Tahiri dhe shoferi i tij, 11 hyrje-dalje me makinën e Sotës

Gjykata e Krimeve të Rënda i ndalon ish-ministrit të Brendshëm daljen jashtë vendit dhe urdhëron bllokimin e pasaportës së tij. Prokuroria zbulon provat që lidhin Tahirin me Orest Sotën, ndërsa dyshon se shuma prej 864 mijë eurosh vjen nga veprimtaria kriminale e ish-ministrit të Brendshëm. Avokati i Tahirit: Masa e sigurimit nuk i shërben aspak hetimit. Prokuroria jep prova që lidhin ish-ministrin me Habilajt dhe Orest Sotën.

Një muaj e gjysmë pas kërkesës për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkon gjykatës të ndalojë lëvizjet jashtë vendit për Saimir Tahirin.

Gjykata pranoi dje këtë kërkesë të prokurorisë, duke vendosur që Tahiri, i cili është nën hetim për trafik drogë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, të mos lëvizë jashtë Shqipërisë.

Për këtë arsye ish-ministrit do t’i bllokohet pasaporta dhe karta e identitetit, ndërsa brenda pesë ditësh do të thirret në gjykatë për t’u njohur me këtë masë sigurimi.

Kërkesa e prokurorisë vjen pak ditë pasi Tahiri bëri një udhëtim dyditor në Gjermani, pa njoftuar më parë arsyet e kësaj vizite.

Jo zyrtarisht u tha se qëllimi i udhëtimit kishte të bënte me çështje familjare, por nga informacionet e prokurorisë rezulton se ky udhëtim kishte tërësisht qëllime të tjera.

Akuza po verifikon takimet që ish-ministri Tahiri ka patur në Hamburg, ndërsa provat që ju dërguan gjykatës e bindën këtë të fundit t’i ndalojë lëvizjet jashtë Shqipërisë ish-ministrit.

Avokati i Tahirit, Maks Haxhia, e quan vendimin të pabazuar dhe masë që nuk i shërben hetimit.

“Ajo masë nuk ka asnjë fakt, asnjë efekt dhe nuk i shërben aspak hetimit”, -tha Maks Haxhia.

Ai konfirmoi praninë e ish-ministrit në gjykatë brenda 5 ditëve për t’u njohur me masën e sigurisë “ndalimi i daljes jashtë vendit”.

Ndërsa në kërkesën që prokuroria i dërgoi gjykatës renditi një sërë argumentesh që sipas saj provojnë lidhjen e Saimir Tahirit me Habilajt dhe biznesmenin Orest Sota, në automjetin e të cilit u gjetën 864 mijë euro dhe dy patenta për mjete lundruese në emër të Tahirit.

Sipas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, rezulton se Saimir Tahiri dhe shoferi i tij kanë të paktën 11 hyrje-dalje me automjetet në pronësi të Orest Sotës, babait të tij dhe shoqërisë që ai ka në pronësi.

“Ne dyshojmë që paratë e gjetura në automjet lidhen me aktivitete të paligjshme të shtetasit nën hetim Saimir Tahiri. Alibia e ngritur nga shtetasi Orest Sota është një mënyrë për të mbuluar natyrën e vërtetë të origjinës së këtyre parave. Një fakt që dëshmon se këto para nuk janë tërhequr nga sistemi bankar është konstatimi i pesë kartëmonedhave 50 euroshe tërësisht të falsifikuara”, -tha Prokuroria.

Akuza dyshon se këto para janë hequr në nxitim e sipër për t’u fshehur në vende të tjera.

“Midis shtetasit në hetim Saimir Tahiri, ish–shoferit të tij Gentian Çeka dhe shtetasit Orest Sota dhe familjarëve të tij ka patur njohje, ky fakt provohet nga disa udhëtime të përbashkëta të tyre jashtë vendit”, thotë prokuroria.

Sipas të dhënave të sistemit Tims rezulton se me datë 24.02.2017, ora 08:05, shtetasi Orest Sota ka dalë nga Shqipëria nëpërmjet PKK Murriqan, me automjetin me targë MB 279 AA , e cila rezulton në inventarin e mjeteve të Ministrisë së Brendshme. Me këtë mjet ka disa hyrje-dalje shtetasi Gentian Çeka, shoferi i shtetasit Saimir Tahiri.

Më datë 07.07.2017, ora 22:14, shtetasi Saimir Tahiri ka dalë nga Shqipëria nëpërmjet PKK Murriqan, me automjetin me targë AA 973 RX, që rezulton e regjistruar në emrin e shtetasit Ardit Sota, vëllait të Orest Sotës. Është kthyer me datë 09.07.2017, ora 15:39, nga e njëjta pikë kalimi dhe me automjetin me targë AA101DJ, që rezulton e regjistruar në emrin e shoqërisë “IKONA” me pronar Lefter Sota, babai i Orestit.

Më datë 02.08.2016, ora 22:14, shtetasi Saimir Tahiri ka dalë nga Porti Durrës, me automjetin AA516NU (i regjistruar në emrin e shtetasit Endri Hasa nga Elbasani dhe s’ka lidhje me familjen Sota) dhe nga linja “Bari-Rigel-Duni”. Është kthyer me datë 07.08.2016, ora 13:19, nga e njëjta pikë dhe e njëjta linjë, por nuk ka të regjistruar mjetin me të cilin është kthyer.

Më datë 02.08.2016, ora 22:14, shtetasi Orest Sota ka dalë nga Porti Durrës, me linjën “Bari-Rigel-Duni”(nuk ka të dhëna për mjetin apo mënyrën e lëvizjes së tij). Është kthyer më datë 07.08.2016, ora 13:22, nga e njëjta pikë dhe e njëjta linjë.

Me automjetin AA101DJ kanë hyrje-dalje shtetasit Orest Sota dhe Gentian Çeka. Ndërsa për të provuar lidhjen e shtetasit Saimir Tahiri me vëllezërit Habilaj sipas prokurorisë është dhe fakti i përdorimit të autoveturës me targa AA 003 GB. Rezulton që kjo autoveturë referuar kontratës së shitjes së mjetit në datë 05.11.2013 është shitur nga shtetasi Saimir Tahiri te shtetasi Artan Habilaj.

Edhe pas kontratës së shitjes së mjetit, ai është përdorur nga shtetasi Saimir Tahiri në disa raste, kjo referuar të dhënave të sistemit TIMS. Rezulton se shtetasi Saimir Tahiri, ka dalë nga Republika e Shqipërisë më datë 08.08.2014 nga Pika e Kalimit Kufitar Porti Sarandë, pa mjet dhe ka hyrë në Republikën e Shqipërisë më datë 16.08.2014 nga Pika e Kalimit Kufitar Qafë Bota, Sarandë, me mjetin AA 003 GB.

Mjeti me targa AA 003 GB, (me të cilin shtetasi Saimir Tahiri ka hyrë në Shqipëri më datë 16.08.2014) është futur në shtetin grek nga ana e shtetasit Artan Habilaj, më datë 14.08.2014, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Bota, Sarandë. Ky i fundit është kthyer me datë 16.08.2014, duke hyrë në Republikën e Shqipërisë, nga Pika e Kalimit Kufitar Porti, Sarandë, pa mjet.

Po ashtu, rezulton se më datë 09.08.2014, shtetasi Artan Habilaj, ka hyrë në shtetin grek nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë dhe është kthyer në Shqipëri një ditë më vonë, më datë 10.08.2014, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar “Qafë Bota”, Sarandë. Gjithashtu, ka dalë nga Republika e Shqipërisë më datë 29.08.2014 nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë Korçë, me mjetin AA 003 GB dhe ka hyrë në Republikën e Shqipërisë më datë 30.08.2014 nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë Korçë, me mjetin AA 003 GB.

“Gjithashtu, automjeti me targë AA 003 GB, dokumentacioni i të cilit ishte në emër të shtetasit Saimir Tahiri është përdorur dhe pesë herë për hyrje dhe dalje nga Republika e Shqipërisë nga shtetasi Moisi Habilaj”, thotë prokuroria.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Artriti: Sëmundja reumatizmale, si hetohet, pse s’duhet neglizhuar

Ndryshe nga barnat anti-inflamatore, të cilat vetëm reduktojnë simptomat, barnat biologjike janë...
Read More