Sugjerimi për MAPO LETRARE: 10+1 libra që duhet t’i lexoni sipas Mirela Kumbaros

Kur kaloj tash para shtëpisë ku jemi njohtë bashkë, nuk e di sakt, nëse jam apo s’jam i përmalluem. Mundem me të sigurue se në jetën teme nuk ia kam urue kurrkujt të keqen e as tash nuk ia due kujt, por me m’thanë kush se po e han dreqi tanë botën s’e kisha ça kryet aspak, aq të padrejtë e ndiej plagën që vdekja jote ka çilë tek un. Shtëpia natën asht e errët dhe e heshtun, a thue se mbrenda saj enden të vdekunit. I dërrmuem nga pamja e vrazhdë e tërhjeku fëmijën për dore si për ngushllim, më duhet me thanë diçka, i tregoj se mbas atyne dritareve të pandriçueme kam njohtë nanën e tij. Fëmija çon kryet, sheh me sytë e bukur shtëpinë dhe s’më gjegjet, vetëm era fryn ma e fortë në kthesë m’a freskon ngushëlluese ballin e ban që të shfaqet tek un vegimi i zymtë se vdekja e vjeshtës ecë me kambë të shpejta…”. Këto janë vetëm disa nga rreshtat që inxhinjieri Gjovalin Gjadri ia shkroi të shoqes në parajsë. Historia e një mungese që arrin të shëndrrohet në letërsi, për tu kthyer në një histori të secilit prej nesh, ardhur në librin “Letër gruas seme të vdekur”, është një nga librat që Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro e sugjeron tek lista e librave që do ishte mirë të lexoheshin në jetë për MapoLetrare. E njohur për lidhjen e saj me librin si shqipëruese e autorëve të rëndësishëm nga letërsia franceze, Kumbaro vjen më poshtë me një përzgjedhje librash që “do të donte ti shfletonte sërish”, për të ndjerë atë dehjen e ëmbël që shpërndahet lehtë prej tyre.

“Që në fillim të biem dakord që nuk janë tituj që unë ia sugjeroj dikujt, se nuk ndjehem rehat në këtë cilësi. Le të themi që janë 10 tituj që do i kërkoja vetes t’i shfletoja sërish, jo se janë domosdoshmërisht 10 librat më të mirë të të gjitha kohëve, por sepse secili më kujton një emocion, një mendim, një trishtim ose një gjendje që mund ta kem përjetuar falë leximit. Përmes kësaj përzgjedhje nuk shpreh opinione mbi botën, por ndalem në disa momente të kohës time kushtuar leximit të lirë, ndonëse me shumë kursim”, thotë ajo. 

1.“Kujtimet e një europiani” – Jusuf Vrioni

Një nga ata librat që të shoqërojnë gjithë jetën, pasi i ke takuar një herë si shokët e mirë që t’i sjell po kjo jetë rrugës. E kam shumë personale këtë përzgjedhje, ndoshta sepse ishte një përkthyes natyrshëm i madh, ndoshta sepse ishte një mendje frankofone tepër e emancipuar për kohën ku jetoi, ndoshta sepse ishte një djalosh i përjetshëm edhe kur kapërceu të 90-at. Kujtimet e tij vlejnë të lexohen edhe si një copë Shqipërie për të cilën pak flitet qetësisht. Një fisnik si Vrioni e bën këtë përmes kujtimeve dhe përjetimeve të veta.

  1. “Të bëhesh vetevetja” , Jacques Attali

Nuk është letërsi. Ky libër propozon një ese, renditur në reflektime të një filozofi, politikani, publicisti, europianisti i cili nxit për të marrë veten në dorë dhe për të kryer revolucionin vetjak. Attali niset nga Franca, por Franca nuk është përjashtim i rregullit, problemet tona janë tashmë globale, ose më së paku europiane.

3.“Bambi” – Felix Salten.

E kujtova pak ditë më parë në datën e përkujtimit të ndarjes nga jeta të Eqrem Çabejt të madh, i cili përpos ç’i njohim, ka krijuar edhe përkthimin e mrekullueshëm të përrallave të Bambit me të cilat u rrita vetë e rrita fëmijët e mi. Mjeshtëria me të cilën Eqrem Çabej e sjell në shqip i bën të thjeshta për të vegjlit e të thella për ata që vërtet janë rritur. Gjykoni vetë”
“…
– Ç’është kjo, – deshi të dinte Bambi, – “gjethet që nga vjet”?
– Eja, ulu këtu tek unë, – i tha e ëma, – se po ta tregoj. – Bambi u përqall fort tek e ëma dhe ajo i tregoi që drurët nuk mbeten të blertë përhera, dhe që dielli dhe e ëmbla vapë vjen një ditë që zhduken. Atëherë moti ftohet, fletët verdhen, bëhen të murrme e të kuqe, dhe bien dalëngadalë përdhe, e kështu drurët e shkurret shtrijnë degët e thata për nga qielli. Po gjethet e vyshkura shtrohen përmbi truall dhe, kur i prek ndonjë këmbë, shushuritin: atëherë dikush vjen! Oh, sa të mira që janë gjethet e thata të vitit të kaluar! Të lajmërojnë për çdo rrezik që përpara.
Bambi iu përqall s’ëmës edhe më fort. E kur e ëma heshti, ai ndenji e mendoi rrezikun për të cilin ajo fliste përhera. Po të menduarit e lodhi, dhe kështu e zuri gjumi.
Kur erdhi mbrëmja dhe doli me t’ëmën prapë në livadh, mendoi me vete: – Tani i kam parë e i kam dëgjuar të gjitha. – Mirëpo puna tregoi që ai nga bota nuk dinte aq sa kujtonte.”

4.“Harry Potter”, J.K Rowling

Pse të mos i rikthehemi – “Harry Potter” të J. K. Rowling– I jam mirënjohëse për fuqinë dhe ngacmimin e jashtëzakonshëm që i dha fantazisë së fëmijëve të mi të cilët që bashkë me mua i përpimë të gjitha volumet, aq sa më dukej sikur s’kisha dy, por tre fëmijë bashkë me Harry Potter-in. Duke iu drejtuar brezit tim, nuk mund të mos buzëqesh me kujtesën se fantazia kësaj radhe është më bukur e çmendur se ajo e Çipolinos, e Pinokut apo e Gozhdës.

  1. “Me syrin e një klouni” – Heinrich Böll

Nuk di nëse e sjell këtë titull për vetë romanin, autorin e librit apo më shumë për përkthyesin e tij Ardian Klosi, i cili u identifikua me personazhin, por edhe tregoi historinë e vogël të censurës përmes ripërkthimit të librit pas rënies së diktaturës, duke rigjetur serish veteveten deri në moskthim. Është një përkthim që duhet rilexuar.

6.“Leter grues seme të vdekun” , Gjovalin Gjadri.

E futa në listë, ndoshta sepse secili nga ne ka orën e vete të trishtimit, qoftë edhe të tragjizmit, të cilin e shpreh më mirë përmes një gjuhe që s’është e nënës. Kjo duhet të jetë arsyeja pse Gjadri 40 vjeçar e shkruan në gjermanisht dhimbjen e tij për të dashurën e shtrenjtë që e la shumë herët. Përkufizimin e këtij libri, përkthyer bukur në shkodranishte nga Ardian Ndreca, s’e them dot më mirë se Ismail Kadare: “Vetmitë e shkaktuara prej vdekjes janë të njohura në art, por këtu është fjala për vetminë tragjike të një bashkëshorti. Është kjo ndoshta, një nga arsyet pse ky libër, pavarësisht nga botimet e munguara të tij, qëndron në kujtesën e disa brezave të lexuesit shqiptar, si një himn i rrallë për gruan.”

  1. “Dopio Gjashta” – Darien Levani

Brezi i ri i shkrimtarëve që jetojnë jashtë kufijve, që ia del të jetë një shqiptar i mirë, një jurist i zoti, një qytetar europian, që duket pa komplekse nga ato që shkruan, Por dhe një autor dygjuhësh, që nuk sforcohet por thjesht shprehet artistikisht duke e mbajtur zjarr vështrimin mbi Shqipërinë e sotme. Në gjininë e librit policesk, ky libër nuk tërheq vetëm me aksionin por, edhe provokon reflektimin mbi bashkëfajësinë në të këqiat e shoqërisë së sotme shqiptare. Krijimtaria e Darien Levanit jep shpresë për letërsinë e së ardhmes.

8.“Një zemër kaq e bardhë” – Javier Maria

Ka qenë nga romanet e fundit që kisha lexuar para se të vendosja të bëja këtë punë që bëj sot. Atëherë s’ishte përkthyer ende në shqip, u josha ta bëja, po s’arrita. Jeta e përkthyesit dhe ajo e njeriut hyjnë në garë në këtë roman, çka s’më ishte e panjohur. Jeta dhe vdekja në fakt. Kjo histori më rikthehet sot në një superpërkthim të Bashkim Shehut. Kjo më kënaq pa masë dhe më heq pishmanin që s’arrita ta përkthej vetë.

9.“Esat Pashë Toptani, njeriu, lufta, pushteti” – Ilir Ikonomi

Eshtë një libër që shuan jo pak kureshtje për një personazh aq shumë të debatuar të historisë shqiptare, por po aq edhe grish për ta menduar ndryshe historinë dhe të shtyn drejt disa shpjegimeve mbi pse-të e politikës së sotme shqiptare. Ilir Ikonomi ndjek edhe këtu modelin e vet të  historiografisë, kinse modest por shumë i vyer, pa paragjykime e përtej stereotipeve, siç ia kemi lexuar në librat e tjerë për figura qendrore të mendimit e veprimit shqiptar. Gazetari në stil ndihmon hulumtuesin në metodologji, duke ia lënë mikrofonin dokumentit që e nxjerr nga fundi i dheut. Pas librave për Faik Konicën, Ismail Qemalin me këtë libër Ilir Ikonomi rreshtohet në historiografët që uroj fort t’i shtohen Shqipërisë për të edukuar mendje të hapura e qëndrime të shëndetshme.

10.Shkrimtari militant, Arundhati Roy

Lashë për në fund një titull që në dijen time ende s’ka ardhur në shqip, por që do t’ia vlente të përkthehej. “L’écrivain –militant” (Shkrimtari militant) nga një shkrimtare indiane Arundhati Roy, një nga autorët e rëndësishëm të kohës sonë. Ky libër përmbledh disa ese dhe artikuj shkruar në vitet 2000, ku fituesja e Çmimit Booker Prize 2017, me një stil pasionant e të fortë mban qëndrim mbi çështjet e mëdha që, sipas saj, do të vizatojnë fytyrën e shekullit XXI që vetëm sa ka filluar: rreziqet e një konflikti bërthamor, degradimin e mjedisit, rrezikun e një globalizimi të pakontrolluar, politikat e mëdha ndaj terrorizmit ndërkombëtar.., por dhe rolin e intelektualit në shoqëri. Po për këtë ndoshta do të flas një herë tjetër, mbase kur ta përkthej vetë në shqip, nëse dikush tjetër s’do ta ketë bërë ndërkohë.

11.Princi i vogël, Antoine de Saint Exupery

M’u kërkuan 10 tituj, po nuk i rezistoj dot tundimit për ta prishur rregullin dhe për të shtuar një titull më shumë duke mos thënë asgjë të re, e duke kujtuar sërish librin tim të të gjitha kohërave: “Princi i vogël” – Antoine de Saint Exupéry. Nuk po bëj koment por po sjell veç një fragment të vogël: “Nëse do të ndërtosh një anije, mos i mblidh burrat e gratë për t’u dhënë urdhra, për t’u treguar si ndërtohet..Nëse do të ndërtosh një anije, bëj të lindë në zemrat e tyre dashuria për detin. Ata do ta ndërtojnë vetë anijen”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Lironi djemtë tanë, arrestoni qeveritarët!”

Me kërkesë të Policisë së Kukësit, e cila parashikonte trazira nëse gjyqi...
Read More