Taksa e re e pronës, ja ku mund të ankoheni

Drejtoria e Tatimeve njofton se në kuadër të paketës së re fiskale, me ligjin nr.106/2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, është përcaktuar kuptimi i termit “Pasuri të paluajtshme” si dhe “Kadastra Fiskale” (neni 3 e ligjit), për të cilën është parashikuar krijimi i një institucioni të ri buxhetor, Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë në varësi të Ministrit përgjegjës për financat.

Në këtë ligj përcaktohet se taksapaguesit në nivel vendor, ankimojnë kundër vendimit apo veprimit të zyrës së taksave në strukturën vendore të apelimit tatimor dhe kundër vendimit të kësaj strukture në gjykatë.

Gjithashtu, jepen kategoritë, shkalla e taksës, menyra e llogaritjes dhe detyrimi për pagesën e taksës mbi ndërtesat si dhe kategoritë e përjashtimeve nga taksa mbi ndërtesat.

Duke qenë se do krijohet një institucion buxhetor “Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë” jepen edhe përgjegjësitë e Drejtorit të Përgjithshëm të Taksës së Pasurisë si dhe Përgjegjësitë e njësisë së vetëqeverisjes vendore.

Po kështu në funksion të stimulimit të sektorit të turizmit, në ndryshimet të këtij ligji janë parashikuar edhe lehtesira në taksën e investimit për ndërtimin e strukturave akomuduese “Hotel/Resort me 5 yje, status special”, sipas përcaktimit në ligj.

Ky ligj është botuar në Fletoren Zyrtare nr.222, datë 19.12.2017, dhe hyn në fuqi në datën 01.04.2018, me përjashtim të dispozitës ligjore mbi lehtësirat në fushën e turizmit (neni 7), i cili hyn në fuqi në 01.01.2018.

Ligjin të plotë mund ta gjeni në linkun: https://www.tatime.gov.al/c/6/75/taksat-vendore

Taksa e re mbi ndërtesën

Tatimi mbi ndertesen tashmë ka ndryshuar, nga vlerë fiksë në % mbi vlerën e ndërtesës, sipas formulës më poshtë.

Shkalla e taksës mbi ndërtesat, e cila aplikohet si përqindje e bazës së taksës, është si më poshtë:
a) 0,05% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për banim;
b) 0,2% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike;
c) 30% e shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.

Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë

Sipas ndryshimeve ligjore, Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë:
a) menaxhon regjistrin qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (Kadastra Fiskale);
b) udhëheq, nga pikëpamja metodologjike, në lidhje me administrimin e taksës mbi pasuritë e paluajtshme;
c) përcakton nivelin e vlerësuar të taksës së pasurisë së paluajtshme për ndërtesat, si dhe detyrimin e taksës së pronës, me metoda alternative të vlerësimit.
Këshilli i Ministrave vendos kritere dhe rregulla në lidhje me procedurat dhe elementet që përdoren për vlerësimin alternativ të detyrimit të taksës.

Përgjegjësitë e njësisë së vetëqeverisjes vendore
1. Njësia e vetëqeverisjes vendore është autoriteti përgjegjës për administrimin e taksës mbi ndërtesat nën juridiksionin e saj, përmes ushtrimit të funksioneve të mëposhtme:
a) mbledhjen dhe menaxhimin e informacioneve mbi ndërtesën për qëllime fiskale;
b) përditësimin e të dhënave të regjistrit qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (Kadastra Fiskale);
c) mbledhjen me forcë të detyrimeve të taksës mbi ndërtesën;
ç) korrigjimin e të dhënave në lidhje me llogaritjen e taksës, në rastet e saktësimit të informacionit për sipërfaqen, vendndodhjen zonale, çmimet e tregut etj.;
d) shqyrtimin e ankimit administrativ të taksapaguesve.
2. Taksa mbi ndërtesën, sipas dispozitave të këtij ligji, mund të mblidhet nëpërmjet agjentëve të taksave, të cilët kanë shtrirje territoriale, sistem elektronik të bazës së të dhënave e të gjenerimit të detyrimeve dhe që autorizohen me vendim të Këshillit të Ministrave në përputhje me legjislacionin në fuqi për procedurat tatimore. Këshilli i Ministrave përcakton edhe masën e përfitimit të agjentit të autorizuar, mbi të ardhurat e arkëtuara nga taksa e ndërtesave.
3. Të ardhurat e mbledhura nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme derdhen për llogari të buxhetit përkatës të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në territorin e së cilës ndodhet pasuria, dhe përdoren në përputhje me ligjin “Për financat e vetëqeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë.”

Ankesat

Ankimi i taksapaguesit në nivel vendor, kundër vendimit apo veprimit të zyrës së taksave, bëhet te struktura vendore e apelimit tatimor, sipas kritereve dhe rregullave të vendosura nga këshilli bashkiak, në përputhje me nenin 4 të këtij ligji. Taksapaguesi ka të drejtë të ankohet në gjykatë kundër vendimit të strukturës së apelimit tatimor në bashki.

Shkruar Nga
More from Revista User

I bie mbi kokë një degë pishe, humb jetën i moshuari

Një i moshuar gjeti vdekjen në oborrin e banesës së tij ndërsa...
Read More