Të kapim kohën e humbur në studimet letrare…

Shkencat humane dhe letërsia në veçanti, në shek. 21 po diskutojnë perspektivën e tyre. Në fakt letërsia përfshihet në listën e profesioneve të së ardhmes dhe renditet ndër profesionet që mendohet se do t’i mbijetojnë zhvillimeve teknologjike. Kjo për shkak se duke qenë e lidhur me krijimin dhe me komunikimin estetik ajo do të vazhdojë të përsosë vetveten si një formë diferencimi e njeriut nga teknologjia.

Nga Genciana Abazi-Egro
Shkencat humane dhe letërsia në veçanti, në shek. 21 po diskutojnë perspektivën e tyre. Në fakt letërsia përfshihet në listën e profesioneve të së ardhmes dhe renditet ndër profesionet që mendohet se do t’i mbijetojnë zhvillimeve teknologjike. Kjo për shkak se duke qenë e lidhur me krijimin dhe me komunikimin estetik ajo do të vazhdojë të përsosë vetveten si një formë diferencimi e njeriut nga teknologjia. Dhe sfida kryesore mbetet pikërisht dimensioni i ri që po merr marrëdhënia e letërsisë me njeriun.

Për studimet letrare në Shqipëri kjo sfidë vështirësohet akoma më shumë për shkak se shkencat humane dhe studimet letrare në veçanti, duhet të përballen edhe me ideologjitë e të kaluarës (nacionalizmi, fashizmi, komunizmi) që kanë deformuar studimin e proceseve letrare tek shqiptarët. Këto studime në mënyrë dominante kanë krijuar produkte për konsum të brendshëm shqiptar dhe kanë arritur ta indoktrinojnë shoqërinë me klishe dhe shabllone të të menduarit që kanë penguar dhe shtrembëruar studimin e fenomeneve letrare.

Megjithëkëtë në Shqipëri mungon një debat mbi sdidat që kanë studimet letrare në shek. 21. Debatet mbi leximin, kritikën letrare apo librin elektronik që zhvillohen me raste në media mbeten në nivel konstatimi dhe nuk analizojnë problemin në kompleksitetin e tyre dhe për më tepër nuk prodhojnë zgjidhje konkrete. Kjo mungesë debati mbi sifidat dhe ridimensionimin e studimeve letrare në shek. 21 ka bërë që ato të mos kenë një perspektivë të qartë; kjo e ka vështirësuar akoma më shumë pozicionin e tyre në tregun e dijes dhe të punës.

Universiteti Europian i Tiranës prej vitesh ka ndërtuar një marrëdhënie të rëndësishme me letërsinë shqipe, si me letërsinë si proces krijues, ashtu dhe me botimin e kritikën e saj. Për të promovuar shkrimin e letërsisë shqipe UET ka institucionalizuar çmimin letrar Kadare, që tashmë është kthyer në një ngjarje letrare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. UET Press boton vepra letrare të autorëve shqiptarë. Në suplementin Mapo Letrare që del çdo të shtunë bashkë me gazetën MAPO, krahas kritikës letrare të specializuar jepet informacion i hollësishëm mbi jetën letrare tek shqiptarët. Përveç kësaj ky Universitet organizon Ditët Letrare të Razmës ku krijon mundësi të debatohet dhe të diskutohet gjerësisht mbi problematikat e sotme letrare. Madje në këtë aktivitet përveç studiuesve të spikatur, të ftuar gjithnjë janë mësues të letërsisë dhe maturantë të shkollave të mesme nga e gjithë Shqipëria.

Ndërsa sot kjo marrëdhënie polivalente që UET ka vendosur me letërsinë plotësohet dhe në dimensionin akademik me hapjen e një programi të plotë studimi për letërsinë. Zgjidhja që ofron UET për ngërçin që kanë kapur studimet letrare tek shqiptarët është një program modern letërsie. Ky program do të sigurojë ekspertizën e duhur për të përgatitur të rinjtë e sotëm që të përballen me sfidat e shek. 21, por edhe të akomodohen lehtë në tregun e punës.

Letërsia në UET do të shihet si një fenomen human dhe do të shmangen konceptet etnocentriste. Kjo do të thotë se programi nuk mbështetet mbi studimin e një letërsie të veçantë, për shembull letërsisë shqipe, por do t’u mundësojë studentëve studimin e letërsisë nga një perspektivë kulturore, por transnacionale. Studentët do të njohin letërsitë kombëtare, rajonale dhe botërore në ndërvarësinë mes tyre, por edhe shkallën e ndikimit reciprok. Në studimin e letërsisë do të mbizotërojë qasja teorike, ndërthurrur me një lexim kritik të teksteve letrare. Duke hulumtuar letërsinë si fenomen human, studentit do t’i ofrohet metodologjia dhe instrumentet e duhura të kërkimit për të eksploruar dhe studiuar edhe letërsitë kombëtare.

Së dyti, studimi i letërsisë do të bëhet i integruar me disiplinat e tjera humane. Këtë e mundëson perspektiva e re që UET ofron në arsimin shqiptar. Studenti krahas fondamenteve të fushës së letërsisë do të marrë njohuri nga shkencat humane (historia, filozofia, gjuhësia, komunikimi, antropologjia) të cilat do t’i garantojnë një formim solid. Në sajë të kësaj përgatitjeje ai do të zgjerojë kufijtë e studimit dhe do të mund të kapërcejë barrierat ndërmjet disiplinave. Kjo do të sjellë që proceset letrare të kuptohen në gjithë kompleksitetin e tyre, duke i vendosur në kontekstin e zhvillimeve letrare e kulturore në botë. Përveç kësaj kjo do të ndikojë drejt për së drejti dhe në mënyrën se si studiuesit e rinj do t’i qasen një teksti letrar.

Së treti, programi i letërsisë në UET synon të kultivojë një lexues kritik. Ky program ofron të gjitha mjetet që e shtyjnë studentin të fitojë thellësi në lexim dhe të formojë mendimin e tij kritik. Në fokus të këtij leximi kritik do të jetë zbulimi i kuptimit qoftë ai estetik, simbolik apo ideologjik.

Objektivi kryesor i programit të letërsisë në UET është që studentët të pajisen me instrumentet dhe metodat më bashkohore të studimit dhe të kërkimit. Ata do të zotërojnë konceptet themelore që kanë të bëjnë me kulturën dhe identitetin, por dhe me aspekte të caktuara të jetës intelektuale që lidhen me lëvrimin e letërsisë dhe të mendimin letrar.

Kurse në vitin e tretë në këtë program letërsie në UET do të ofrohen grupe lëndësh që krahas fondamentave të fushës i mundësojnë studentit profilizime më të ngushta, të cilat do të lehtësojnë përshtatjen e tij me tregun e punës. Profile si gazetari, marrëdhënie me publikun, linguistikë, trashëgimi kulturore, antropologji do të ndihmojnë që studenti i diplomuar për Letërsi në UET të performojë në një spektër të gjerë karriere nga humanitetet tek marrëdhëniet publike, edukimi, gazetaria dhe sfera e botimeve.

Është koha për të rendur që të kapim kohën e humbur në studimet letrare…

*Përgjegjëse e seksionit Letërsi-Linguistikë, Departamenti i Shkencave Humane, UET

Shkruar Nga
More from Redaksia

Arjola Shehu; Ylli i ri i televizionit

    Të gjithë e kemi parë dhe jemi habitur me moderatoren...
Read More