Ylli, në institucionet shëndetësore nuk gjendet e njëjta shifër; kjo sepse jo çdo person u drejtohet institucioneve shëndetësore. Të dhënat shkojnë drejt rënies, dhe konkretisht nëse kontrollohen kartelat mjekësore të dhënat shkojnë në 10%. Dhe te specialistët akoma më të ulët dhe në spitale 0,6 %.

Studimi

Studimi i bërë në popullatë në ambiente shkollore, mjedise pune dhe disa grupmosha pati dy pyetje kryesore;

Së pari, nëse gjatë 12 muajve të fundit je ndjerë i pashpresë dhe i mërzitur me shumë se dy javë në vazhdimësi saqë ke ndaluar kryerjen e aktiviteteve të zakonshme?

Gjatë vitit të fundit ke menduar apo tentuar vetëvrasjen?

Në tri studime në gjimnaz, në varësi të gjinisë dhe zonës, përqindja e këtyre ndjenjave të pashpresa për të paktën dy javë radhazi u gjet që të shkonte nga 17% në 33%. Për më tepër, 4% deri 8% e nxënësve kanë menduar seriozisht për vetëvrasje ose e kanë planifikuar atë. Nxënësit e shkollave të mesme në Tiranë, tregoi përsëri se pothuajse 1 në 3 prej tyre tregon shenja të depresionit. Rreziku duket të jetë më i lartë te të rinjtë që nuk kanë lindur në Tiranë. Shumica e mbështetjes psikologjike vazhdon të kërkohet në rrjetet tradicionale (familja dhe miqtë), ndërsa profesionistët janë kontaktuar vetëm në 5% të rasteve. I njëjti instrument i përdorur në një studim gjatësor në Tiranë, mostra e të moshuarve, tregoi një frekuencë të ngjashme të depresionit. Femrat ishin në një rrezik më të lartë dhe depresioni duket të jetë i lidhur në disa raste me rrezikun kardiovaskular dhe lëvizshmërinë fizike. Vlerësimi i ilaçeve psikotrope tregoi probleme lidhur me stigmën dhe ndërgjegjësimin në kujdes shëndetësor publik. Aftësia për t’u ripërtërirë e matur për herë të parë në vitin 2014 midis të moshuarve, duke përdorur shkallën RS-14, ishte relativisht e ulët me një rezultat prej 73 dhe ishte e lidhur fort me angazhimin social. 5 indekset e mirëqenies mendore janë vlerësuar për herë të parë në vitin 2017; ajo tregoi të jetë më e keqe në mesin e popullatave peri-urbane joformale në krahasim me homologët urbanë ose tradicionalë ruralë. Ndërkohë që një pjesë e barrës së sëmundjes mund të matet përmes treguesve të shërbimeve rutinore të shërbimeve shëndetësore, shumica e çështjeve të shëndetit mendor mund të vlerësohen vetëm me anë të studimeve popullore të hartuara posaçërisht. Treguesit kryesorë të propozuar për t’u përdorur, janë mirëqenia mendore, depresioni, mungesa e shpresës për më shumë se dy javë dhe mendimet vetëvrasëse. Instrumentet për matjen e tyre duhet të përdoren më sistematikisht dhe më shumë mostra përfaqësuese të popullsisë.

Vetëvrasja

Shkalla e vetëvrasjes është rritur gradualisht që nga mesi i shekullit të kaluar dhe aktualisht vlerësohet në 0.87 / 10.000 banorë në vit. Sëmundjet mendore të diagnostikuara klinikisht sipas regjistrave të Kujdesit Parësor Shëndetësor janë rritur gjithashtu duke arritur në 127 / 10,000 në vitin 2016. Nga të dhënat e Ministrisë së Brendshme dhe Akademia e Sigurisë në lidhje me vdekjet dhe vetëvrasjen janë të ndryshme nga ato që merren nga INSTAT, fakt ky shtron pikëpyetje. Nga ana tjetër, Shqipëria ka një numër vetëvrasjesh që nuk konsiderohet e lartë por që është një fenomen në rritje dhe ky numër është identik me shkallën e standardizuar botërore dhe është më e lartë jo vetëm në tre dekadat e fundit por që nga vitet ‘50.

Shërbimet

Në Planin Kombëtar të Veprimit për Zhvillimin e Shërbimeve të Shëndetit Mendor 2013 – 2020, hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale , zv.ministrja Bardhylka Kospiri thotë se janë ngritur 9 Qendra Komunitare të Shëndetit Mendor, të cilat janë shërbime ambulatore të specializuara të shëndetit mendor, që ofrojnë shërbime multidisiplinare me psikiatër, infermier, psikolog, punonjës social, terapist okupacional. Janë ngritur 13 shtëpi mbështetëse, që kanë për qëllim sigurimin e kujdesit rezidencial për personat me çrregullime të shëndetit mendor kronik në një mjedis të ngjashëm me familjen ku qëllimi kryesor është kujdesi dhe rehabilitimin e këtyre personave. Dy nga ish spitalet psikiatrike (Shërbimet e Shëndetit Mendor të Specializuar në Shkodër dhe Shërbimi Psikiatrik në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës) aktualisht funksionojnë si shërbime spitalore akute (banorët kronikë të këtyre spitaleve janë transferuar në shtëpitë e mbështetura ose në komunitet/familje). Ndërkohë, është bërë shumë punë për të zvogëluar numrin e shtretërve të pacientëve kronikë në dy spitale psikiatrike (Spitali Psikiatrik i Elbasanit dhe Spitali Psikiatrik i Vlorës) dhe integrimin e reparteve psikiatrike akute pranë spitaleve rajonale, me qëllim lehtësimin e aksesit në shërbimet spitalore të pacientëve me probleme të shëndetit mendor. Janë kryer investime në Psikiatrinë Infantile në Tiranë dhe shërbimeve në Qendrën Kombëtare të Mirërritjes së Fëmijëve, po gjatë këtij viti, do të përfundojnë punimet për ngritjen e një Qendre Komunitare të Shëndetit Mendor dhe një Shtëpie të Mbështetur në Kavajë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rrëfimi nga kampi i Tepelenës: Na përdorën si kavie sprovash për të parë se sa qëndronte organizmi njerëzor

Ish-banor i kampit të dëbimit të Tepelenës dhe kampit të burgut të...
Read More