Të djegësh jorganin për një… foto


Nga Namir Lapardhaja*

Një foto tinëzare e shpërndare në mënyrë virale, mbushi tejpërtej paraditen e së premtes botën virtuale të shqiptarëve. Pavarësisht shenjtërisë së ditës, mesazhit të unitetit, të vëllazërisë dhe të harmonisë, sherrshamataja dhe tymnaja e përhapur si furtunë në gotë, nuk u mbyll, edhe pse e vërteta e “mbulimit” të heroit kombëtar u sqarua mjaft shpejt dhe u duk açik si drita e diellit që nuk kishte qenë i vërtetë, madje, shyqyr Zotit, që kundërshtarëve të këtij ansambli retorik dhe kinse nacionalist nuk u vajti në mendje të hidhnin në opinionin publik disa foto nga këndvështrime të tjera, të cilat nuk linin të shfaqej xhamia e qendrës dhe të akuzonin se, përveç Skënderbeut, qenka zhdukur edhe xhamia e “Ethem beut”.

Mirëpo, thurësit në avlëmendin e berihasë që me saballëk i kishin marrë masat dhe, ashtu siç u shpërnda fotoja, po ashtu në mënyrë virale dhe të pakontrolluar shpërtheu një kakofoni mjerane komentesh dhe linçimesh, duke filluar nga njerëz anonim të botës virtuale të rrjeteve sociale e duke u përfshirë njerëz të njohur dhe me peshë në diskurin publik në vend. Dhe në zhurmë, në turmë, në tym të gjitha marrin vlerë dhe përparësi, përveçse të vërtetës; ajo ngelet jetime.

Thirrjet për ngritje dhe për hakmarrje, për shtypje dhe për pushtim, për perçe të zeza dhe talebanizëm, për cenim të rendit kushtetues dhe të sigurisë kombëtare, ishin vetëm një pjesë e mozaikut të pjellës absurde të ditës së premte, por që për inerci vijuan edhe në fundjavë.

Pra, vetëm një foto e vetme, dukshëm keqdashëse dhe e stisur, aspak e vërtetë në mesazhin e përcjell, do të mjaftonte për të djegur jorganin dhe për të parë se sa e brishtë është narrativa e tolerancës dhe e bashkëjetesës në një vend si ky i yni, ku, sipas të dhënave të censusit të fundit, mbi 50 përqind e popullsisë i përket besimit islam.

Një komunitet i caktuar fetar u përbaltë, u anatemua dhe u prek në shenjtërinë e festës së Bajramit, vetëm sepse një mendje djallëzore si karem në grepin e medias sociale hodhi ushqim të prishur dhe aspak të shijshëm, që la e do të lërë shije të keqe sa herë që do tentohet të serviret në pjatën e qytetarëve të këtij vendi.

Dielli nuk mund të mbulohet më shosh dhe se debati për Skënderbeun nuk i takon komuniteteve fetare dhe bashkësisë së besimtarëve, kështu që ata do të bënin mirë të rrinin larg këtyre debateve dhe diskutimeve, mirëpo figura e Skënderbeut nuk mund të na shërbejë për sherre dhe përçarje mes shqiptarëve, sot 550 vjet pas vdekjes së tij.

Jo më kot, kryeministri i vendit dhe zyra e tij e propagandës e kanë shpallur 2018-ën si vitin e Skënderbeut. Ata e dinë se, herët a vonë, do të hapet një debat publik, duke filluar nga bota virtuale e rrjeteve sociale e duke vijuar me median audio-vizive. Kjo do t’u shërbejë atyre që njerëzit të jenë të preokupuar pikërisht me diçka që për ta nuk ka, pothuajse, asnjë vlerë, ndërsa qeveria dhe pushteti të vijojë rrugën dhe qeverisjen e saj pa probleme.

Pavarësisht më sipër, ne nuk duhet të kemi frikë nga e vërteta, ashtu siç thoshin dikur latinët, vetëm ajo mund të na bëjë të lirë. Skënderbeu është një figurë historike, reale, politike, diplomatike, një njeri që ka jetuar, ka marrë e ka dhënë mes njerëzve, rrjedhimisht ai as nuk mund të mitizohet, hyjnizohet e të glorifikohet në shkallën e hyjnores dhe të së paprekshmes, ngase historia nuk mund të ngatërrohet me mitologjinë dhe letërsinë.

Edhe pse nuk është qëllim i këtij shkrimi, mjafton të kesh lexuar pak dhe do të shohësh e do të gjesh mjaft diskutime rreth figurës së tij historike.

Këtë e përmend për një arsye të thjeshtë: sot, rreth 550 vjet pas vdekjes së tij, emri dhe figura e tij nuk mund t’i shërbejë shqiptarëve për konflikt dhe tension mes veti, sepse mund ta duash Skënderbeun e të jesh një qytetar shqiptar i mirë, i respektueshëm, që i zbaton dhe i respekton rregullat dhe ligjet e këtij vendi, ashtu si edhe e kundërta, mund të kesh rezerva, mund të kesh lexuar e të besosh një tezë tjetër, që e kritikon atë për veprime të caktuara dhe për situata të caktuara dhe, po ashtu, të jesh po aq qytetar i mirë sa i pari e ta duash Shqipërinë po njëlloj.

Vetëm nëse do t’i qasemi figurës së tij me mendje të hapura dhe me tolerancë ndaj njëri-tjetrit, ajo mund të shërbejë si unitet për kombin dhe për shqiptarët, ndërsa nëse veprohet si të premten e Bajramit, ku për një foto manipulative u përhap në ajër një sherrnajë e pavërtetë dhe e paqenë, figura e Skënderbeut sigurisht që do të luajë rol të kundërt nga misioni për të cilin u krijua dhe u formua nga Rilindasit tanë.

Jo vetëm, që nuk duhet të shërbejë si mollë sherri dhe përçarjeje, por duket luks i madh për Shqipërinë në një kohë që ajo ka një mijë e një halle e një mijë e një probleme të përditshme.

Mendjet e mençura nuk duhet të shërbejnë për t’i hedhur benzinë zjarrit, por për të kultivuar kulturën e bashkëjetesës me të ndryshmen, pavarësisht se çfarë mendon dhe çfarë beson.

*publicist

Shkruar Nga
More from Redaksia

Përfundon kontrolli, çfarë morën hetuesit në shtëpinë e Tahirit?

Oficerët e policisë gjyqësore kanë zbarkuar në banesën e Saimir Tahirit ditën...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.