Të gjithë kretanët janë gënjeshtarë…Po Ilir Meta?

 

Klementin-Mile

Klementin Mile*

Mendova se shprehja më interesante e javës do të ishte ajo që lexova në një libër, ku ironizoheshin “nismat për nisma qytetare.” Por më interesante se kjo rezultoi një fjali e Ilir Metës në kampingun e LRI-së në Jalë. Kryetari i LSI-së tha: “Problemin më të madh e kemi te bashkëjetesa politike, sepse u bënë 26 vjet dhe vendi ende ka një konflikt të tepërt dhe të panevojshëm politik, aq më tepër jo për çështjet më substanciale.” Me fjalë të tjera, Meta fajësoi politikën si krijuese të konflikteve të evitueshme, të kota, dhe me kosto për vendin. Sigurisht, nuk është politikani i parë që e bën këtë. Politikën e ka fajësuar edhe Blushi shpeshherë, edhe Rama në 2009, duke e quajtur “politikë të vjetër, për pushtetarët dhe jo për qytetarët”, dhe shumë e shumë politikanë të tjerë që, sapo del ndonjë problem, ia vënë fajin “klasës politike.” Por, kur mesazhe të tilla u drejtohen të rinjve që do bëjnë karrierë në politikë, si në rastin e kampingut të LRI-së, ato marrin edhe vlerë pedagogjike.

Ky mesazh është në formë shumë i ngjashëm me një pohim që gjendet gati në të gjithë librat e logjikës. Një banor i ishullit grek të Kretës, një kretan, thotë: “Të gjithë kretanët janë gënjeshtarë.” A po thotë  të vërtetën kretani, apo po gënjen? Nëse po thotë të vërtetën, atëherë rrjedh që të gjithë kretanët janë gënjeshtarë; e kjo do të thotë që gënjeshtar është edhe ai vetë, pasi është kretan. Pra, nëse kretani po thotë të vërtetën, ai po gënjen. Supozojmë, nga ana tjetër, që kretani në fakt po gënjen. Atëherë i bie që kretanët nuk janë gënjeshtarë, ata thonë të vërtetën, dhe po kështu të vërtetën thotë edhe kretani në fjalë, pasi edhe ai vetë bën pjesë te bashkësia e kretanëve. Kështu, në këtë rast të dytë, nëse kretani po gënjen, ai po thotë të vërtetën. Këtë situatë logjicienët e quajnë paradoks, (nga greqishtja para – doxa, përtej opinionit) pra diçka për të cilën nuk formojmë dot opinion. Mendja jonë paralizohet, ne nuk vendosim dot nëse kretani po gënjen apo po thotë të vërtetën. Sepse kur ai gënjen thotë të vërtetën, dhe kur thotë të vërtetën gënjen.

Kur Meta thotë “politika është fajtore”, ai prodhon të njëjtin paradoks si më sipër. Kjo pasi është një politikan që e thotë këtë, i cili bën pjesë te kjo politikë, madje jo vetëm kaq, por një politikan që ka mbajtur dhe mban poste shumë të rëndësishme në politikë (kryeministër, kryetar partie, kryetar komisioni parlamentar, kryetar parlamenti). A është pra fajtor politikani Meta kur fajëson politikën? Mendimi ynë paralizohet, ne nuk vendosim dot. Nëse Meta është fajtor, atëherë edhe pohimi i tij “politika është fajtore” duhet marrë si një faj tjetër, pra si një gënjeshtër. Pra, politika nuk ka faj, e kjo do të thotë që nuk mund të fajësojmë asnjë politikan që bën pjesë në të; as vetë Ilir Metën – ai është i pafajshëm. Mund të kërkojmë fajtorë të tjerë, shoqërinë, individin, ndërkombëtarët, historinë e vendit e kështu me radhë. Ndaj, nëse Meta është fajtor, ai është i pafajshëm. Paradoksi rezulton edhe nga supozimi i kundërt: që Meta është i pafajshëm. Nëse është i tillë, pohimi i tij “politika është fajtore” rezulton të jetë i vërtetë. Por, nëse politika është fajtore, kjo do të thotë që fajtorë janë të gjithë ata që bëjnë pjesë në të, edhe vetë Meta si politikan i spikatur. Pra, nëse Meta është i pafajshëm, ai është fajtor.

Sigurisht, pasi Meta shprehu këtë paradoks nuk u prit me kritika, por me duartrokitje. Kjo sepse nuk kishte përballë logjicienë, por të rinj të cilëve paradoksi u kishte paralizuar mendimin, në vend të të cilit u gjeneruan emocione. Komunikimi paradoksal, në fakt, është një teknikë politike e volitshme, që i fton njerëzit të mos mendojnë, por të magjepsen dhe tërhiqen nga aspekte të tjera të politikanit, si p.sh. veshja, gjestet, volumi, tonaliteti dhe të bëhen pjesë e atmosferës së përgjithshme, ku individi humbet dhe bëhet turmë. Një turmë që pastaj politikani i drejtohet me termin “Ne.”

*Pedagog në UET

Rubrika: Ku qëndron problemi këtu?

Shkruar Nga
More from revista mapo

Zgjedhje europiane, merita e madhe e marrëveshjes Rama-Basha

Nga Ervis Iljazaj Përtej pjesëmarrjes së ulët në votime dhe incidenteve episodike,...
Read More