Takimi në UET: Akademikë e sipërmarrës, debat për rënien e euros dhe ndikimin në ekonomi

Ekspertët më të mirë të ekonomisë dhe pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës zhvilluan takim me përfaqësues të biznesit rreth krizës valutore të rënies së euros dhe pasojat në ekonominë e vendit. Shqetësimet e ngritura nga sipërmarrësit dhe shifra e frikshme, ku nga zhvlerësimi i monedhës europiane në vendin tonë janë humbur rreth 400 milionë euro.

Valuta europiane Euro po shkon gjithnjë drejt rënies, ku ditën e djeshme u këmbye me 125. 92 lekë, më e ulëta në dhjetë vitet e fundit. Shkaqet janë të shumta, por përtej shifrës në dukje një statistikë monetare, pasojat janë të mëdha në ekonominë e vendit, duke prekur jo vetëm bizneset, por drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve. Shkaqet e rënies së valutës europiane dhe mënyra sesi do të dalim nga kjo krizë e madhe, pasojat e së cilës pritet të jenë edhe më tragjike në gjashtë muajt e ardhshëm, u bënë dje objekt i diskutimit mes pedagogëve dhe ekspertëve të ekonomisë të Universitetit Europian të Tiranës dhe përfaqësuesve të biznesit, si nismë e projektit 250+, një program bashkëpunimi mes universitetit dhe 250 kompanive më të mëdha në vend. “Kjo luhatje ka marrë përmasat e një krize valutore, sepse kur shfuqizimi i monedhës ndodh me një intensitet me 10% në një periudhë kohe të shkurtër, merr përmasat e një krize valutore. Në një periudhë shumë të gjatë, operatorët e ekonomisë kanë mundësi të përthithin kostot, por kjo ndodh si një proces i natyrshëm. Ato që preken më shumë janë eksportet, prek tamam në zemër modelin ekonomik që qeveria po pretendon”, -tha profesor Selami Xhepa. Shkaqet e rënies së Euros për ekspertët lidhet kryesisht me paranë informale që vjen në rrugë të ndryshme të paligjshme dhe mungesës së ndërhyrjes së institucioneve shtetërore për të stabilizuar situatën. Më shumë se një “kërkesë-ofertë” në tregun valutor, shkaku i rënies së euros sipas ekspertëve lidhet me aktivitetet e paligjshme.

Krahas biznesit që e ndjen çdo ditë këtë fenomen, që përkthehet në humbje të fitimeve, një tjetër kategori që preket më mënyrë të drejtpërdrejtë janë edhe qytetarët. “Nëse 55% për qind e depozitave bankare janë në euro dhe ti ia shfuqizon me 10%, atëherë ata kanë humbje. Me një llogari të thjeshtë, kur depozitat janë 8 miliardë euro gjysma e tyre, 400 miliard euro ti ia ke zhvatur depozituesit të thjeshtë”-deklaroi Xhepa. Për këtë rast të gjithë diskutantët përfaqësues të biznesit dhe profesorë të njohur të Universitetit Europian të Tiranës mendojnë se duhet ndërhyrje e drejtpërdrejtë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë mund të shtojë likuiditetin, që do të thotë të zgjerojë masën monetare në mënyrë që të krijohet një kundrabalancë në lek të brendshëm për valutën e huaj, që është e pakompensuar në lekë shqiptare. “Kjo do të thotë që banka duhet të krijojë oportunitete të reja për investime në lek”-shtoi Xhepa.

Rreth këtij shqetësimi të gjithë diskutantët kanë dhënë shifra mbi humbjet në bizneset që drejtojnë. Sipas tyre, në këtë rast nuk bëhet fjalë vetëm për dëm ekonomik personal, pasi nëse situata nuk ndryshon dhe Euro vijon të shkojë drejt zhvlerësimit, atëherë impakti direkt do jetë mbi qytetarët. Bizneset do nisin të shkurtojnë vendet e punës, gjithashtu likuiditeti do jetë në rënie dhe për pasojë në një afat të mesëm ndikimi është i drejtpërdrejtë në ekonomi. Përfaqësuesi i biznesit të prodhimit të materialeve të ndërtimit Asllan Banaj, ngriti shqetësimin se kjo situatë është në disfavor të importuesve. “Kam krijuar treg përqark Shqipërisë si në Mal të Zi dhe sot xhirot e asaj fabrike shkojnë deri në 4 milionë euro në vit. Humbja për vitin 2017 dhe për tremujorin e 2018, janë 515 mijë euro, vetëm nga kursi”-deklaroi Banaj, ndërsa shtoi se: “nuk kemi asnjë mundësi për të mbajtur atë treg. E vetmja rrugë është që të dalim nga tregu”. Gjithashtu biznesmenët renditën edhe problemet e tyre të përditshme që lidhen me kontrollin e përhershëm tatimor, që shpesh kthehet në abuzim nga ana e tyre dhe nuk merren masa nga ana e qeverisë për lehtësimin e procedurave për eksport. Diskutantët ekspertë të ekonomisë pranë UET dhe përfaqësues të biznesit, ranë dakord që në takime të tjera në ditët në vijim të ofrohen drafte dhe projekte të detajuara për mënyrën si duhet kapërcyer kjo krizë e cila ka filluar të ndihet në ekonomi dhe parashikimet janë se situata mund të shkojë drejt përkeqësimit në gjashtë muajt e ardhshëm. Tashmë biznesi po kërkon një zgjidhje, duke i besuar elitës akademike të UET që të ofrojë nisma konkrete që të vihen në zbatim nga ana e institucioneve shtetërore në këtë interes të përbashkët.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mustafa Nano: Duhet të demistifikohet seksi, s’është gjë e mistershme, e tmerrshme

“Nuk ka kurva në këtë botë”, një stand-up komedi nga Mustafa Nano...
Read More