Taksa e qarkullimit: Efektet mbi çmimin dhe konsumatorin e taksave mbi karburantet

Taksat e larta që paguajmë për naftën janë arsyeja kryesore se pse Shqipëria ka çmime kaq të shtrenjta të karburanteve, ku 60% të çmimit e përbëjnë taksat. Paratë mblidhen por s’dihet ku shkojnë!

Debati që ka hapur vendosja e traut në Rrugën e Kombit ka në themel të tij pamundësinë e shtetit për të financuar mirëmbajtjen e rrugëve. Me këtë justifikim është ndërtuar madje një hartë e plotë e vendosjes së pagesave edhe në rrugë të tjera të vendit. Pa hyrë në debate rreth këtij argumenti po sjellim më poshtë një përshkrim të peshës që zënë taksat në çmimin e karburanteve. Në bazë të përllogaritjeve rezulton që vetëm nga taksa e qarkullimit në buxhetin e shtetit shkojnë 120 milionë euro në vit, shumë kjo më se e mjaftueshme për të mirëmbajtur rrugët, krahasuar me atë çfarë raportohet në këtë zë buxhetor. Gjithsesi le t’iu referohemi shifrave.  

Çmimet e karburanteve

Shqipëria renditet e pesta më e shtrenjtë në botë për sa i përket çmimit të karburanteve në krahasim me të ardhurat për frymë, pas Moldavisë, Indisë, Jordanisë dhe Marokut. Të dhënat janë përpunuar bazuar në informacionin mbi çmimin e benzinës që jepet nga Global Price Petrol dhe të ardhurat për frymë sipas metodës së fuqisë blerëse, të Bankës Botërore. Treguesi mat përballueshmërinë, në bazë të përqindjes së të ardhurave ditore që duhet për një litër karburant.

Çmimi i benzinës, që merret për referencë nga Global Price Petrol ishte 1.68 dollarë/litër në Shqipëri, në nivele të ngjashme me shtete që kanë të ardhura për frymë shumë më të larta sesa Shqipëria, si: Gjermania, Belgjika, Holanda, Danimarka, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia etj. Në vlerë absolute Shqipëria renditet e 23-a më e shtrenjtë në botë. Shqiptarëve u duhen 5.3% e të ardhurave ditore për të blerë një litër karburant. Ndonëse Norvegjia p.sh., ka ndër çmimet më të shtrenjta në botë të naftës në vlerë absolute (2.05 USD/litër), qytetarët e saj mund ta përballojnë fare mirë, pasi u duhen vetëm 1.3% të të ardhurave ditore për të furnizuar makinën me një karburant. Maqedonasve dhe malazezëve u duhen 3.2% të të ardhurave ditore, serbëve 3.7%, ndërsa shtetasve të Kosovës 3.9%. Greqia e ka këtë tregues 2.6%, ndërsa Italia 1.8%, Bullgaria 2.4%. Në Moldavi, që është më e shtrenjta në botë për karburantet, sipas fuqisë blerëse, duhen 7.3% të të ardhurave ditore për të blerë një litër karburant. 

Çmimet e karburantit dhe taksat

Taksat e larta që paguajmë për naftën janë arsyeja kryesore se pse Shqipëria ka çmime kaq të shtrenjta të karburanteve, ku 60% të çmimit e përbëjnë taksat. Po të krahasojmë strukturën e çmimit të naftës në Shqipëri dhe Maqedoni rezulton që: Në Maqedoni, sipas të dhënave zyrtare, nafta kushton aktualisht 63 dinarë maqedonas, ose 130 lekë, ndërsa në Shqipëri nafta kushton mesatarisht rreth 170 lekë, apo rreth 30% më e shtrenjtë. Më poshtë jepet e detajuar se si formohet ky çmim: Çmimi i blerjes në port llogaritet i ngjashëm për të dy vendet, në rreth 53 lekë për litër në Shqipëri dhe 60 lekë për litër në Maqedoni, pasi ka kosto më të larta transporti për shkak të mungesës së portit. (një ton naftë sot blihet në bursa me rreth 600 dollarë)

Në Maqedoni, taksat direkte mbi naftën janë vetëm akciza, me rreth 28 lek për litër (0.2 cent për litër) dhe TVSH, në rreth 20 lekë për litër (norma e TVSH-së në Maqedoni është 18%, ndërsa zbatohet mbi një çmim 30% më të ulët se në Shqipëri). Ndryshe nga Shqipëria, Maqedonia nuk e ka taksën e qarkullimit të përfshirë në çmimin e naftës, por e merr direkt tek automjetet.

Në Shqipëri nafta taksohet si vijon: Akciza, 37 lekë për litër; Taksa qarkullimit, 27 lekë për litër; Taksa karbonit, 3 lekë për litër. Krahas tyre, vitet e fundit në kosto janë përfshirë dhe tarifa e markimit dhe ajo e skanimit, nga 1 lekë për litër secila. TVSH totale arrin në 28 lekë për litër.

Në total, në Maqedoni taksat direkte janë rreth 48 lekë për litër dhe në Shqipëri 97 lekë për litër, pra dyfishi. Krahas tyre, në Shqipëri është rritur ndjeshëm tarifa e rilicencimit të pikave të tregtimit të karburanteve, që sipas operatorëve llogarit një kosto shtesë prej 3-5 lekë për litër. Kosto të tjera përfshijnë tarifat për Inspektoratin Qendror Teknik, taksë tabele, taksë reklame, amortizim etj., që duke shtuar dhe një marzh fitimi e çojnë çmimin final në rreth 170 lekë për litër, ose rreth 30% më shtrenjtë se në Maqedoni.

Përllogaritja e efekteve

Grupi i taksave të ambientit përfshin: taksën e karbonit (ka hyrë në fuqi përpara 2005); taksën vjetore të mjeteve të përdorura (ka hyrë në fuqi në 2005, me emërtim të ndryshuar) taksën e qarkullimit të automjeteve (filluar për herë të parë në 2011); taksa mbi ambalazhet plastike.

Për të qartësuar ndikimin e rritjes së taksave mbi karburantet ndaj çmimeve te konsumit dhe ne aspekt makro edhe ndikimi ne ekonomi, paraprakisht janë vendosur dy tabela të çilat qartësojnë normat e taksave kombëtare ne vite. Nëse shikojmë ecurinë e Taksës së karbonit shikohet se ka qenë:

TAKSA E KARBONIT MBI BENZINEN DHE NAFTËN

Vitet                2005    2006    2007    2008    2009    2010    2011    2012    2013    2014

Për benzinën    0,5       0,5       0,5       0,5       1,5       1,5       1,5       1,5       1,5       1,5

Për naftën         1         1          1          1          3          3          3          3          3         3

Burimi: www.qbz.gov.al

Nëse shikojmë ecurinë e Taksës së qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin, shikohet se ka qenë:

TAKSA E QARKULLIMIT MBI BENZINËN DHE GAZOILIN

Vitet                2011    2012    2013    2014

Për benzinën    5          7          7          17

Për naftën        5          7          7          17

Burimi: www.qbz.gov.al

Nëse shikojmë se sa ka ndryshuar rritja e taksave nga viti në vit, vërehet se rritjet kanë ndodhur në vitet 2009, 2011, 2012 dhe propozimi për vitin 2014.Konkretisht, për të dyja taksat së bashku, të cilat lidhen me karburantin ndryshimet në përqindje janë:

TAKSA E KARBONIT DHE TAKSA E QARKULLIMIT MBI BENZINEN DHE NAFTEN

Vitet                2009/2008       2011/2010       2012/2011       2014/2013       2012/2005

Për benzinën    200%               333%               31%                 118%               1600%

Për naftën        200%               167%               25%                 100%               900%

Inflacioni         2.3%                3.5%                2%                   < 2%

Burimi: INSTAT, Banka e Shqipërisë

Në përballjen e rritjes së taksave kombëtare mbi karburantet, duke shqyrtuar harkun kohor nga viti 2005 deri në vitin 2013, sipas viteve kur kanë ndodhur rritjet e taksave shikohet se norma vjetore e inflacionit ka patur pak ndikim në çmimet dhe shërbimet që llogarit INSTAT inflacionin. Kështu,- në rritjen e vitit 2009, që ka një rritje të taksës së karbonit, edhe pse rritja është me 1 lekë dhe 2 lekë, (së bashku me TVSH rritja shkon respektivisht 1.2 lekë/litër dhe 2.4 lekë/litër) nuk ka ndikim në normën e inflacionit. – Në futjen e taksës së qarkullimit në 2011 me nga 5 lekë/litër (së bashku me TVSH rritja shkon respektivisht 6 lekë/litër për benzinën dhe 6 lekë/litër për naftën), përsëri ndikimi te norma e inflacionit është jo më shumë, por më pak se një vit më parë (norma e inflacionit në 2010 është 3.6%); ky është një argument i fortë i mosndikimit të taksës në çmimet e mallrave dhe shërbimeve të konsumit;- në rritjen përsëri të taksës së qarkullimit në 2012 me nga 2 lekë/litër (së bashku me TVSH rritja shkon respektivisht 2.4 lekë/litër për benzinën dhe 2.4 lekë/litër për naftën), përsëri ndikimi te norma e inflacionit është në rënie nga një vit më parë me 1.6 pikë për qind dhe e pandikuar fare nga kjo rritje; Në vitin 2014, rritja është 10 lekë/ litër dhe së bashku me TVSH rritja shkon 12 lekë/litër për naftën dhe po ashtu 12 lekë/litër për benzinën. Nëse llogaritim tendencën e rritje së çmimeve e shprehur në normë inflacioni të rritur, atëherë nëse marrim për bazë vitin 2005 nuk do të ketë rritje, ose duke qenë se zhurma politike e opozitës është e madhe mund të pritet një rritje e lehtë për 2-3 muajt e parë të vitit, si pasojë e spekulimeve nga kompanitë. Si një rregull i përgjithshëm, nga përvoja e politikave fiskale mbarëbotërore duke përfshirë si vende të zhvilluara ekonomikisht, por edhe vende në zhvillim impakti i dukshëm i vendosjes/rritjes së taksave mbi karburantet nuk duket dhe nuk është i menjëhershëm. Arsyeja pse nuk duket ky efekt menjëherë në ekonomi lidhet me pamundësinë e veçimit të efektit të tatimeve mbi karburantet në secilin sektor dhe individ edhe për shtete që kanë baza të dhënash dhe statistika mjaft të kompletuara. Ndërkohë, struktura e ekonomisë, konsumit të popullatës, përdorimit të lëndëve djegëse për qëllime industriale dhe konsum familjar ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin dhe jo më pastaj të krahasohen me shtete që kanë shumë ndryshime nga konteksti ekonomik dhe industrial shqiptar.

Taksa mblidhen, paratë ku shkojnë?!

Të ardhurat nga taksa e qarkullimit dhe e karbonit që vilen te karburantet pritet të arrijnë këtë vit në 16.5 miliardë lekë (120 milionë euro). Kjo shumë është e barabartë me fondin që qeveria pritet të vërë në dispozicion për mirëmbajtjen e rrugëve të paktën në 4 vitet në vijim. Tatimi që parimisht ka për destinacion mirëmbajtjen e rrugëve dhe që paguhet nga përdoruesit e automjeteve te çmimi i karburantit kalon disa fish nevojat e mirëmbajtjes që kërkon infrastruktura rrugore. Por kjo nuk po e pengon qeverinë të programojë dhënien me koncesion kundrejt pagesës së akseve kryesore në vend. Shqipëria ka nivelin e taksimit më të lartë në rajon për naftën, për rrjedhojë vendi ka edhe e çmimin më të lartë të produktit në tregjet e pakicës.

Në Shqipëri, nafta taksohet si vijon: Akciza, 37 lekë për litër; Taksa e qarkullimit, 27 lekë për litër; Taksa e karbonit, 3 lekë për litër. Krahas tyre, vitet e fundit në kosto janë përfshirë dhe tarifa e markimit dhe ajo e skanimit, nga 1 lekë për litër secila. TVSH (e parë) arrin në 21 lekë për litër. Në Maqedoni, taksat direkte mbi naftën janë vetëm akciza, me rreth 28 lekë për litër (0.2 cent për litër) dhe TVSH, në rreth 15 lekë për litër (norma e TVSH-së në Maqedoni është 18%, ndërsa zbatohet mbi një çmim 70% më të ulët se në Shqipëri). Taksa e qarkullimit është e pesta për nga rëndësia në të ardhurat buxhetore pas TVSH, Tatimit mbi Fitimin, tatimit mbi të ardhurat personale dhe taksave nacionale. Po ku shkojnë paratë që mblidhen. Pak kohë më parë në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ministri i Financave Arben Ahmetaj ndër të tjera ka deklaruar:  “Taksa e qarkullimit nuk shkon në destinacionin e përdorimit. Shkon për ndërtim rrugësh, shlyerjen e borxhit të trashëguar, për financimin e shëndetësisë dhe ndihmës ekonomike”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Një grua si Adelheid Feilcke!

Një mëngjes me gazetaren gjermane Adelheid Feilcke, themeluese e seksionit shqip të...
Read More