Tahiri, Shullazi, Martinaj: Amerikanët rikthejnë deklaratat e forta


Ambasada Amerikane në Tiranë rikthen edhe një herë në vëmendje të publikut dhe drejtësisë çështjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Ambasada: “Presim që sundimi i ligjit të zbatohet gjatë hetimit në vazhdim për Saimir Tahirin”. Sfidon ish-ministri: Nuk besoj se Ambasada Amerikane është kthyer në Prokurori apo Gjykatë.

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tundte plot triumf vendimin e Gjykatës së Katanias në Itali që pushonte hetimet ndaj tij, si pjesë e grupit Habilaj, por kjo nuk e ka penguar Ambasadën Amerikane në Tiranë që ditën e djeshme të publikojë një deklaratë të fortë. Ambasada kërkoi që gjykata dhe prokuroria të vijojnë në hetimet dhe gjykimet e thelluara ndaj Elvis Martinajt dhe Saimir Tahirit. “Gjykata e Krimeve të Rënda të Shqipërisë dënoi Emiljano Shullazin dhe grupin e tij, por presim përparim të vazhdueshëm në rrugën e Shqipërisë drejt sundimit të fortë të ligjit. Dje, Gjykata e Apelit të Tiranës dëgjoi argumentet e prokurorëve lidhur me masën e sigurisë për Ervis Martinaj. Ne presim hetimin e plotë të tij, ashtu siç presim që sundimi i ligjit të zbatohet gjatë hetimit në vazhdim për Saimir Tahirin. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj së ardhmes së Shqipërisë”- thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-së. Mesazhi mbetet i qartë në lidhje me ish-ministrin e Brendshëm, duke i kërkuar strukturave të drejtësisë që të zbatohet ligji për të. Pak orë më vonë mbajti qëndrim edhe ish-ministri Tahiri, që kritikon qëndrimin e ambasadës së SHBA-së, që nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës. “Siç nuk duhet të ndodhte në një vend normal, për fat të keq ka ndodhur që Ambasada Amerikane ka folur për hetimin ndaj meje më shumë se ç’kam folur unë vetë”, shkruajti Tahiri, i cili më pas ka sulmuar analistin Andi Bushati, po në të njëjtin postim. Jo rastësisht emri i Tahirit ndodhet krah Shullazit dhe Martinajt, dy personazhe që sipas drejtësisë vijnë nga bota e dhunshme e krimit, ndërsa ish-ministri i akuzuar zyrtarisht për trafik ndërkombëtar të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe si i dyshuar për lidhje me vëllezërit Habilaj që u arrestuan në Itali si të dyshuar për trafikimin e 3.5 tonë kanabis.

Mesazhi që mund të shkojë për Ramën

Pak ditë më parë, ndërsa gjykata e Krimeve të Rënda dha vendimin për Emiljano Shullazin dhe katër anëtarët e tjerë të grupit të drejtuar prej tij erdhi mbështetja nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Përveçse përshëndeste vendimin u shpreh: “Kush e ka radhën pas tij”? Nuk ka zgjatur shumë dhe “radhën” sipas Ambasadës duket se do e kenë dy personazhet e përveçëm Elvis Martinaj, i hetuar e dyshuar për disa vepra penale si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, por edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Vetë i akuzuari Tahi është kursyer në daljet publike, madje mbajti qëndrim për çështjen vetëm një vit pasi ai ishte në proces hetimi. Kjo nuk mund të thuhet për kryeministrin Edi Rama që pa u tharë ende boja e fjalimit të Tahirit iu hakërrye gazetarëve, duke u kërkuar që t’i kërkonin falje për “lumen” që ishte hedhur drejt tij. “Jeni ju që duhet t’i kërkoni falje Tahirit që kërkuat arrestimin mbi llafet e dy kriminelëve. Tani prokuroria italiane, nga më jakobinët në Europë dhe që bëri hetimet më të thella dhe që gjykata italiane i dha Saimir Tahirit pafajësinë e plotë për atë llum kazani”-deklaroi Rama. Me qëndrimet e kreut të qeverisë dhe me vendimin e Gjykatës së Katanias që mbyllte hetimet ndaj Tahirit në Itali ngjau se përfundimisht ish-ministri e fitoi betejën me drejtësinë, por reagimi i djeshëm i Ambasadës Amerikane në Tiranë “rizgjon” edhe një herë çështjen dhe u kërkohet strukturave të drejtësisë që ta vendosin përballë ligjit ish-kreun e Ministrisë së Brendshme. Lidhur me dosjen për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ishte shprehur kohë më parë se po paguhen para për të mbyllur çështjen në gjykatë. “Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin”, shprehej Donald Lu pak kohë para se të largohej pas përfundimit të mandatit si ambasador. Doli ajo që Lu “i trembej”, pasi Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda e çliroi Tahirin nga çdo masë sigurie, pavarësisht se Gjykata e Shkallës së Parë kishte vendosur për të “arrest shtëpie”. Aktualisht Prokuroria për Krimet e Rënda i shtyu me tre muaj të tjerë hetimet ndaj ish-ministrit të Brendshëm. Në janar të vitit të ardhshëm dosja pritet që të kalojë në gjykatë dhe të nisë procesi i shqyrtimit. Me qëndrimin e ambasadës duket se po bëhet “presion pozitiv” që çështja të shihet me prioritet dhe drejtësia të mos ndikohet nga ish-ministri.

Tahiri i kthehet ambasadës…

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri mbajti qëndrim ndaj deklaratës së ambasadës së SHBA-së në Tiranë, duke e konsideruar një lloj ndërhyrje që nuk ndodh në asnjë vend normal. “Siç nuk duhet të ndodhte në një vend normal, për fat të keq ka ndodhur që Ambasada Amerikane ka folur për hetimin ndaj meje më shumë se ç’kam folur unë vete. Ndodhi sërish edhe sot”-komenton Tahiri. Ai gjithashtu duke iu drejtuar analistit Bushati e sulmon duke bërë koment mbi komentin e Bushatit. “Në qoftë se në çdo vend normal një ambasadë do bënte një paralajmërim me emra do ishte jo normale. Ambasada amerikane me sa duket po ndihet 50% fajtore sepse është autorja protektorja e Reformës në Drejtësi. Një reformë që po ngjall zhgënjim te shqiptarët. Rasti i Saimir Tahirit është një nga margaritarët e kurorës së këtij zhgënjimi”, deklaroi Bushati. Kundërpërgjigjja e Tahirit ishte edhe më e ashpër ndërsa shkruan se: “Reformës në drejtësi në Itali e ka fjalën ky??? Atje ku u hetova jo politikisht por profesionalisht dhe përfundimi ishte se nuk kam asnjë lidhje me gjithë llumin që e ka mbushur opinionin publik soji këtyre këtu. Se ç’lidhje ka reforma në drejtësi këtu te ne me hetimet nga Prokuroria Antimafia e Italisë prej nga ku mora drejtesinë që më takonte, këtë nuk e gjen dot as ky analisti në kulm të ligësisë së vet”-shtoi Tahiri. Por mesazhin domethënës të vërtetë e kishte për ambasadën amerikane në Tiranë, që lë të kuptohet se po kthehet në “gjykatë” apo “prokurori”… “Unë nuk besoj kurrë se Ambasada Amerikane është kthyer në Prokurori a Gjykatë mu si ky klubi i analistëve palaço që ka me kile në vendin tonë, ndaj e përshëndes prononcimin me besimin se duam e presim të njëjtën gjë; drejtësia të bëjë drejtësi”-përfundoi Tahiri. Përplasja mes Tahirit dhe ish-ambasadorit amerikan Donald Lu ka qenë mjaft e fortë që pas nisjes së hetimeve ndaj tij në tetor të vitit të kaluar. Edhe pse Tahiri drejtoi ministrinë e Brendshme për rreth 4 vite u largua nga posti i lartë pak muaj para zgjedhjeve të vitit 2017. Në atë kohë u përfol se më shumë se një lëvizje e Ramës ishte presioni ndërkombëtar, kjo e kushtëzuar me kanabizimin e vendit në vitin 2016 dhe problematikën që vijoi me forcimin e grupeve kriminale. Arrestimi në Itali i kushërinjve të tij vëllezërve Habilaj shtoi telashet për ish-ministrin pasi në përgjimet që ishin kryer anëtarët e këtij grupi përmendin disa herë emrin e Tahirit.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kryemadhi ironizon ambasadorët: Vijnë dhe ikin duke qarë nga Shqipëria

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi thotë se ambasadorët e huaj e shfrytëzojnë...
Read More