Tatimi mbi pronën, shembujt që mund të përzgjedhë Shqipëria

Sistemi i vlerësimit bazuar mbi sipërfaqen që përdoret edhe në Shqipëri është i lehtë në administrim dhe mundëson taksimin edhe në zona e qytete ku nuk ka treg të pronës. Problem i këtij sistemi është se nuk konsiderohet si një taksim i ndershëm pasi nuk ndjek çmimet e tregut.

Tatimi mbi pronën përgjithësisht gjeneron të ardhura fiskale modeste, veçanërisht në vende si Shqipëria dhe të ngjashme me nivelin e saj të zhvillimit. Por, aktualisht ka një interes të shtuar dhe të aktualizuar për tatimin mbi pronën në gjithë vendet. Ky interes pasqyron qartësisht iniciativat e shumta të reformave që përshtatin vendet e ndryshme duke mos u fokusuar vetëm në një kategori të ardhurash dhe sektori ekonomik. E varur gjerësisht në objektivat e politikës fiskale të gjitha vendet ndryshojnë dukshëm në lidhje me përdorimin e burimeve të ndryshme të taksimit mbi pronën. Shumë vende e vendosin theksin e taksimit mbi pronën te garantimi i një burimi të qëndrueshëm dhe me peshë në rritje të të ardhurave. Ndërsa vende të tjera e vënë theksin te rritja e të ardhurave në përgjithësi duke promovuar progresivitetin dhe ndershmërinë e sistemit tatimor. Studime dhe analiza të mëparshme sugjerojnë se niveli i zhvillimit ekonomik dhe i urbanizimit luan një rol thelbësor në përcaktimin e nivelit aktual të taksimit të pronës. Por, niveli i hapjes së tregtisë ndaj botës (sipas volumit të tregtisë) luan një rol të fortë në përcaktimin e të ardhurave të tatimit mbi pronën. Tendenca në vite ka treguar se sa më të forta ekonomikisht të bëhen vendet, në të njëjtin projeksion ecin edhe të ardhurat tatimore nga prona në raport me PBB.

Konsideratat në favor të tatimit mbi pronën

Gjithë studimet dhe analizat që kanë objekt tatimin mbi pronën theksojnë faktin se ky tatim duhet të shfrytëzojë me potencial të plotë mundësitë e taksimit. Në këtë drejtim përfshihen pronat e paluajtshme si baza kryesore e tatimit. Tatimi mbi pronat e paluajtshme (toka dhe ndërtesat) konsiderohet nga të gjitha vendet si më eficienti ndër të gjithë tipat e tatimeve në kuptim të efektit të tij në ekonomi (pak ndikuese në vendimet për ofertën e punës dhe inovacionit). Më e qëndrueshmja në pronat e paluajtshme është toka. Ndërsa, ndërtesat përfshijnë brenda tyre edhe elemente si investimet kapitale (të luajtshme në konceptimin e palëvizshmërisë) dhe në këtë këndvështrim një taksim mbi pronën në nivele të larta mund të ndikojë në devijimin e kapitalit në vende me nivele më të ulëta të taksimit. Tatimi mbi tokën mund të nxitë përdorimin efektiv të saj, duke qenë se bëhet një kosto për t’u paguar nga pronari apo përdoruesi i saj. Shembull për këtë është Namibia, e cila ka treguar se tatimi mbi tokën ka promovuar një nxitje të zhvillimit të tokës bujqësore. Në këtë aspekt kjo taksë konsiderohet si progresive, për arsye se bazohet mbi pronarin e tokës.

Sistemet e vlerësimit të pronës

  1. Sistemi i vlerësimit sipas transaksionit. Është përdorur në mjaft vende (përgjithësisht janë vendet ish-koloniale të Britanisë së Madhe). Baza tatimore përcaktohet si vlerë që pritet të ndodhë në një transaksion të ndershëm tregu. Vendet që e kanë përdorur janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra (Indi, Nigeri, Malajzi, Trinidadi). Nëse mund të duket e thjeshtë në perceptim, në praktikë ka probleme serioze (mungesë apo të dhëna të pasakta, pasi jo gjithë pronat tregtohen në treg). Vlerësimi i pronave mbështetet mbi sondazhe dhe anketime në zona të ndryshme, duke e trajtuar rastin më të vështirë me ekspertë, me vlerën e pritshme të pronës (të dhëna nga shitjet e fundit) dhe duke e kryqëzuar edhe me vlerësimet e pritshme të fitimit nga shitja e pronës. Ky sistem përmbledh përdorimin aktual të pronës dhe mund të mos përfaqësojë mënyrën më të mirë për tatim të pronës në kushtet e Shqipërisë.
  2. Sistemi i vlerësimit sipas tregut të hapur. Ky sistem bazohet te vlera e tregut të pronave në kushtet e një tregu të hapur. Ky sistem përdoret në shumë vende të OECD dhe Amerikës Latine dhe duket si një metodë që po gjen përhapje edhe më shumë se kaq. Shumë vende përdorin një vlerësim të ndarë për tokën veçmas nga ndërtesat. Ky sistem shmang disa nga problemet e sistemit më lart, dhe konsiderohet si një metodë e paanshme. Problematikat gjithsesi mbeten të njëjta në drejtim të të dhënave të pasakta dhe çmime poshtë vlerës reale të tregut. Edhe ky sistem nuk duket më optimali për Shqipërinë.
  3. Sistemi i vlerësimit të tokës (truallit). Sistemi taton vlerën e tokës sipas tregut. Përdoret në disa vende (Australi, Zelandë e Re, Danimarkë, estoni, Kenia, Xhamajkë). Përveçse rrit të ardhurat fiskale, ky sistem vlerësimi promovohet si nxitje e fortë për një përdorim efektiv të tokës. Ky tatim vendos kosto administrative më të ulët mbi tatimpaguesit në krahasim me tatimin mbi kapitalin. Problematikat për vlerësimin janë të njëjta me ato më lart. Ky sistem po ashtu nuk favorizon zbatimin në Shqipëri.
  4. Sistemi i vlerësimit bazuar mbi sipërfaqen. Është metoda më e thjeshtë sepse taton çdo sipërfaqe toke në një shkallë taksimi specifike për njësi toke dhe për m² të ndërtesës. Përdoret në shumë vende të Europës Qendrore dhe Lindore, por edhe në vende në zhvillim (në forma të modifikuara përdoret në Vietnam dhe Nigeri). Ky sistem përdoret edhe në Shqipëri. Është i thjeshtë, transparent dhe i lehtë në administrim, që mundëson taksimin edhe në zona dhe qytetet ku nuk ka treg të pronës. Sistemi zbatohet duke filluar nga një formë e pastër e taksimit bazuar vetëm mbi sipërfaqen fizike duke vijuar me forma hibride që synojnë taksimin më të mirë dhe të plotë të kapitalit duke futur kategorizimin zonal, treguesit e cilësisë (përdoret në varietete formash Shqipëri, Serbi, Poloni, Kili dhe Indonezi). Problematika e këtij sistemi është se përgjithësisht nuk konsiderohet si një taksim i ndershëm, duke e argumentuar logjikën te ndryshimet në shkallët tatimore, por ky sistem nuk ndjek ndryshimet në çmimet e tregut.

Shembuj nga disa vende të botës

Kroacia. Është duke zbatuar tatimin mbi pronën ad valorem me një shkallë tatimore prej 1.5%, duke zëvendësuar “tarifën” dhe tatimin mbi shtëpitë e dyta.

Greqia. Ka përshtatur në fund të 2011 një tatim mbi m² në nivele të ndryshme, që mblidhet me faturën e energjisë elektrike. Reforma u krye në kuadër të paketës antikrizë.

Serbia. Po planifikon një modernizim të thellë të sistemit të tatimit mbi pronën për të zëvendësuar sistemin e taksimit të bazuar mbi të drejtën mbi pronën të lidhur me reformën e privatizimit të tokës.

Sllovenia. Po zëvendëson tri detyrime ekzistuese mbi pronën me një sistem të vetëm uniform dhe modern të tatimit mbi pronën reale të bazuar në vlerësimin sipas vlerës së tregut dhe regjistrit të ri të pasurive të paluajtshme.

Irlanda. E shfuqizoi tatimin mbi pronën rezidenciale të 1997-s. Një tatim i bazuar mbi vlerën e tregut të pronave ka hyrë në fuqi në mes të 2013-s, duke zëvendësuar detyrimin vjetor prej 100 eurosh për shtëpi, si pjesë e paketës fiskale më gjithëpërfshirëse.

Letonia. Ka zbatuar prej vitit 2010, si pjesë e reformës një tatim mbi pronën rezidenciale për të plotësuar tatimin ekzistues mbi tokën, duke planifikuar edhe masa të tjera shtesë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Bashkim Shehu, dilemat e implikimit të të atit me krimet e komunizmit

I ftuar në një bashkëbisedim me studentë dhe pedagogë të Universitetit Europian...
Read More