Tarracat e gjelbra të pallateve do të zbukurojnë Tiranën…

 
 
Përveç fondit të Komuniteteve, bashkia ka nisur një tjetër nismë, atë të tarracave të gjelbra të pallateve.

Projekti në fakt është realizuar tre vite më parë në tarracën e bashkisë së Tiranës, dhe së fundmi i është shtuar ajo e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës.

“Shumë prej ndërtesave publike në Tiranë si ministritë, institucione varësie apo drejtori, mund të kenë një mikro-hapësirë, një lulishte në nivelin vertikal.

Sot të gjithë po flasim për pyje orbitale dhe pyje vertikale, pra si mund të ndërtojmë një oaz gjelbërimi në tarracën e secilës prej ndërtesave publike”, tha Veliaj.

Për realizimin e këtij projekti që fut edhe një kulturë të re në mënyrën e projektimit të ndërtesave, Bashkia e Tiranës po shqyrton disa propozime.

“Propozimi i parë është të vijojmë me të gjithë ndërtesat publike, çka më pas të ndiqet nga ndërtesat private.

Propozimi i dytë është që tarracat e gjelbra në ndërtesat private t’i bëjmë me bashkëfinacim. Sot fatmirësisht, GEF, Europol dhe Ekolëvizja kanë qenë bashkëfinancuesit e ndihmuesit e kësaj përpjekje, por në ndërtesat private këtë mund ta bëjmë fare mirë me fondin e komuniteteve, ku administratori i zgjedhur i pallatit vjen të aplikojë.

Ne i japim një manual se si mund të bëhet tarraca e gjelbër dhe më pas bëjmë bashkëfinancimin, 50% Bashkia dhe 50% banorët”, u shpreh ai.

Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që në bashkëpunim me administratorët e zgjedhur, të aplikojnë për projekte të tilla, të cilat jo vetëm do të përmirësojnë anën estetike të godinave, por njëkohësisht do të përmirësojnë eficencën e energjisë dhe cilësinë e ajrit.

“Tarracat janë pjesë e një bashkëpronësie. Koha kur i forti i pallatit që mendon se tarraca është e vetja dhe mund të shpojë një vrimë apo të zaptojë hapësirën, ka marrë fund.

Sot ka ardhur koha që administratori, si zëdhënës i atij komuniteti, të vijë në Bashki, jo vetëm të marrë në zotërim tarracën, por edhe të zbatojë projekte të tilla”, tha Veliaj, teksa vlerësoi Fakultetin e Arkitekturës dhe të Urbanistikës që përqafuan këtë nismë.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Ju flet Konica: Bota është atdheu i madh i çdo njeriu të kuptuar!

  Një botim simpatik i formatit të xhepit, i edicionit Zenit, të...
Read More