Tatuazhi në dorën e Pavllo Mihalit

Nga Julian Kasapi

Në vitin 2016 gjykata londineze dënoi me burgim të përjetshëm një të ri (17-vjeçar ) i cili qëlloi për vdekje me thikë një bashkëmoshatarin e tij.
Çështja mori vëmendje maksimale kjo dhe për shkak të diskutimeve nëse një minoren duhej të dënohej me burgim të përjetshëm ose jo.
Nga njëra anë një pjesë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut por edhe ligjit që gjyqësori ndjek i cili përjashtonte nga dënimi kapital Blaise Lewinson dhe nga ana tjetër, mënyra se si ai kreu vrasjen, pa patur asnjë njohje me viktimën, asnjë konflikt të mundshëm me të, thjesht vrasja në një Park londinez në sytë e dhjetëra familjarëve.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes pa kaluar në detaje të tjera ajo që të bën përshtypje është se si drejtësia serviret nga gjyqtarët.
Në rastin konkret gjyqtari Richard Hone QC iu drejtua me këto fjalë të dyshuarit:

“Ishit në mes të provimeve, por preferuat të kryeni krime të rënda me thikë në një park të mbushur me familje në Londër”.

“Keni përdorur këtë armë tërësisht të egër (thikë) edhe pse ndoshta me qëllime të reduktuara, shkaktuat humbjen e Stefan Appleton. Ai ishte i paarmatosur dhe ju e goditët dhe në tokë”.

“Ajo që keni bërë atë mbrëmje dhe më pas, së bashku me historinë tuaj të shkeljeve të mëparshme dhe mosrespektimit të urdhrave të gjykatës, justifikon konkluzionin tim se kjo është një nga ato raste të rralla ku gjykata duhet të kalojë një dënim të përjetshëm”.

Kaq i mjaftoi jurisë dhe brenda 14 orëve Blaise Lewinson (vrasësi) të dënohej me burgim të përjetshëm.
Por çfarë ndodh në realitetin shqiptar?

Dje pata mundësinë të merrja pjesë në rishqyrtimin e procesit gjyqësor për 22-vjeçarin Marvi Mihali i vrarë me thikë nga një tjetër bashkëmoshatar më 31 korrik të 2017. Në media u tha se u vra për një karikues por në të vërtetë ky nuk ishte motivi. Edhe unë si pjesë e medias në atë kohë raportuam se Marvi u vra për një celular dhe karikuesin e tij por pamjet filmike, provat e publikuara në media tregojnë se ai u vra në të njëjtën situatë si 17-vjeçari në Londër, Pa motiv, Pa shkak, Pa asnjë njohje me vrasësin.

Dëshmia e babait dhe nënës së Marvit ishin me të vërtetë tronditëse edhe për mua si gazetar.
Kjo jo për faktin se ata duhej të përballeshin edhe një herë me horrorin e asaj dite, të shpjegonin mes dhimbjesh telefonatën e kobshme se si morën lajmin e vrasjes së djalit të tyre, por mënyrën se si gjykata sillet me raste të tilla.

Duke mos pretenduar të flas për emra të përveçëm të gjyqtarëve se kështu ia kërkon ligji, por më shumë me sistemin, mund të them se Drejtësia në vendin tonë është kthyer veçse në ofenduese të moralit e vlerave njerëzore.

Drejtësia në Shqipëri jepet në salla ku shprehja ligji është i barabartë për të gjithë nuk është i gdhendur por i printuar dhe i ngjitur në muret e pista të një garsoniereje që nuk mund të quhet gjykatë.
Drejtësia në Shqipëri jepet aty ku gjyqtari ne vend që të mbrojë shoqërinë, mbron germën, a) të kodit x) që vjen nga paragrafi b i kodit të procedurës c).
Në Shqipëri drejtësia jepet aty ku babait, nënës i mohohet fjala për të shprehur dhimbjen për djalin e vrarë, por vetëm t’u përgjigjet pyetjeve qesharake të prokurorit se si morën dijeni për vrasjen e tij. Si mund të bësh një pyetje të tillë dhe mos të presësh reagimin njerëzor të një nëne e aq më keq të ndërpresësh klithmën e saj për drejtësi?

Ne fund pasi gjyqi u mbyll, pavarësisht mosdhënies së drejtësisë në kohë, pavarësisht afateve të tejzgjatura se kur do të bëhet seanca e ardhshme sepse qeveria e ka parashikuar pushim javën tjetër dhe atë pas tjetrës, pavarësisht dhimbjes, pavarësisht ndërprerjes së fjalës, pavarësisht se salla ndryshohet sa herë nuk punon kompjuteri i sekretarisë, pavarësisht se duhet t’u përgjigjesh pyetjeve qesharake procedurale, tatuazhi me emrin Marvi në të 5 gishtat e dorës së djathtë të Pavllo Mihalit më ngjasoi me çekanin e drejtësisë i cili mungon në çdo sallë gjyqi, edhe si send.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Marketingu, një pasion i përhershëm

Nga prof. asoc. dr. Kreshnik Bello E thjeshtë, por tepër domethënëse, shprehja...
Read More