Takimi me Kim Jong un, Trump: Do të jetë i suksesshëm

Pas disa javësh spekulimesh, Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do të takohet me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un më 12 qershor në Singapor. Ndërsa zyrtarët e administratës shprehën optimizëm përpara takimit historik, ekspertë të tjerë bënë thirrje për kujdes, duke thënë se ky është vetëm hapi i parë në një proces të gjatë dhe kompleks që synon çnuclearizimin e gadishullit Korean.

Vetëm disa orë pasi tre amerikanë të mbajtur në Korenë e Veriut shkelën në tokën amerikane, Presidenti Donald Trump dha lajme të tjera, duke konfirmuar datën dhe vendndodhjen e takimit të muajit të ardhshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut përmes një postimi në Twitter.

I pyetur nga gazetarët rreth takimit historik, presidenti ishte optimist.

“Zoti President, a mendoni se takimi do të jetë i suksesshëm?

“Po, mendoj se do të jetë një sukses i madh”, tha presidenti

Por disa nga kritikët e presidentit ishin më skeptikë.

Në Senat, udhëheqësit demokratë kritikuan lavdërimet e presidentit për udhëheqësin e Koresë së Veriut.

“Është shumë shqetësuese të dëgjosh Donald Trumpin të thotë se Kim Jong Un i ka trajtuar amerikanët shkëlqyeshëm. Kim Jong Un është një diktator, që ka arrestuar arbitrarisht qytetarë amerikanë, iu ka grabitur atyre lirinë, dhe nuk i ka lejuar të shkojnë në shtëpi tek familjet e tyre. Lirimi i tyre nuk duhet të vlerësohej por duhet të pritej! “, tha senatori Chuck Schumer.

Pas bisedimeve të muajit të kaluar mes udhëheqësve të Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut, disa thanë se zgjedhja e Singaporit për takimin e muajit të ardhshëm është logjike.

“Singapori njihet për këto lloj takimesh. Është vendi më i zhvilluar në Azinë Juglindore dhe ka siguri të lartë”, thotë Patrick Cronin, me qendrën New American Security.

Ekspertët thonë se koha e bisedimeve midis Trumpit dhe Kimit reflekton një atmosferë më pozitive për dialog.

“Mendoj se do të jetë e rëndësishme ajo që të dy këta drejtues arrijnë në këtë takim, çfarë lloj procesi diplomatik i strukturuar do të nis pas këtij takimi”, thotë Daryl Kimball me Shoqatën për Kontrollin e Armëve.

Analistë të tjerë thonë se është e rëndësishme të mbahet fokusi tek qëllimi afatgjatë i denuclearizimit.

“Mendoj se menaxhimi i pritshmërive do të jetë shumë i rëndësishëm për këtë takim. Kemi patur takime si ky mes Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut në të shkuarën. Ato nuk kanë rezultuar produktive në aspektin afatgjatë. Pra duhet të menaxhojmë pritshmëritë, të jemi realist reth asaj që mund të arrihet dhe të fillojmë një proces që shpresojmë se do të japë rezultate”, thotë ambasadori David Shear.

Javët e ardhshme do të jenë të ngarkuara pasi zyrtarët në Uashington dhe Phenian do të koordinojnë logjistikën përpara takimit të muajit të ardhshëm.

Shkruar Nga
More from Revista User

Grabitja në Rinas/ Ja si i ndanë lekët anëtarët e bandës pas grabitjes

“Hajde se mbaroi”. Kjo ka qenë telefonata e bërë mes dy të...
Read More