Ta pranojmë misionin shqiptar të Donald Lu deri në fund

Nga Ervis Iljazaj

Sa herë që ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës bën deklarata të forta si ato të djeshmet, shkakton një furtunë mediatike dhe ka një ndikim të madh në opinionin publik. Kjo ndodh për shkak se besueshmëria e shqiptarëve ndaj ndërkombëtarëve, dhe sidomos ndaj Amerikës, vazhdon ende të jetë e nivelit të lartë, për mos të thënë që ndërkombëtarët janë të vetmit ku shqiptarët kanë besim.

Sepse shqetësime të tilla, siç ishin ato që u ngritën nga Donald Lu, ngrihen çdo ditë nga opozita apo nga organizma të tjera. Por, asnjëherë nuk shkaktojnë një tërmet të tillë mediatik, për faktin se në këto 27 vite tranzicion politika shqiptare, këto çështje i ka përdorur si betejë politike. Në këtë kuptim, janë të pabesueshëm në sytë e qytetarëve shqiptarë.

Prandaj, përtej çdo debati mbi rolin e ambasadorëve amerikanë këtu në politikën tonë, Shqipëria është me fat që ka një aleat si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një aleat i cili, qartësisht promovon vlerat e demokracisë dhe lirisë.

Në këtë kuptim, nuk ka rëndësi nëse ndërhyrjet e tij janë më tepër seç duhet në një vend Sovran siç është Shqipëria. E rëndësishme është në lojën gjeopolitike që po luhet në rajon dhe përtej, politika shqiptare të rreshtohet qartësisht pro politikës amerikane dhe ta pranojë misionin e saj deri në fund.

Sepse, ambasadorët amerikanë në Shqipëri, herë janë anatemuar dhe herë janë përshëndetur nga politika shqiptare në vartësi të situatës politike.

Para disa muajsh për opozitën, kur Donald Lu ishte kundër qeverisë teknike dhe bojkotimit të zgjedhjeve nga ana e saj, u etiketua si guvernator i Shqipërisë dhe si një person që bën interesat e tij personale me politikën e jashtme amerikane.

Sot, Donald Lu, duartrokitet nga të gjithë ata që para disa muajsh ishin kritikë me të, vetëm për faktin se deklaratat e tij të fundit ishin një lloj kritike për qeverinë aktuale.

Tani është rasti që misioni i Donald Lu në Shqipëri të pranohet deri në fund, pasi është në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Deklaratat e Donald Lu, ishin në të njëjtin kohë kritikë, dhe një mbështetje për qeverinë shqiptare në luftën kundër krimit.

Ka dy kushte të panegociueshme që ambasada amerikane ka në marrëdhëniet me politikën dhe qeverinë shqiptare.

E para është Reforma në Drejtësi dhe e dyta, shkëputjet e politikës me krimin. Kështu që, deklaratat e tij ishin lajmërim për qeverinë në të dyja këto misione kaq thelbësore për Shqipërinë dhe që mbështeten fuqishëm nga politika amerikane.

Reforma në Drejtësi, që është një investim tërësisht amerikan, është duke kaluar një lloj ngadalësimi për sa i përket zbatimit të saj. Shumë nene të ligjeve të kësaj reforme janë duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese me kërkesë të trupës e gjykatësve. Dhe, më siguri këto tentativa për të ndalur reformën nuk janë pritur aspak mirë nga ambasada amerikane.

Në këtë kuptim, çdo palë politike që do tentojë të bllokojë këto dy misione të Donald Lu, Reformën në Drejtësi dhe shkëputjen e politikës nga krimi, do të vërë seriozisht në rrezik marrëdhëniet e politikës shqiptare me të.

Qeveria shqiptare duhet t’i marrë deklaratat e fundit të ambasadorit, si një paralajmërim, por mbi të gjitha si një nxitje dhe kurajë për të luftuar krimin e organizuar. Nëse e ka vullnetin ta bëjë këtë, do të ketë një aleat të madh në këtë betejë, duke mos ngelur si një entitet i izoluar në luftën ndaj krimit. Nëse jo, atëherë do të ketë një kundërshtar të madh.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gjinia e votës

Nga Dr. Mirela Oktrova Kur KQZ bëri publike rezultatet paraprake të zgjedhjeve...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.