Tahiri flet me median pasi del nga Prokuroria: Falenderimi për hetuesit që…


Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka vendosur t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Prokurorit të Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj.

Tahiri ka përfunduar dëshminë në Prokurorinë për Krimet e Rënda rreth orës 16:30 minuta, plot dy orë e 30 minuta.

Ai tha se kishte shkuar të dëshmonte me vullnetin e tij të plotë, ndërsa ashtu siç hyri edhe në dalje shoqërohej nga dy avokatët e tij, Artan Hajdari dhe Maksim Haxhia.
 
Ndryshe nga agresiviteti që tregoi në Këshillin e Mandateve, Tahiri foli pozitivisht për hetuesit, dy orë e gjysëm pasi kishte qëndruar në prokurori. Prononcimin e tij në dalje të prokurorisë e nisi me një falenderim.
 
“Falenderoj prokurorët që morën arasysh kërkesën time për një hetim të gjithanshëm, objektiv dhe të paanshëm për t’i shkuar të vërtetës deri në fund dhe dua të shpreh disponibilitetin tim për t’iu përgjigjur akuzave të prokurorisë”.

Me nisjen e hetimeve, Tahiri kërkoi mbylljen e debatit politik, në përpjekje për të lënë jashtë kolegët e tij të Partisë Socialiste.

“Nuk kam ndërmend ta bëj betejën time për drejtësi para jush apo ta kthej akoma më keq në një histori debati politk. Debati politik duhet të mbyllet. Beteja ime është para drejtësisë”.

Për gazetarët Tahiri nuk dha asnjë detaj nga seanca e marrjes në pyetje, duke lënë të kuptohet se nuk ka ndryshuar qëndrim për shumë nga çështjet që ka folur deri tani.

“Po ju kërkoj që atë që bëra me prokurorët brenda të mos e bëj edhe këtu, se është punë e dyfishtë. Jam i hapur për çdo hetim dhe jam i gatshëm t’i shkoj deri në fund të drejtës time”.

Tahiri është nën akuzë për trafik narkotikësh, korrupsion pasiv dhe për pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal. Ai i shpëtoi arrestimit pas mbrojtjes që i bëri partia socialiste në parlament.

Kujtojmë se ish-ministrit i ka mbërritur sot në banesë ftesa e cila mban firmën e prokurorit Besim Hajdarmataj dhe kërkohet në Prokurori për të dëshmuar.

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e ish- ministrit Saimir Tahiri si i përfshirë me bandën e Habilajve, anëtarët e të cilëve janë arrestuar në Itali për trafik droge dhe armësh, por Kuvendi me votat e mazhorancës rrëzoi kërkesën e Prokurorisë.

Një ditë më parë, 4 oficerë të policisë gjyqësore kontrolluan banesën e ish-ministrit për disa orë me radhë. Kujtojmë se ditën e parë pas publikimit të përgjimeve të grupit “Habilaj”, Tahiri kërkoi një takim me kryeprokurorin Adriatik Llalla por që nuk u realizua kurrë.

Tahiri ka deklaruar më parë se nuk ka asnjë ore kohë për të humbur duke i kërkuar prokurorisë së Krimeve të Rënda të përshpejtojë procesin për zbardhjen e së vërtetës.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Azem Hajdari ‘rikthehet’ në Tropojë!

Bashkia e Bajram Currit, inauguroi shtatoren e ’Heroit të Demokracisë’ Azem Hajdari....
Read More