Takimet e “Babales”, prokurorët në Vlorë për pamjet, Basha: Dëshmitarit X i ofruan 200 mijë euro

Oficerët e policisë gjyqësore të Krimeve të Rënda, këqyrën lokalet që përmenden në audio përgjimin, ku dyshohet të jetë i përfshirë Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm. Ata nuk gjetën pamje nga takimet e realizuara gjatë të cilave është kryer audio përgjimi. Të tjera akuza nga kreu i PD, Lulzim Basha: Janë ofruan 200 mijë euro që “Dëshmitari X” të mohojë përgjimin. Strukturat e krimit kërcënuan gazetarin Olldashi.

Dy oficerë të Prokurorisë për Krimet e Rënda, kanë qenë dje në Vlorë për të mbledhur prova që do të mund të faktonin dëshminë e Albert Veliut, sipas të cilit ai është takuar me Agron Xhafajn, me të cilin ka zhvilluar edhe bisedën e publikuar nga PD si një audio përgjim. Nga këqyrja e lokalit ku pretendohet se Veliu ka takuar vëllanë e ministrit të Brendshëm, nuk janë gjetur kamera sigurie që mund ta vërtetonin këtë. Në këtë mënyrë bie një nga mundësitë që do të shërbente për të lidhur deklarimet e Veliut me një provë që do të faktonte takimin e tij me Agron Xhafajn në lokalin e tij. Një takim i tillë nuk u konfirmua as nga gazetari, i cili u pyet për këtë të hënën, në studion e emisionit “Opinion”. As në lokalin tjetër ku pretendohet se Veliu ka qëndruar me gazetarin Olldashi nuk ka patur kamera sigurie. Tashme puna e grupit hetimor është fokusuar tek identifikimi i personave që përmenden në audio përgjime. Prioritet për hetuesit është zbulimi i identitetit të personit me emrin Ermal, i cili në audio përgjimin e realizuar nga Veliu, përmendet si njeriu që do të mundësonte trafikun e kanabisit. Gjithashtu, po punohet edhe për identifikimin e tre personave të tjerë, të cilëve Veliu dhe gazetari kanë kërkuar t’u blejnë kanabis. Nga kompanitë telefonike janë kërkuar tabulatet telefonike të numrit që ka përdorur Albert Veliu, për të parë me cilët ka komunikuar ditën kur është kryer përgjimi.

Materiali origjinal i përgjimit

Organi i akuzës është në kërkim të një laboratori që do të ekspertojë audio përgjimin e dorëzuar nga gazetari Jetmir Olldashi, ku flitet për trafik lëndësh narkotike ku ishte i përfshirë edhe vëllai i ministrit të Brendshëm. Por ekspertët do ta nisin punën fillimisht me përcaktimin nëse është apo jo autentik materiali i dorëzuar, më pas do të vijohet nëse një nga zërat në audio përgjim është i vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, shtetasi Agron Xhafaj. Nëse gazetari Jetmir Olldashi ka vënë apo jo në dispozicion të prokurorisë audio përgjimin origjinal, kjo do të përcaktohet nga ekspertët. Burime nga organi i akuzës kanë bërë me dije se krahas dëshmisë, Olldashi ka dorëzuar në prokurori të gjithë audio përgjimin që ai ka bërë mes tyre edhe mjetet me të cilat ai ka kryer këtë përgjim. Por krahas ekspertimit të zërave nëse vërtet njëri prej tyre i përket Agron Xhafës, vëllait të ministrit të Brendshëm ekspertët do të përcaktojnë edhe nëse materiali i dorëzuar është ai autentik apo është ndonjë material ku janë kryer ndërhyrje dhe montazhe. Nëse vërtetohet se materiali i dorëzuar nuk është ai origjinali kjo mund do të sjellë pasoja juridike edhe për gazetarin investigues, i cili ka deklaruar gjatë intervistave por dhe gjatë marrjes në pyetje në organin e akuzës se materiali është i paprekur, por nuk ka dhënë siguri nëse personi që ka biseduar me dëshmitarin Albert Veliu është apo jo Agron Xhafaj, pasi ai vetë nuk e ka parë dhe madje as nuk e njeh. Burime jozyrtare konfirmuan se ekspertimi i audio përgjimit për të identifikuar nëse zëri në të i përket Agron Xhafajt do të realizohet në një laborator jashtë vendit, pa dhënë detaje për emrin. Prokuroria do të vendosë në dispozicion të laboratorin që do të kryejë akt-ekspertimin edhe regjistrimet audio të zërit që i janë bërë për llogari të hetimit të Albert Veliut dhe Agron Xhafajt. Veliu la kampion krahasues zëri pas dëshmisë së tij ditën e premte te Krimet e Rënda, ndërsa Xhafaj në Prokurorinë e Tiranës, një ditë para se të udhëtonte drejt Italisë ku u vetëdorëzua tek autoritetet e këtij vendi ku kishte një dënim me burg të pakryer.

Basha: U ofruan 200 mijë euro që “Dëshmitari X” të mohojë përgjimin

Kreu i PD-së Lulzim Basha doli dje para mediave për të denoncuar kërcënimet dhe intimidimet ndaj dëshmitarit X të audio përgjimit dhe gazetarit. Basha deklaroi se njerëz të skeduar për vrasje të tipit mafioz nga zona e Vlorës dhe Fushë-Krujës i kanë ofruar një të afërmi të Albert Veliut 200 mijë euro që ai të përgënjeshtrojë deklaratat e bëra publike. Basha ka akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. “Jam këtu për të denoncuar thellimin e skandalit dhe skenarit kriminal të Ramës dhe Xhafajt të cilët po përdorin shtetin e kapur të krimit dhe po kërcënojnë Albert Velun dhe familjen e tij. Njerëz të skeduar për vrasje të tipit mafioz nga zona e Vlorës dhe Fushë-Krujës i kanë ofruar një të afërmi të Albert Veliut 200 mijë euro që ai të përgënjeshtrojë deklaratat e bëra publike. Çdo përpjekje e Fatmir Xhafës dhe Edi Ramës për të kërcënuar, intimiduar dëshmitarin X thellë i zhyt në skandalin ku janë futur kokë e këmbë”, deklaroi Basha. Basha shtoi se “struktura të krimit të organizuar kanë kërcënuar edhe gazetarin Jetmir Olldashi”, në lidhje me audio përgjimin. “Planet për blerjen e dëshmitarit dhe kërcënimet ndaj gazetarit nxjerrin zbuluar frikën e Xhafës dhe Ramës”, theksoi Basha. Kreu demokrat shtoi se “presioni shtetëror me paratë e krimit dhe drogës është prova më e qartë e rënies së shtetit dhe kapjes totale të qeverisë nga organizatat kriminale”. “Kërcënimet dhe presionet janë rritur ethshëm para protestës sonë sepse ata kanë frikë. E vetmja forcë që mund ta ndalë këtë të keqe është bashkimi ynë”, tha Basha.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Krimi i marrëzisë

Vritet me armë zjarri nga Aldison Behluli studentja e Fakultetit të Drejtësisë...
Read More