Task Forca/ Rama: Sekuestroni pasuritë e të fortëve të kanabisit

Kryeministri Edi Rama shpalli dje fazën e dytë të planit antikanabis për goditjen e aseteve kriminale të trafikantëve të drogës. Ai kërkoi bashkëpunimin e institucioneve ligjzbatuese për evidentimin e pasurive të krijuara nga kanabisi dhe sekuestrimin e tyre. “Çdo biznes i dyshimtë, llogari bankare, makina dhe pasuri e paluajtshme duhet të kalojë në skaner. Nuk do i kursejmë të fortët. Dihet kush janë dhe dihet ku janë ata me automjete luksoze”, -tha Rama. Zv.ministrja e Brendshme: Kemi sekuestruar 50 milionë euro pasuri të krimit. Çako: Këtë vit janë është kultivuar 25 herë më pak kanabis se në 2016.

Për kryeministrin Edi Rama, plani antikanabis është përmbushur duke reduktuar në nivelin më të ulët që prej vitit 1991 kultivimin e lëndëve narkotike. Referencë për suksesin e arritur merret viti 2017, ku punonjësit e policisë nuk shihen më me drapër në dorë duke korrur kanabis. Ajo që kërkohet tani sipas Ramës është goditja e aseteve financiare të trafikantëve dhe kultivuesve të kanabisit, të cilët duhet të vihen përpara ligjit me çdo kusht. Në të njëjtën linjë ishin thuajse të gjithë të pranishmit në mbledhjen e radhës të Task-Forcës kundër kanabisit, por askush prej tyre nuk arriti të tregonte se cili është burimi i të ardhurave i të fortëve me makina luksoze që sfidojnë policinë dhe shtetin.

Zv.ministrja e Brendshme referoi në tryezë se këtë vit janë goditur më shumë grupe kriminale dhe janë sekuestruar më shumë asete që i përkasin krimit. Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako, tha se përgjatë këtij viti ka 25 herë më pak kanabis se viti 2016. Edhe pse të gjithë aktorët e Task-Forcës vunë theksin te goditja e këtij fenomeni, askush prej tyre nuk analizoi se çfarë ndodhi në vitin 2016 me kultivimin e kanabisit dhe e kujt ishte përgjegjësia. Autoritetet italiane thonë se në muajt e parë të këtij viti në brigjet italiane janë sekuestruar mbi 40 tonë kanabis që vinte nga Shqipëria.

Kjo shifër do të shqetësonte çdokënd dhe do kërkonte minimalisht një analizë për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur në vitin 2016 me kultivimin e kanabisit. Por duket se gjithçka është harruar dhe vëmendja është përqendruar në një fazë tjetër të luftës kundër këtij fenomeni, ajo e goditjes së aseteve financiare. “Çdo biznes i dyshimtë, llogari bankare, makina dhe pasuri e paluajtshme duhet të kalojë në skaner. Kushdo që zotëron asete të tilla duhet të provojë dhe justifikojë origjinën e tyre ose këto asete do të konfiskohen dhe zotëruesit të përgjigjen para ligjit”, -tha Rama qysh në nisje të takimit.

Kryeministri deklaroi prerë: “Nuk do i kursejmë të fortët, ata mund ta tregojnë forcën në komisariat. Aty fillon lufta ndaj tyre. Dihet kush janë dhe dihet ku janë ata me automjete luksoze”. Rama u shpreh se pas përfundimit me sukses të operacionit për zhdukjen e kultivimit të kanabisit, tashmë objektivi i radhës do të jetë lufta ndaj pasurive kriminale të vendosura nga grupet, ndërsa do të goditet çdo tradhtar në radhët e policisë së shtetit.

“Objektivi i parë i planit antikanabis është përmbushur, rezultat inkurajues i policisë. Ky vit shënon vitin me sasinë më të ulët të kanabisit të kultivuar ndonjëherë qysh nga viti ’91 në Shqipëri. Kjo qasje e re që është rezultat i planit kombëtar kërkon shtrirje shumë më agresive tani për të luftuar kundër rrjeteve të kultivimit dhe trafikimit”, -tha Rama. Sipas tij, referimi tani duhet të jetë tek asetet kriminale, edhe largimi nga sytë e publikut i shfaqjes së policisë me drapër në dorë dhe luftëra mes tymit dhe vapës është arritje më vete.

“Goditja e këtyre rrjeteve nuk mund të kuptohet pa shkatërrimin e aseteve të tyre, ky është objektivi i radhës. Goditjen ekzemplare ta shtrijmë drejt elementëve kriminalë që vijojnë të sfidojnë komunitetin me prezencën e tyre dhe meritojnë një përgjigje të ashpër. Theks i fortë aty ku ka burime financiare të krijuara, te lidhjet e krijuara brenda dhe jashtë vendit nga grupet kriminale”, theksoi kryeministri. Për realizimin e këtij objektivi Rama kërkoi bashkëpunimin e policisë me SHISH, Prokurorinë, Pastrimin e Parave, Tatimet, Doganat dhe të gjitha strukturat e tjera të shtetit.

“Për plotësimin e tij kërkohet që policia, SHISH, prokuroria, DPPP, Tatimet, Doganat dhe të gjitha strukturat të intensifikojnë vëllimin e informacionit për të analizuar të gjithë këtë hetime të përbashkëta si në rrafshin e brendshëm ashtu edhe me partnerët për të projektuar dhe realizuar goditjen e këtyre rrjeteve. Kërkohet një goditje shembullore dhe kapilare, individë me imunitet të imponuar përmes rrugës së krimit nuk duhet të gjejnë vrimë ku të futen dhe jo të shfaqen si faktorë shoqëror. Askush nuk duhet të guxojë të bëjë karshillëk në shkolla, lagje dhe komunitet përmes shkeljeve të normave, me mjete që kushtojnë sa ‘qimet e kokës’ pa i justifikuar”, -tha ai.

Për të konfirmuar suksesin kundër kanabisit, zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda tha se janë sekuestruar 50 milionë euro pasuri në cash, vila, apartamente e automjete në kuadër të aksionit antikanabis. Në këta 8 muaj u kapën 20 herë më shumë drogë se në 2016. “Policia kishte në terren mbi 1500 grupe kontrolli me rreth 4500 punonjës, në gjithë territorin e vendit. Nga referimet e hetimeve pasurore të kryera nga strukturat policore të Hetimit të Aseteve Kriminale janë gjetur dhe identifikuar rreth 50 milionë euro, si automjete, vila, apartamente e lokale. Në këta 8 muaj u kapën 20 herë më shumë drogë se në 2016.  55 janë grupet kriminale të goditura me mbi 180 persona të proceduar.

Drejtoria e Tatimeve ka referuar mbi 180 raste të dyshimta në Policinë e Shtetit dhe Prokurori që konsistojnë në pasuri të pajustifikuara dhe transaksione pa logjikë ekonomike e ligjore. Janë kryer verifikime për mbi 1070 persona dhe informuar institucionet ligjzbatuese në përgjigje të 129 kërkesave të tyre, në funksion të investigimeve policore apo procedimeve penale. Në këtë kuadër po analizohen 175 raportime për aktivitet të dyshimtë” deklaroi zv.ministrja.

Ndërsa drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ka deklaruar se krahasuar me një vit më parë është mbjellë 25 herë më pak kanabis në Shqipëri. “Rikontroll masiv të territorit, bashkëpunim me italianët. 25 herë më pak se një vit më parë bimë të kultivuara. Janë goditur grupet kriminale, vijon puna për sekuestrimin e aseteve kriminale. Policia e angazhuar edhe për objektivat e tjera. Kemi kërkuar zbatimin e një plani me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale, automjetet luksoze që nuk justifikojnë burimin”,- deklaroi ai.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Qeveria ‘Rama 2’ pa negociata/ Dy emrat që e kanë të sigurt që do marrin ministri

Kryeministri Rama do të shpallë emrat e ministrave dhe strukturën e re...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.