Studio dhe puno/ Studentët e UET: Karriera profesionale nis që në universitet

“E vështirë dhe e bukur. Si ia dalim të ekuilibrojmë jetën mes auditorit dhe zyrës”- Historitë e studentëve të Masterit në UET që gjatë studimeve janë të angazhuar dhe në punë

 Nga Eva Drita

Çdo student i nis studimet e tij me ëndrrën që pas diplomimit të futet në tregun e punës dhe të punojë fort për të ndërtuar karrierën e tij. Megjithatë ka dhe nga ato raste kur një student i bën të dyja, studion dhe punon, pavarësisht vështirësive që mund të hasë.

Universiteti Europian i Tiranës ka mjaft studentë të cilët përveçse studiojnë, edhe punojnë në institucione të ndryshme, duke qenë kështu një hap para me karrierën e tyre dhe duke fituar sa më shumë eksperiencë që do t’i ndihmojë ata në ardhmen. Tregu i punës në Shqipëri ka treguar se i përqafon gjithmonë të rinjtë, sidomos studentët pasi ata janë më kreativë dhe kanë ide shumë origjinale të cilat mund të përkthehen në suksese për institucionet e ndryshme, në të cilat ata punojnë. Ata që priren të punojnë gjatë kohës së studimeve janë kryesisht studentët e masterit, pasi janë më të përgatitur për t’u përballur me tregun e punës dhe kanë bazat e duhura për të fituar një vend pune.

Koha për të studiuar dhe për të punuar është një nga vështirësitë më të mëdha që has një student, pasi frika se mund të mos i arrijë që të dyja i bën pak skeptikë nëse duhet të punojnë apo jo.

“Mapo Universitet” sjell historinë e dy studentëve në master, të cilët kanë vetëm 3 muaj që kanë filluar punë dhe arrijnë që të menaxhojnë kohën e tyre për të shkëlqyer në punë, por pa lënë pas dore studimet e tyre. Ata janë një shembull konkret se çfarë sakrificash kalon një student në stade të ndryshme të jetës së tij.

Adolf Carungu dhe Eriselda Kola janë dy studentë masteri në UET, të cilët duket se e kanë kuptuar se sa shumë ia vlen sakrifica për t’i arritur të dyja, punën dhe shkollën.

Adolf Carungu: Vështirësitë e kalimit nga auditori te terreni i punës

Adolf Carungu është student masteri në UET, në degën Ekonomi-Financë. Fillimet e tij në UET janë të hershme pasi ai ka kryer dhe studimet bachelor aty në degën Financë-Bankë. Prej 3 muajsh Adolfi është pjesë e Ministrisë së Financës, dhe punon aty si Përgjegjës Shërbimi në një prej projekteve të ministrisë. Ishte pikërisht aplikimi në një prej projekteve të ministrisë që e bëri atë fitues dhe arriti të fitonte jo vetëm eksperiencë, por edhe një vend pune të vazhdueshëm.

“Punën e sigurova falë aplikimit në një projekt, tek i cili u pranova edhe si rrjedhojë e rezultateve të mira dhe përgatitjes së duhur në UET gjatë këtyre viteve, u punësova më tej”, tregon ai.

Ashtu si për çdo student kalimi nga auditori në zyrat e punës është paska i vështirë në fillim, po nëse universiteti e përgatit siç duhet studentin, atëherë ai arrin t’ia dali mbanë në çdo situatë. I pyetur për këtë gjë, si e përjetoi ai kalimin e tij nga auditori në punë Adolfi pranon se kishte disa vështirësi por ka arritur ta menaxhojë dhe të përshtatet sa më shpejt në punë. “Kalimi im nga auditori në terrenin e punës kishte vështirësitë e tij, por duhet ta pranoj se dhe për këtë pjesë isha pak i përgatitur në universitet falë trajnimeve që më janë ofruar. Isha i informuar se terreni i punës herë-herë ishte paksa ndryshe me atë çka jemi përgatitur në shkollë, por mësova t’i bëj ballë falë përgatitjeve të mëparshme në Bachelor”, shprehet Adolfi.

Edhe studimet e kanë ndihmuar shumë atë që të përshtatet me punën që bën, pasi ai kishte baza teorike shumë të forta, të cilat i ka përftuar nga universiteti. “Njohuritë që sigurova gjatë këtyre viteve në universitet realisht më ndihmuan në punën time pasi nga aspekti teorik isha i mirinformuar se si mund të realizoja punën që kërkohej nga Ministria”, rrëfen ai.

Menaxhimi i kohës mes studimeve dhe punës dukej i vështirë në fillim dhe pikëpyetjet në kokën e tij ishin të pafundme, por arriti të gjente rrugën e mesme që t’i kishte të dyja. “UET ofron mundësinë e zhvillimit të mësimit në Master pasditeve. Pra, kjo më la hapësirë që të mund të punoja gjatë ditës nëse do të kisha mundësi. Mundësia ime erdhi dhe unë nuk e humba atë rast. Punoj çdo ditë nga e hëna në të premte me orarin 8:00-16:30 dhe menjëherë më duhet të ndjek studimet në Master më vonë. Gjithçka më nevojitet është energjia dhe kjo gjë nuk më ka munguar asnjëherë”, përfundon Adolfi.

Eriselda Kola: Ku e gjej motivimin për të përballuar punën dhe studimet

Eriselda Kola ndjek studimet Master në UET në degën Ekonomi-Financë, si dhe studimet bachelor i ka përfunduar po këtu për Financë-Bankë. Tashmë ajo ka filluar punë dhe duket se të gjitha sakrificat e saj gjatë studimeve po i shpërblehen.

Ajo punon në institucionin e Drejtorisë Rajonale Tatimore, si asistente në sektorin e marrëveshjeve dhe duket mjaft e kënaqur me pozicionin e saj të ri të punës. E pyetur se si e gjeti punës e saj Eriselda, tregon se e gjeti falë një projekti. “Për gjetjen e punës aplikova në një projekt dhe u bëra pjesë e tij, falë aftësive të përfituara nga studimet e mia gjatë ciklit bachelor”, tregon ajo.

Gjatë studimeve njohuritë teorike të një studenti duhet të jenë shumë të forta në mënyrë që të përshtatet sa më shpejt me tregun e punës. Këtë gjë e ka kuptuar dhe Eriselda, e cila tregon se disa lëndë të zhvilluara në universitet asaj i kanë hyrë shumë në punë, pasi ato kishin rol të rëndësishëm në institucionin ku ajo punon.

Kalimi nga auditori te zyrat e punës ishte paska i vështirë për të në fillim, por si çdo gjë tjetër ajo arriti të përshtatej me këtë stad të ri të jetës së saj. “Kalimi nga auditori në zyrat e punës ka qenë i vështirë në fillim, pasi kishe të bëje me njerëz të rinj, përgjegjësi të cilat nuk i kishe pasur më parë dhe orare të përcaktuara kohore që duhet të qëndrojmë në zyrë”, rrëfen Eriselda.

Koha për të studiuar dhe punuar duket si sfida më e madhe që duhet të kalojë Eriselda, pasi me angazhimet e reja ajo ka paska vështirësi për të studiuar aq sa do të donte. “UET na ka ofruar mundësinë më të mirë për ne, në mënyrë të tillë që të vazhdojmë studimet dhe të punojmë. Zhvillimi i orëve të mësimit gjatë pasditeve, na ka dhënë një ndihmë të madhe neve si studentë. Unë punoj 8:00 me 16:30 dhe më pas arrij të kap orët e mësimit që zhvillohen në orën 17:00”, shprehet Eriselda. Megjithatë “pengu” i saj është sezoni i provimeve, gjatë të cilit tregon se nuk mund të mësojë aq shumë sa dëshiron për të arritur rezultate mjaft të larta. “Një vështirësi që unë kam është menaxhimi i kohës gjatë periudhës së sezonit, pasi koha e pasdites nuk mjafton për të studiuar shumë për të arritur rezultatet që dëshiroj, jo vetëm unë por çdo student që punon e ka këtë vështirësi”, tregon Eriselda. Ajo shton më tej se energjia dhe pozitiviteti që ka brezi i ri, e motivon për të ecur përpara dhe për të përballuar si studimet ashtu edhe punën.

Krijimi i ekuilibrit të punës dhe jetës për studentët

Si të keni një jetë të shëndetshme dhe të ekuilibruar gjatë kohës që jeni në universitet

Krijimi i ekuilibrimit mes punës dhe jetës mund të jetë sfidues për shumë njerëz, por për studentët, mungesa e ekuilibrit mund të sjellë disa pasoja të vogla nëse nuk ka një ekuacion të saktë mes jetesës së shëndetshme fizike dhe mendore. Ekuilibrimi mes kurseve të shumta, studimeve, punës dhe jetës studentore në një mjedis të ri dhe të ndryshëm është një ndryshim i jashtëzakonshëm për studentët që mund të vijnë nga një botë ku të gjitha nevojat e tyre bazike ishin të mbuluara nga persona të tjerë.

Krijimi i ekuilibrimit në kohët e stresit

Krijimi i një ekuilibri mes punës dhe jetës është edhe më i rëndësishëm gjatë kohëve të stresit. Studentët kalojnë në periudha stresi kur ata kanë provime por edhe duhet të gjejnë kohë për të përfunduar aktivitetet e tjera që kanë. Dr. Michele Vancour, profesor i Shëndetit Publik, në Universitetin Shtetëror të Southern Connecticut, shkroi një artikull interesant me titull “Këshilla për një jetë më të balancuar të kolegjit”. Artikulli diskuton shumë mënyra se si nxënësit mund të bëjnë më të balancuar jetën e tyre, ndërsa gjithashtu plotësojnë kërkesat e përditshme me të cilat ata përballen gjatë ndjekjes së studimeve.

Menaxhimi i kohës

Menaxhimi i kohës është veçanërisht i rëndësishëm për studentët pasi ata nuk dinë të thonë jo dhe përfshihen në çdo aktivitet të mundshëm. Koha për aktivitete shoqërore dhe kalimi i kohës me miqtë është shumë e rëndësishme, por ndjenja e presionit që duhet të merrni pjesë në çdo aktivitet shoqëror në kampus plus duke u bërë pjesë e një ose më shumë sporteve, klubeve dhe aktiviteteve vullnetare të ofruara mund të krijojë te ju ndjesinë e humbjes së energjisë. Çelësi është gjetja e llojeve të veprimtarive që ju bëjnë të ndiheni mirë dhe ju ndihmon të mbushni baterinë tuaj në mënyrë që të përballeni me angazhimet dhe përgjegjësitë tuaja me energji të ripërtëritura dhe një ndjenjë të ripërtërirë të qëllimit.

Këshilla për krijimin e ekuilibrit të punës dhe jetës

Disa mënyra të thjeshta dhe të lira me të cilat studentët mund të rinovojnë energjinë e tyre mund të përfshijnë: leximin e një libri të mirë, takimi me miqtë, filma, aktivitet fizik etj. Gjetja e mënyrave për të shpëtuar nga stresi i përditshëm do t’ju ndihmojë të funksiononi më produktivisht një herë kur të ktheheni në punën tuaj. Edhe pse gjetja e këtij ekuilibri mund të jetë sfidues, efekti pozitiv që do të ketë në shëndetin dhe mirëqenien tuaj të përgjithshme do të jetë më shumë se sa ia vlen përpjekja.

Një nga burimet më të mira që përfshin këshilla shëndetësore fizike dhe mendore për studentët është “101 Health & Wellness Tips for Students College”. Ky burim ka informacione të shkëlqyera dhe këshilla për ta bërë kohën në universitet më të këndshme dhe shumë më të ekuilibruar.