Të dhënat befasuese: Shqiptarët “braktisin” librat, por…

INSTAT nxjerr të dhënat e fundit për kulturën, çfarë po ndodh në Bibliotekën Kombëtare, në Galerinë e Arteve, tre teatrot e kryeqytetit – institucione kulturore që mbahen nga shteti, ku drejtorët dhe artistët emërohen nga kryeministri, e që mbahen me paratë e taksapaguesve; një rast unik se si nuk funksionon tregu kulturor, dhe industria e artit si sistem konkurrence me publikun

Gjithmonë e më pak lexues ka në Bibliotekën Kombëtare. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se gjatë tremujorit të parë të këtij viti, numri i shërbimeve të njësive bibliotekare dhe numri i frekuentuesve të Bibliotekës Kombëtare ka pësuar një rënie të ndjeshme me rreth 86.0 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në bibliotekë ka pasur gjithashtu, më pak tituj librash, një element ky që ndikon në uljen e atraktivitetit të saj. “Në tremujorin e parë 2018, në Bibliotekën Kombëtare janë afishuar 1.812 botime, 62.8 % më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga këto botime 340 ishin tituj të rinj dhe 1.472 ekzemplarë të rinj”, theksohet në raportin e INSTAT për Statistikat e Kulturës.

Në vëmendje të INSTAT ka qenë edhe Galeria Kombëtare e Arteve, e cila është llogaritur se ka me minus 100%, pra zero vizitorë.

Kanë kaluar tre muaj nga vënia në detyrë e Erzen Shkolollit si drejtues i GKA-së, por deri tani, ndoshta nga rastet e rralla, që nga ky institucion nuk ka asnjë shenjë jete. Asnjë dalje para mediave, as shpallje të programit, apo kalendarit. Deri tani Shkololli duket se ka vegjetuar, pa dhënë shpjegime duke iu përgjigjur mediave se “do t’ju thërras kur të jem gati në një konferencë për mediat”.

Salla e ekspozitave prej muajsh qëndron bosh. Nëse ka një institucion përfaqësues se si ndikon politika në zgjedhjen e drejtuesit, kjo është Galeria, institucioni më i rëndësishëm i arteve pamore që ende nuk ka një status të qartë, se si do funksionojë në të ardhmen, duke i shtuar edhe problematikën me fondet, dhe selinë.

Ndryshe është numri i vizitorëve nëpër muzetë, ku sipas INSTAT.

“Numri i vizitorëve në muze në tremujorin e parë 2018 është 24.477, duke shënuar rritje me 83,7 %, krahasuar me tremujorin e parë 2017. Në kala e monumente të tjera, numri i vizitorëve ka një rritje prej 39,4 %, ndërmjet tremujorit të parë 2018 dhe të njëjtit tremujor në vitin 2017. Në tremujorin e parë 2018 numri i vizitorëve në parqe arkeologjike është 13.872, me një rritje prej 61,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm”.

Ndërkaq ajo që bie në sy është numri i frekuentuesve të shfaqjeve kulturore në teatrot kryesore të Tiranës.

Sipas INSTAT, “Pjesëmarrja mesatare në tremujorin e parë 2018 është 218 spektatorë/vizitorë për shfaqje, dhe ka pësuar rritje me 7,4 %, krahasuar me tremujorin e parë 2017. Në tre muajt e parë të 2018-s numri i shfaqjeve kulturore ka qenë 344, duke pësuar një rritje vjetore me 61.5 %. Në rritje është edhe numri i spektatorëve. Në tremujorin e parë të këtij viti arriti në 74.848 spektatorë, duke pësuar rritje me 73.4 % kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2017.”

Një rritje të ndjeshme të vizitorëve në shfaqje ka pasur Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. INSTAT konstaton se “Teatri Kombëtar Eksperimental është institucioni që ka realizuar numrin më të lartë të shfaqjeve kulturore, 207 shfaqje/ekspozita në tremujorin e parë 2018. Numri i spektatorëve në tremujorin e parë 2018, është 40.555, duke shënuar rritje prej 197,2 %, krahasuar me tremujorin e parë 2017. Numri mesatar i spektatorëve gjatë tremujorit të parë 2018 është 196 spektatorë/vizitorë për shfaqje me një rritje prej 46,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm”.

Ndërkohë statistikat tregojnë se numri i shfaqjeve kulturore të realizuara nga Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë në tremujorin e parë 2018 është 51 shfaqje/ekspozita, duke shënuar rënie me 3,8 %, krahasuar me tremujorin e parë 2017. Në tremujorin e parë 2018, numri i spektatorëve është 6.339 duke shënuar rënie me 19,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Numri mesatar i spektatorëve në tremujorin e parë 2018 është 124 spektatorë/vizitorë për shfaqje duke pësuar rënie me 16,8 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Turistët nga Kosova, “protestë” për taksën e Rrugës së Kombit

Nga Blerina Hoxha Të ndodh rrallë që edhe në ditët e pushimeve...
Read More