Ta bëjmë gazetarinë edhe një herë të madhe

 
 

Në debatin mbi të ardhmen e gazetarisë, “lajmet e rreme” janë vënë në qendër të vëmendjes, me artikuj ku spikat një president amerikan që vetëm shfryn, “bot”-et ruse të komunikimit dhe tradhti e dredhi që konkurrojnë për vëmendje publike. Por, në një epokë të rënies së fitimeve dhe tkurrjes së audiencës, a janë vërtet lajmet e rreme, rreziku më i madh që i kanoset medias tradicionale?

Pa besim, nuk ka audiencë dhe pa audiencë, nuk ka biznes

Në një mjedis lajmesh, gjithmonë të prirur për sensacion, mund të jetë e vështirë të ndash faktet nga përmbajtja qëllimisht e fabrikuar apo shtrembëruar, dhe që përhapet në mediat sociale. Përhapja e “bot”-eve – programe kompjuterike që përhapin disinformim në mënyrë automatike – i ka bërë edhe më të paqarta këto vija ndarëse. Dhe teksa metodat e manipulimit shumëfishohen, problemi me gjasë vetëm do të përkeqësohet.

E megjithatë, fokusimi pothuaj konstant te lajmet e rreme, ka shpërqendruar shumëkënd në industri, duke ua larguar vëmendjen nga sfidat serioze me të cilat përballet gazetaria profesionale. Gërryerja e modeleve të biznesit dhe rritja e varësisë prej shpërndarësve digjitalë si Facebook dhe Google, ua ka lidhur duart organizatave të mediave dhe ua ka reduktuar shumë fitimet. Më keq, audiencat nuk e besojnë më informacionin që u jepet. Kjo gjë sugjeron se problemi është më i madh se lajmet e rreme.

Në fakt, organizata të mëdha tradicionale mediatike, janë ende shumë përpara mediave sociale, si burime të besueshme. “Raporti i Lajmeve Digjitale” i hartuar nga Instituti i Reuters për Studime të Gazetarisë, zbuloi se 40 për qind e konsumatorëve të lajmeve thonë që organizatat e mëdha të mediave – “The New York Times”, për shembull – arrijnë të dallojnë me saktësi faktet nga sajesat. Për mediat sociale, kjo përqindje është vetëm 24.

Por, nga ana tjetër, kjo nënkupton që 60 % e konsumatorëve të lajmeve mendojnë se mediat tradicionale janë të shkujdesura me faktet. Thjesht kjo statistikë duhet të jetë shkak për t’u shqetësuar fort, për të gjithë në këtë industri.

Sipas raportit – i cili vëzhgoi 70 mijë përdorues të internetit në 36 vende – 29% e atyre që u përgjigjën thanë se i shmangnin fare lajmet. Për shumë prej tyre, kjo ndodhte ose për shkak se preferenca e prodhuesve të lajmeve, për përmbajtje negative ua përkeqësonte gjendjen shpirtërore, ose për shkak se i shihnin lajmet si politikisht të anshme dhe si pasojë, të pabesueshme.

Pa besim, nuk ka audiencë; dhe pa audiencë, nuk ka biznes. Nëse rezultatet e studimit janë tregues të një tendence më të gjerë, atëherë një prej kolonave më të rëndësishme të demokracisë në botë – një media e lirë dhe e hapur – është në rrezik.

Ndoshta kjo nuk duhet të na habisë. Në epokën digjitale, mangësitë e besimit kanë prekur shumicën e institucioneve të mëdha, që nga partitë politike dhe kompanitë, deri tek organizatat fetare dhe universitetet.

Ky mund të jetë rezultat i qytetarëve më të informuar dhe kritikë; ose, me më shumë gjasë, mund të jetë reagim ndaj të ndjerit të “përmbytur” dhe të pafuqishëm, në një botë komplekse.

Por ajo që ka ndryshuar për mediat e mëdha është se, falë mediave sociale, ato nuk kanë më monopolin për të detyruar të pushtetshmit të japin llogari. Përkundrazi, ato tashmë identifikohen me të pushtetshmit – pjesë e elitës media-biznes-politikë, e divorcuar nga shqetësimet e njerëzve të zakonshëm. Pasi është shndërruar në shënjestër të zemërimit popullor, gazetaria do të duhet që “të shkëputet”, për të rifituar besueshmërinë dhe rikthyer besimin e audiencës.

Për këtë qëllim, organizatat e medias duhet të ndërmarrin të paktën gjashtë hapa. Si fillim, mediat e mëdha duhet të vendosin agjendat e tyre, në vend që të çojnë dëm burimet, duke ndjekur agjendat e tjetërkujt. Hetimet ndërkombëtare të Panama Papers dhe Paradise Papers janë shembuj brilantë të gazetarisë, që është relevante dhe interesante – dy kritere themelore që duhet të ketë raportimi i gazetarit.

Së dyti, gazetarët kanë një përgjegjësi ndaj audiencave të tyre, që të analizojnë atë që aktorët e pushtetshëm bëjnë, në vend që të analizojnë ato që ata thonë. Margaret Sullivan e “The Washington Post”, vëren me të drejtë se mbulimi mediatik i presidentit Trump është fokusuar në fjalët e tij, dhe jo në politikat e tij.

Së treti, mediat duhet të bëhen dëgjuese më të mira. Dallimi gazetaresk mes “raportimit” dhe “raportimit nga terreni” nxjerr në pah realitetin që, një pjesë e mirë e stafit të redaksive, nuk largohen kurrë nga tryezat e tyre. Gazetarët nuk e bëjnë domosdoshmërisht se duan këtë; shumë janë të ngjitur pas ekraneve, sepse kompanive u mungojnë burimet, apo sepse kompanitë mediatike i detyrojnë të ndjekin dhe raportojnë bazuar në postime në Twitter. Në një farë kuptimi, sjellja e gazetarëve është thjeshtë simptomë e një patologjie editoriale.

Së katërti, organizatat e medias duhet të angazhojnë audiencat – t’u flasin direkt, jo nga lart poshtë. Shumë shpesh, cikli i lajmeve shtyhet përpara prej supozimit mbi atë që shikuesi apo lexuesi mund të dojë, dhe jo asaj që do vërtetë. Diversiteti në redaksi është jetik për të zgjeruar rëndësinë e asaj që raportohet.

Së pesti, në nxitimin për të eksperimentuar me forma të reja të raportimit, disa kompani mediatike po harrojnë misionin e tyre. Gazeta e revista duhet të heqin dorë nga projekte të kushtueshëm e plot bujë, nëse këta bëjnë shumë pak për të çuar përpara kuptimin e audiencës për një lajm.

Së fundi, rindërtimi i besimit do të kërkojë një definicion të ri për vetë lajmin. Kur audiencat ndjehen të përmbytura prej informacionit dhe kompleksitetit, reagimi mund të jetë që të shkëputen fare. Media duhet t’u japë njerëzve një arsye për t’u rikthyer. (Një shembull: lajmet pozitive janë shumë të nënvlerësuar në mjedisin e sotëm mediatik).

Nëse mediat tradicionale lejojnë që të përcaktohen prej debatit mbi lajmet e rreme, edhe ato vetë do të jenë të përmbytura. Sa kohë që kompanitë e mediave sociale optimizohen për të rritur të ardhurat nga reklamat, algoritmet e tyre do të kenë prirjen të shpërblejnë ekstremet dhe organizatat mediatike do të harxhojnë burime të vlefshme duke luftuar disinformimin.

Një qasje më e mirë do të ishte të bëheshin lajmet më pak të mërzitshme. Kompanitë mediatike me reputacion gjithmonë janë përpjekur të kapitalizojnë mbi faktet: scoop-i, intervista ekskluzive, investigimi. E vërteta, ashtu si besimi është një mall. E ardhmja e industrisë varet nga ajo, se sa e mirë do të bëhet për ta prodhuar atë./Project Syndicate; përkthimi: bota.al

Shkruar Nga
More from Redaksia

Blendi Lami: Serbia, “e përkëdhelura” e Bashkimit Europian

  Bashkimi Europian ka ndërmarrë një hap më “serioz” për integrimin e...
Read More