Ta rivitalizojnë ilustrimin shqiptar

Shkolla jonë e arteve, nuk pati një atelie të veçantë për ilustratorët. Ata zgjodhën vetë të ishin të tillë, si një thirrje vetjake dhe vit pas viti, e ndërtuan po vetë ata shkollën e ilustrimit shqiptar. Thuhet, se kur Fjala bën zbaticë, boshllëkun e mbush Shkrimi, por mund të them pa hezitim, se kur Shkrimi bën zbaticë, atë e mbush Ilustrimi. Më poshtë një histori dhe mendim mbi ekspozitën e ilustrimit të librit për fëmijë nga piktori Gazmend Leka, i cili ka ilustruar librin “Tregimet e moçme” të Kutelit, ndër librat më të njohur për fëmijë në shqip

Nga Gazmend Leka

Ekspozita që çelim sot, nuk është një ekspozitë e zakonshme. Ajo është një ekspozitë e jashtëzakonshme, e cila nuk do të tretet kollaj në kujtesën tonë të mbingarkuar nga një mori aktivitetesh artistike. E konsideroj të jashtëzakonshme, pasi më së shumti, është retrospektivë e ilustrimit shqiptar. Është një shëtitje e shkurtër ndër vite. E shkurtër por e vyer. Shfaqet para nesh, si e para e këtij lloji, që nga viti i formimit të shtetit shqiptar. Ka pamjen e ditës së parë të zgjimit nga një letargji e gjatë dhe ne, këtu, jemi me fat si dëshmitarë, për të dëshmuar përmendjen. Zgjohemi, dhe me kërshëri kundrojmë vetëm një teserinë të vockël të një mozaiku gjigant, të një korpusi që është plazmuar vit pas viti me talentin dhe dashurinë e pafundme të krijuesve të këtij zhanri, aq të vlerësuar nga lexuesi i madh e i vogël. U pagëzuan me emrin Ilustratorë, sikur të ishin një racë e veçantë, racë e cila me keqardhje mund të them, se sot ka filluar pak e nga pak të tretet e të zhduket. Është një racë që luajti rolin e shkesit. Pajtoi lexuesin me shkrimtarin. Shkrimtari dhe Ilustratori, krijuan një simbiozë dhe bashkëjetuan me njëri- tjetrin. Vërtet, që Fjala është multivalente dhe e lirë si zog , sikurse e përshkruan Viktor Hugo te “Katedralja e Parisit ” e nuk duron dot të burgoset në kafazin e ilustrimit, sado i artë të jetë ai, por kjo racë e talentuar e lë derën e kafazit të hapur, pasi ka një mision. Ta pasurojë Fjalën edhe me një valencë tjetër. Në botën joshqiptare, Shvejku i Hashekut cicëroi në kafazin e artë të Josef Ladas, Gargantua e Pantagruel i Rabelaise, në kafazin e artë të Gustav Doresë, Pinokun e Kolodit, fillimisht na e dhuroi Carlo Chiostri, Çipolino erdhi pranë nesh nga Vladimir Suteev, e kështu me radhë. Shkolla jonë e arteve, nuk pati një atelie të veçantë për ilustratorët. Ata zgjodhën vetë të ishin të tillë, si një thirrje vetjake dhe vit pas viti, e ndërtuan po vetë ata shkollën e ilustrimit shqiptar.

Thuhet, se kur Fjala bën zbaticë, boshllëkun e mbush Shkrimi, por mund të them pa hezitim, se kur Shkrimi bën zbaticë, atë e mbush Ilustrimi. Ashtu sikurse ujërat tërhiqen, e lenë në breg si dëshmi, guaska me shumë forma e shumë ngjyra, leshterikë e deri te mbeturinat e anijeve të mbytura, po ashtu dhe kur Gjuha tërhiqet, lë në bregun e memories sonë, Shkrimin dhe Ilustrimin shumëformësh e shumëngjyrësh. Të dyja ato, rrëfejnë historinë e asaj ngjarje që pat ndodhur, aty ku lexuesi nuk kishte si të ishte. Ilustratorët shqiptarë histori të tilla kanë rrëfyer.

Kontakti i parë me një libër ishte kopertina, më pas ilustrimi e në vazhdim shkrimi, të cilin e këndonim në një qoshe të rehatshme shtëpie apo biblioteke. Sapo e merrnim në dorë, i bënim një shfletim të shpejtë, por sytë na mbeteshin tek ilustrimi dhe aty ngjizej dashuria e parë për ngjarjen e treguar. Ndoshta me pa të drejtë, librat pa ilustrime, na dukeshin si një shkretëtirë e madhe, ku nuk dallonim asnjë oazë, që të ndalonim për t’u freskuar sadopak. Çdokush e krijonte ilustrimin vetë, si një mirazh dhe në thelb, çdokush me fantazinë e vet, tentonte të bënte pjesë në racën e ilustratorëve. Ilustrimet ilustre, ilustrimet e shkëlqyera, kurrë nuk qenë shërbëtorë të fjalës, por rrëfimtarë alternative. Krijonin një tjetër lloj ungjilli. Krijonin një ungjill imazhi, që në thelb qe i pavarur, por paralel me ungjillin e shkruar.

Lexuesit, e shumë nga ne këtu, shpesh librin e kanë të memorizuar më së shumti nga ilustrimi. Fjala ndoshta u është tretur, por ilustrimin e ruajnë në kujtesë. Ndoshta nuk i mbajmë mend mirë fabulat e Ezopit, por ruajmë ende në mendje vizatimet e Zef Bumçit, heronjtë e “Tregimeve të Moçme Shqiptare” i kemi fillimisht dhuratë nga Agim Faja, fatosat e vegjël nga Safo Marko e Dolli Gjinali, ilustrimet e para te abetares nga Abdyrahim Buza e Qamil Guranjaku, zotin Maksut nga Bujar Kapexhiu, e kështu, shumë ilustrime e kopertina të pafundme nga Llazar Taçi, Bujar Zajmi e Zef Shoshi. Ato çka na ofronin, nuk ishin thjeshtë ilustrime, por për ne të vegjlit e asaj kohe, ishte Bibla e personazheve dhe bëmat e tyre.

Ishin gurët e themelit, që ne ilustratorët i dimë ku janë vendosur edhe pse ka kaluar një kohë shumë e gjatë. Ata fillimisht ngjizën dhe e mpiksën fantazinë tonë. Ata na morën për dore e na futën në një botë magjike. Më pas, erdhën shumë të tjerë si Besim Tula, Alida Frashëri, Gezim Tafa, Anastas Kostandini, Ilir Pojani, Tonin Vuksani, Artur Muharremi, Ardian Kapo etj., që riformatuan edhe një herë fantazinë e brezit në vazhdim. Ishte si një stafetë, ku nuk dukej fundi i maratonës. Shkrimtari dhe Ilustratori bashkëjetonin si në një Martesë të Shenjtë.

Janë të pafund imazhet e ilustratorëve shqiptarë, që ndërtuan realitetin tjetër alternativ në shpirtin e lexuesit dhe për këtë, lexuesi u besonte, pasi ata, mblidhnin instinktivisht gjithë nektarin e një fantazie kolektive për ta kthyer në mjaltë. Ndodh që lexuesi i zakonshëm të jetë dembel, por ilustratori e zgjon dhe kjo nuk është pak, pasi e josh dhe e fton të hyjë nga një derë sekrete, që vetëm ai e di. Shpesh, kur edhe pse të rritur, tek rimarrim librat që kemi shfletuar në fëmijëri, ilustrimet na shfaqen plot magji sikurse lodrat e para, sikurse A-ja, germa e parë e abetares, sikurse ylli që merrnim në fletore pas një bukurshkrimi, pse jo edhe si aroma e dashur dhe e lehtë e mësueses së klasës së parë. Janë gjurmë që nuk do t’i harrojmë kurrë deri ditën e fundit.

Prandaj, nëse këto që thashë më sipër, ju i gjeni të vërteta…

…së pari, të urojmë që kjo ekspozitë, të nxisë fort të gjitha shtëpitë botuese, që ta rivitalizojnë ilustrimin shqiptar, pasi janë ato dhe vetëm ato, që mund ta përmbushin këtë detyrë, jo vetëm thjeshtë ndaj lexuesit shqiptar, por edhe ndaj një gjinie magjike në artet e bukura, për ti bërë një shërbim të çmuar kombit shqiptar.

…së dyti, me prurjen e pafundme të ilustrimit shqiptar, ndoshta si gjinia më e pasur në artet e bukura, besoj se ka ardhur dita, që studiuesit e artit, të kthejnë vështrimin tek ajo, për ta studiuar e për pasoje, për ta pasuruar memorien kombëtare, sikurse është tentuar me studimet rreth pikturës, skulpturës, posterave apo karikaturës, në të kundërt, do biem përsëri në letargji.

Sot, tani, ne që jemi në këtë sallë, dëshmojmë për çastin e parë të përmendjes nga koma.

 

Ymeri: Sjellim vizionin për ilustruesit e rinj

Shtëpia Botuese Dituria zgjodhi datën 2 prill, Ditën Ndërkombëtare të librit për fëmijë, për të hapur ekspozitën e ilustrimit të librit për fëmijë. Në përurimin e ekspozitës, që do të qëndrojë e hapur për një javë, morën pjesë botues, piktorë, studentë, nxënës të shkollave artistike e mjaft specialistë të shkollës. Ekspozita që ka tërhequr vizitorë të shumtë vjen në kuadër të projektit “Lexuesit e së ardhmes”, e cila do qëndrojë e hapur deri më 8 prill.

“Pjesë e projektit evropian të bashkëpunimit kulturor, “Lexuesit e së ardhmes”, kjo është një ekspozitë e veçantë, një kontribut për pasurimin e vizionit për ilustruesit e rinj, që mund të afrohen me botuesit për të ilustruar botimet e tyre. Seminare me temë grafikën e librit, prezantime të autorëve të veçantë, laboratorë të vizatimit të atypëratyshëm do të organizohen në këtë ekspozitë me ngjyra të bukura. Imazhi, ilustrimi e gjallërojnë dhe e afrojnë fëmijën me leximin”, u shpreh z. Petrit Ymeri, drejtor i shtëpisë Botuese Dituria.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gerta qau pak

Nga Edison Ypi Gerta qau pak. Gerta duhej të qante më shumë....
Read More