Ta modernizojmë Himarën pa nacionalizma dhe pa ksenofobi

Nga Ervis Iljazaj

Plani i zhvillimit urban në qytetin e Himarës, që parashikon prishjen e disa shtëpive për të zgjatuar edhe më tej shëtitoren, është kthyer në një çështje të marrëdhënieve diplomatike midis Greqisë dhe Shqipërisë.

Është absurde të mendosh se si një plan urbanistik i thjeshtë me qëllim modernizimin e qytetit të Himarës, si një nga vendet më të vizituara nga turistët vendës dhe të huaj, kthehet në një debat kaq të nxehtë, duke marrë vëmendjen e gjithë opinionit publik.

Nuk do të ndodhte kështu, nëse pjesë të caktuara të politikës dhe shoqërisë atje, që e përdorin këtë të fundit për interesat e tyre, nuk do ta kishin kthyer ndërtimin e një shëtitoreje, në një çështje diplomatike, të të drejtave të njeriut apo gjithfarë lloj principesh ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të minoritarëve.

Se sa minoritar është qyteti i Himarës ky është një diskutim i gjatë, por edhe në qoftë kështu, ky plan urbanistik nuk ka lidhje as me të drejtat e minoritarëve dhe aq më tepër të vërë në diskutim marrëdhëniet midis dy shteteve fqinje.

Modernizmi urban i Himarës është një domosdoshmëri për ta kthyer atë potencial të padiskutueshëm turistik në një nga vendet më të vizituara të Shqipërisë në të mirë të himarjotëve, shqiptarëve dhe minoritarëve. Në të kundërt, do të vazhdojmë të ngelemi peng i debateve boshe, me nacionalizma apo ksenofobira të pakuptimta, që ndikojnë negativisht në zhvillimin e Himarës dhe zonës në përgjithësi.

Është absurde se si një plan zhvillimi i zakonshëm për një qytet turistik kthehet në betejë politike nga pjesë të caktuara të saj, pa marrë parasysh se ku të çon ky debat. Por këto pjesë të politikës nuk kanë rrugë tjetër të mbijetesës së tyre përveçse të nxisin urrejtje apo konflikt midis komuniteteve të ndryshme. Kështu që, sa herë që Himara përmendet, futet në lojë politika miope dhe e gënjeshtërt e tyre.

Ndërkohë që, ky plan urbanistik duhet të kishte zhvilluar një debat normal midis qeverisë dhe komunitet himarjot, për të dëgjuar, kuptuar dhe gjetur gjuhën e përbashkët në të mirë të të gjitha palëve.

Andaj, çdo plan që parashikon modernizimin e Himarës, nuk duhet bërë duke patur parasysh etni, komunitete apo gjuhë të ndryshme, por vetëm me një qëllim. Qëllimin për të kthyer Himarën në një vend turistik modern, pa u ndikuar nga debate idiote me etni, minoritete apo çfarëdolloj nuancash të rrezikshme politike dhe komunitare.

Duket qartë, që konflikte të tilla nxiten nga ata që përfitojnë nga ato, dhe jo nga qytetarët e Himarës.

Është e pamundur të mendosh, që qeveria shqiptare kërkon të prishë disa shtëpi për të ndërtuar një shëtitore vetëm se ato janë të minoritarëve grekë dhe jo të shqiptarëve.

Së pari, sepse të quash himarjotët minoritarë është një guxim i madh, dhe së dyti, sepse urbanizimi i qyteteve nuk merr parasysh as origjinën dhe as etninë, por vetëm qëllimin e tij, atë të zhvillimit.

Prandaj, të gjitha debatet me nuanca etnike, janë debate që nuk ndihmojnë aspak zhvillimin e asaj zone. Mirëpo politikës nuk i intereson fare kjo pjesë. Për të e rëndësishme është të ngrihet një zhurmë mediatike për të përfituar politikisht. Një zhurmë e cila, mundësisht të arrijë deri në shtetin fqinj grek. Në këtë mënyrë vazhdon muzika e përhershme që jemi mësuar të dëgjojmë në këto raste, me nacionalizma, me hije të së shkuarës, duke e lënë atë zonë të prapambetur me të gjithë potencialin që ka ajo.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Lamtumirë Hajrie Rondos: Pasionit të heshtur të gruas

Dje, në Himarë është përcjellë për në banesën e fundit aktorja Hajrie...
Read More