Tarifa e Rrugës së Kombit, qeveria nis konsultat me banorët pas protestave

Qeveria ka nisur konsultat me banorët e zonave që preken nga tarifa e rrugës së Kombit, menjëherë pas protestave, dhe pas pranimit nga ana e kryeministrit se konsultimi duhej bërë më herët.

Zv. ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli ka nisur konsultimet me banorët e Tropojës. Ai u njoh nga afër me pretendimet e banorëve për tarifën e kalimit në Rrugën e Kombit dhe propozimet e tyre për të zbutur efektin mbi komunitetin lokal.

“Për sa i përket atyre që nuk përdorin makinat private dhe këtu fus njerëz që janë shumë në nevojë, fus studentët, njerëz që marrin transportin publik apo të moshuarit, natyrisht kjo do të ketë një trajtim të veçantë dhe preferencial. Gjithashtu, për përdoruesit e shpeshtë do të shohim një formulë që këta njerëz siç foli dhe zotëria që shkon disa herë në muaj në Tiranë apo që shkojnë shumë herë në vit se nuk është e thënë të shkojnë patjetër dy herë në javë, të krijojmë një fashë për këta njerëz dhe mënyrën si identifikohen ata tek pjesa ku paguan. Do të bëjmë dhe disa matje të tjera për të kuptuar se çfarë do të thotë përdorues i shpeshtë i rrugës”, u shpreh Shkreli.

Gjatë vizitës në Tropojë, zv.ministri Shkreli u prit në një takim edhe nga kryebashkiaku Besnik Dushaj me të cilin diskutoi mbi çështjen e infrastrukturës dhe procesin e negociatave mes qeverisë dhe kompanisë koncesionare referuar mirëmbajtes së Rrugës së Kombit.

“Besoj se do të arrijmë në një formulë të atillë që nga njëra anë tarifa të paguhet por nga ana tjetër, njerëzit pra shtresat apo grupet e ndryshme të cilët nuk e kanë këtë mundësi, të lehtësohen në këtë pagesë. Problemi është që ne, dhe këtë nuk e them për Rrugën e Kombit, duhet të mësohemi se ajo që ndodh në botë ndodh edhe tek ne por ne jemi me një hap vonesë qoftë në të mirat apo edhe efektet anësore që kanë”, nënvizoi Shkreli.

Këto konsultime të drejtuesve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë do të vazhdojnë edhe në bashkitë e tjera të Qarkut të Kukësit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Për të ndihmuar të varfërit, paga minimale duhet hequr

Axhenda Liberale /11 Nga Besart Kadia Ditët e fundit po flitet gjithnjë...
Read More