Tani Basha duhet të braktisë “Republikën e Re” dhe të kthehet tek e djathta

Nga Ervis Iljazaj

Gara brenda Partisë Demokratike përfundoi me një fitore të thellë të Lulzim Bashës dhe pa asnjë surprizë. Edhe pse kjo garë pati shumë kritika, për mënyrën se si u zhvillua apo për procedurën e saj, në të vërtetë sot në Partinë Demokratike nuk ekziston një alternativë më e fortë dhe më e mirë se ajo e Lulzim Bashës. Basha padyshim gëzon mbështetjen e plotë të grupit parlamentar dhe anëtarësisë së gjerë brenda Partisë Demokratike. Kundërshtarët e tij ekstraparlamentarë dhe tashmë dhe ekstrapartiakë, pasi betejën për PD-në e bënë jashtë procedurës, më shumë se sa alternativa politike janë individë të rebeluar për një arsye apo një tjetër.

Eduard Selami ishte i vetmi kundërshtar zyrtar i Lulzim Bashës në garën brenda Partisë Demokratike i cili zhvilloi një betejë me anë të ideve për organizimin dhe politikat e asaj partie në mënyrë të shëndetshme, ashtu siç do të ishte normale në çdo garë të brendshme për çdo parti politike. Me gjithë garën dinjitoze të Eduard Selamit, askush nuk mendonte se ai kishte vërtet shanse për të drejtuar Partinë Demokratike për kontekstin dhe fizionominë që ka marrë ajo parti. Por, në fakt, idetë e tij që i shpalosi çdo ditë gjatë fushatës janë thelbësore për të animuar debatin dhe për të krijuar një pol mendimi alternativ në të ardhmen, i cili nuk ka çmim për kulturën politike të Partisë Demokratike dhe të djathtës shqiptare. Ide të cilat ishin tipikisht për një parti të djathtë dhe liberale.

Këto ide, Lulzim Basha i braktisur me kohë duke u fokusuar te projekti i tij i “Republikës së re”, që përtej disa reformave kushtetuese që propozon, pjesa tjetër janë plotësisht etatiste. Projekti i tij i “Republikës së re”, i cili nisi gjatë protestës së çadrës dhe vazhdoi gjatë fushatës zgjedhore dhe garës brenda Partisë Demokratike, është një projekt dhe koncept tërësisht majtist, i ideuar dhe propaganduar po nga njerëz të majtë që janë afër tij. Në këtë mënyrë Basha po ndërton një fizionomi të paqartë të Partisë Demokratike me paradokse ideologjike dhe politike që nuk i shkojnë për shtat një partie të djathtë. Ndërkohë që, Shqipëria ka nevojë për një forcë politike që beson vërtet te tregu, liria individuale dhe sektori privat, të cilët janë kontribuuesit më të mëdhenj të ekonomisë dhe zhvillimit të shoqërisë.

Nëse vërtet dëshiron që të kthejë Partinë Demokratike në pushtet, Basha ka nevojë urgjente të rimendojë politikat që propozon, duke braktisur “ Republikën e re”, i cili është vetëm një gjuhë populiste dhe asnjë zgjidhje reale e problemeve të shoqërisë shqiptare. Pikërisht ky është rreziku më i madh i Republikë së re. Nuk parashikon pluralitet mendimesh apo debatesh, por vetëm një qëllim, populli të marrë drejtimin e vendit. Kështu, rrezikojmë të humbim dhe ato pak arritje të demokracisë shqiptare.

Mirëpo, Lulzim Basha edhe pse humbi zgjedhjet në mënyrë të thellë me këtë projekt, vazhdoi ende t’i besojë edhe gjatë garës së brendshme për drejtimin e Partisë Demokratike. Në çdo takim me anëtarësinë nuk harronte për asnjë moment t’iu kujtonte atyre projektin e tij të “ Republikës së re”.

Një projekt që duhet të braktiset sa më shpejt, pasi rezultoi humbës dhe, ndër të tjera, nuk ka asnjë lidhje politike dhe ideologjike me Partinë Demokratike. Andaj, Lulzim Basha duhet të përvetësojë idetë e Eduard Selamit dhe t’i kthejë ato në propozime konkrete në mënyrë që të ndërtojë një alternativë politike të vërtetë dhe të djathtë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Libër apo Facebook? 10 autorë shqiptarë, nga erosi tek mitet urbane

Ja librat që sugjerojnë botuesit për lexuesit në stinën e verës; ndoshta...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *