Suzana Numani, nga mësimdhënia në menaxhimin e arsimit privat

suzana-numani2Që nga roli i mësueses me shoqet kur ishte e vogël deri te sipërmarrja e një shkolle private të suksesshme. Njihuni me ish-studenten e UET-it që fitoi Çmimin e Karrierës 2016 nga UET- Alumni

Nga Blerina Gjoka

Lojërat, të cilat kemi më të dashurat kur jemi fëmijë mund të jenë përcaktuese të jetës sonë si të rritur. Tani kur ka mbi shpatulla 18 vite punë si menaxhere në arsimin privat dhe para saj disa vite pune si mësuese e gjuhë-letërsisë, Suzana Numani Rama, e kujton këtë gjë si për të bindur veten se ka ndërmarrë hapat e duhur në jetën e saj.

“Në fakt mësuesinë e kam pasur gjithmonë pasion, që kur shkoja pas babait, i cili ishte mësues i histori-gjeografisë, që kur luaja me shoqet e vogël dhe bëja sikur isha mësuesja”, thotë Zana.

Ajo sapo ka përjetuar një emocion të madh dhe vazhdon të jetë akoma e përlotur pasi u shpall fituese e Çmimit të Karrierës së UET-Alumni për vitin 2016, një traditë tashmë e shoqatës së ish-studentëve të Universitetit Europian të Tiranës, të cilët çdo vit nominojnë 10 prej tyre dhe votojnë për ish-studentin më të suksesshëm.

“Gjithë këto vite në karrierë janë më të thjeshta se sa ky çmim karriere”, tha ajo pas marrjes së çmimit.

“Mes meje dhe UET-it ka shumë pika takimi; jo vetëm sepse kam studiuar këtu, por dhe sepse jemi në të njëjtin sektor, në menaxhimin e arsimit privat, një sektor që ka nisur me shumë vështirësi dhe skepticizëm, por që tani ka nisur të vlerësohet”, shtoi Suzana.

Ajo ka qenë ndër studentet e para të Shkollës Master në UET që në vitin 2009 dhe ka studiuar për Sociologji Politike,  profili Politika, Shoqëria dhe Demokratizimi, por kontaktet me universitetin i ka ruajtur edhe si menaxhere në arsim, me shoqatën Alumni dhe me anë të nxënësve të shkollës “Numani”, që kanë vijuar studimet në UET.

Pasioni i mësueses që e drejtoi te menaxhimi

Suzana ka mbaruar universitetin për gjuhë-letërsi në vitin 1996 dhe ka punuar mësuese e gjuhë-letërsisë në Fier për 3 vite para se t’i lindte ideja për të hapur një shkollë private, që idetë dhe filozofinë që ajo kishte për arsimin, ta ndërtonte në projektin e saj.

Me shtysën e babait dhe me mbështetjen e familjes ajo e mori këtë iniciativë në një kohë kur sektori privat i arsimit ishte akoma në hapat e parë dhe rrethohej me skepticizëm, si çdo gjë e re, si çdo gjë private, për shkak të kulturës së afërt që vendi kishte me kohën e komunizmit, ku ekonomia ishte e centralizuar.

“Ishte shumë e dyshimtë dhe skeptike në fillim. E kisha me shumë pasion, por më dukej e vështirë. Më dukej e vështirë sepse duhet të bëja shumë gjëra ndryshe nga shteti me qëllim që njerëzit t’i sillnin fëmijët e tyre tek ti, të të besonin ty dhe të shikonin diferencën mes shkollës private dhe asaj shtetërore. Pra duhej të siguroja infrastrukturën, stafin shumë të mirë, të punoja me pasion dhe përkushtim”.

Ajo beson se sot e ka fituar sfidën. Para 17 vitesh e ka nisur me ambiente me qira dhe sot ka arritur një investim në godina të mëdha, që rrethohen me ambiente sportive dhe gjelbërim në një hapësirë rreth 4 mijë metra katrorë.

“Ky sukses vjen falë besimit të prindërve që kanë parë ndryshimin dhe suksesin e fëmijëve të tyre në shkollimin e tyre tek Numani”, thotë Suzana.

Pa pasur asnjë përvojë në menaxhim të një biznesi, ajo thotë se fillimisht i besoi intuitës dhe përvojës që kishte në arsim.

“Familja ime mbas  viteve ‘90 morën një dyqan dhe merreshin me një lloj tregtie por gjithsesi në fillim ishte gjithçka intuitive. Kam ecur në këtë mënyre, pastaj sigurisht që e plotësova karrierën time dhe me edukim. Bëra një kurs 2-vjeçar në menaxhim, pastaj nisa masterin në UET. Më vlejti shumë eksperienca në UET pasi aty pashë pedagogë shumë të mirë, gjë që e lidha dhe me punën time. Fillova të bëja dhe paralelizmin, se si funksionon një universitet, më vlejti shumë mënyra e organizimit, e  zgjedhjes së pedagogëve shumë të mirë etj”.

Të formosh qytetarin e ardhshëm të vendit

Ka pasur raste që Suzana Numani ka ndjekur ecurinë dhe rritjen e një fëmije që nga mosha 3 vjeç, në kopsht, deri në maturë, në moshën 18 vjeç dhe për të kjo është nga ato kënaqësitë e rralla.

Sot nxënësit që kanë mbaruar gjimnazin te Numani, ku ajo ka dhe vajzën e saj në maturë, kanë shkëlqyer në karrierë, kanë vijuar studimet jashtë Shqipërisë ose kanë hapur bizneset e tyre private.  Po cila është filozofia e saj e arsimit?

“Ne punojmë që të përgatisim njerëz të aftë, jo vetëm shkencërisht, por në radhë të parë njerëz me vlera. Besoj se në atë oqean të madh, ne numërojmë 1 mijë nxënës, kam ndikuar mbase pak, por them se kam ndikuar pozitivisht”, thotë ajo.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Dritëhijet e Tiranës

Që prej kohëve të fëmijërisë nëpër mëhallat tipike tiranase. Të adoleshencës së...
Read More