Te ‘Kodra e Hamamit’ ku fshihen neoliti dhe “historia” e kishës

Janë më shumë se 30 gjetje arkeologjike të rastit në të gjithë vendin gjatë gërmimeve për tubacionet e gazsjellësit Trans Adriatik të TAP, ku janë vendosur rreth 20 monitorues për trashëgiminë kulturore. Arkeologët flasin për befasi dhe pasurim të hartës arkeologjike; rasti i zbulimit në Berat i vendbanimit rural në Fushë Peshtan, duke u përballur me një kompleks arkeologjik të panjohur më parë

Nga Violeta Murati

Arra e mbjellë në pronën e saj i siguronte jetën, ndaj kishte bërë rezistencë gruaja kur gjurmët e gazsjellësit Trans Adriatik, TAP, mund t’ia shkulnin. Në këtë rast tipik shqiptar, jo të zakontë, tubat u devijuan…Afërisht në kilometrin e 145, (215 km pjesë tokësore ka Shqipëria) faza ku janë punimet, monitoruesit e trashëgimisë kulturore në ironi sjellin histori pafund, ashtu si dhe kaosin e pronës me të cilën janë përballur. Por, nuk ishte ky qëllimi i vizitës sonë në Berat, javën që shkoi. Devijimet e tubave të gazsjellësit, në jug të vendit, nga zonat ku janë ndeshur gjurmë të objekteve apo komplekseve arkeologjike po ndryshojnë hartën e trashëgimisë kulturore.

Një grup gazetarësh të kulturës jemi vendosur në një model të tillë, afër Beratit, në fshatin Fushë Peshtan, në vendin e quajtur, vetëm si toponimi, pa ndonjë të dhënë të mëparshme historike, Kodra e Hamamit, ose Bregu i Hamamit. Madje asnjë gjurmë banimi, as rrënoja mbi tokë. Ne, sigurisht këtë e lidhim me periudhën osmane, ose siç ka nisur për këtë kohë, si mesjetë e vonë shqiptare.

Na u desh një ditë e plotë që organizatorët e këtij udhëtimi të na njihnin me procedurat, dhe gjithë sistemin e funksionimit të TAP, me standardet dhe siguritë teknike që ndiqeshin në të gjitha vendet ku kalonin tubacionet. Të paktën sa na u tha, arkeologët janë gjendur të papërgatitur përballë këtij sensibiliteti, qoftë në trashëgimi por dhe në anën sociale. Pareshtur flitet për standarde ndërkombëtare, që më konkretisht lidhej me një tufë dokumentacionesh prej të cilave rridhnin të drejtat e detyrimet dypalëshe, ku midis sigurisë njerëzore dhe mbrojtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore nuk mund të hiqej vijë ndarëse.

Çdo gjë ishte nën monitorim. Pothuaj 1 km nga vendbanimi i zbuluar, të gjithë u përgatitëm me veshjen e “detyruar” për të hyrë në atë zonë. Këpucë të forta, tip kambaleje, jelekë të verdhë, dhe kokore prej metali siç vishen në miniera. Një trajnim 20-minutësh ku jepeshin këshilla, dhe rregulla për t’u zbatuar, në zonën ku do shkelnim. Rruga për te Kodra e Hamamit ndiqej nga një vijë lumi e largët, ndërsa shquhej linja e tubacioneve mbi kodrat përreth. Kurioziteti për të mësuar për këtë sistem organizimi të TAP, ishte në përmasa pothuaj të pabesueshme për një vend si yni ku nuk kemi pasur ndonjëherë model organizimi, sigurie, dhe ndjeshmërie kaq të lartë për njeriun, dhe mjedisin ku jeton.

Aty ku lugina është më e qartë, dhe kodrat krijojnë një reliev më të ashpër, e pothuaj të virgjër, shfaqet Kodra e Hamamit.

Në krye një tabelë tregon se është zonë arkeologjike, ndërsa në mes të kodrës, një mesoburrë, i veshur me uniformën e punëtorit të TAP, pra si edhe ne, me jelek të verdhë, e kokore shquhet së largu. Na tregojnë se vendi ka rojë 24 orë. Na paralajmërojnë se duhet të ecim me kujdes, të mos shkelnim mbi gurët e dalë në sipërfaqe, të zgjidhnim vendin e këmbës…Arkeologët Lorenc Bejko, Arbër Kadia, si dhe Nevila Molla na shoqërojnë në këtë tur, duke ndarë përvojën e punës së tyre në TAP, aq dhe befasitë e zbuluara përgjatë gërmimeve.

Së largu, një rrip i zhveshur toke, dhe disa brezare që ndahen nga njëra tjetra me gardhe gurësh, duke lënë në të djathtë një rrugë të gjerë, të sapohapur, dhe një tufë e tubacionesh gjigantë, të zinj. Vetëm kjo pjesë është e qëruar, ndërsa në të majtë kodra vazhdon me ferra e ullinj të rinj. “…Imagjinoni një shpat kodre e mbuluar e gjitha me bimësi mbushur me vegjetacion, ja shihni përballë, cila ka qenë pamja fillestare….”, na tregon Lorenc Bejko, që konkretisht merret me administrimin e trashëgimisë kulturore në kuadër të TAP-it, i cili tregon se ka qenë një sfidë e paprovuar më parë, sa i takon gërmimeve dhe përgjegjshmërisë ndaj arkeologjisë. Arkeologët mendojnë se vendbanimi i zbuluar shtrihet në të gjithë kodrën, si pjesë e një vendbanimi rural shumë më e madhe se hapësira që tashmë është gërmuar. “Është arkeologji dhe nuk mund ta kemi luksin e hapjes së gjithë vendbanimit,. Kjo është më se e mjaftueshme për të kuptuar se si ka funksionuar struktura ndërtimore, fazat historike që përfaqësohen. Nuk kemi mundësi të gjurmojmë mbrapa gjithë këtë hapësirë, pasi bëhet edhe më e komplikuar për shkak se është pronë private”.

Më krah të djathtë pothuaj rrëpirë, arkeologët tregojnë se është rruga e vetme që mbetet për tubacionet e TAP, pas shmangies që iu bë me zbulimin e këtij kompleksi arkeologjik.

Por, para këtij devijimi Bejko thotë se ka pasur gjatë gërmimeve edhe dy devijime të tjera, më të mëdha, po në këtë rast bëhet për sakrifica arkeologjike, dhe kjo e Kodrës së Hamamit rezulton më e shkurtër si rrugë.

Ndryshe nga tarraca e parë, që vjen jo paralel me të tjerat, arkeologët na tregojnë se kalldrëmi që shfaqet në brezaren e dytë, vjen i vendosur mbi rrënojat e antikitetit të vonë, dhe që duket, se vazhdon akoma mbi ndërtimet e fazës së parë.

Dukshëm një shesh i madh publik, kjo hapësirë te kalldrëmet ka edhe gjurmë të tubacioneve të ujit, vendin ku ngrohej duke na dhënë informacionin se kemi të bëjmë me pjesët e një termeje, banjoje turke. “Kuptohet që është adaptuar shumë mirë me terrenin e thyer, dhe me krijimin e këtyre tarracave, që si duket kanë qenë të nevojshme për qëndrueshmërinë e ndërtimit. Hapësira është shumë e vogël, ka shumë kthina që për momentin, jo të gjithave ua kuptojmë funksionin”.

Në këtë proces ka patur dy gjëra të rëndësishme, thotë Arbër Kadia, monitorues për trashëgiminë kulturore, duke e lidhur me standardizimin dhe zbulimet, që pothuajse harta me të cilën përballen sot gjetjet e reja, do ishte e pamundur të pasurohej po të mos ishte në kuadër të TAP. Ndërsa arkeologia Nevila Molla, thotë se zbulimi i këtij vendbanimi na jep rastin jo të një fragmenti, por të një fshati, për të cilin do të ketë një studim në shumë dimensione. Këta arkeologë na flasin për më shumë se 30 gjetje arkeologjike të rastit, të paparashikuar dhe nga survejimet paraprake, të cilat janë raportuar pranë Këshillit të Shërbimit të Arkeologjisë. Por nga ana tjetër, flitet me ngurrim pasi, në gjithë territorin shqiptar piratët s’kanë pushuar së gërmuari në kërkim të “legjendave të arit”.

Duke iu afruar zonës së vendbanimit të zbuluar, Bejko ndalet për të na treguar se fillimisht ishin ndeshur me një strukturë të vogël, në formë rrethore, që i takonte ndoshta një kishëzë të vogël, një kapele të vogël. Po, thotë, në fillim ishte Kisha, ku prej kësaj pike të njohur, nisën investigimin, duke pasuar me mjaft të panjohura. Me hapjen e gërmimit në pjerrësi filluan të dalin një numër i madh strukturash, kontekstesh arkeologjike, thotë Lorenci. Tregon vendin ku ishte varri individual, në hyrje të kodrës, një strukturë pllakash guri dhe muret e tarracimit më pas; rrugët dhe sheshet midis banesave të shtruara në mënyrë sistematike me kalldrëm; në një brez tjetër të tarracës, ndeshemi me një objekt publik siç është hamami, banja, si dhe mbetje të veprave inxhinierike të sjelljes së ujit e kanalizimeve për shkarkimin e ujërave. “Është një numër i madh elementesh që i jep këtij siti një lloj kompleksiteti, por dhe një hapësire të gjerë kohore”, thotë Bejko. Për ironi sjelljet njerëzore në këtë zonë zbulojnë të njëjtën: në kodër shtrihen në të djathtë tubacionet antike prej qeramike, punë artizanësh, dhe në krah të saj rruga e shtruar për vendosjen e tubacioneve të sotëm, një tjetër teknologji në kohë.

Ende jemi në brezaren e parë të Kodrës së Hamamit, dhe Bejko duke iu referuar materialit të imët arkeologjik, thotë se vendi ku shkelim tregon se jemi në fillimet e shekullit VI të erës sonë, dhe kompleksi i parë ndërtimor, i takon antikitetit të vonë.

Arkeologët këtë e përcaktojnë si një periudhë mjaft interesante, që lidhet me rënien e perandorisë romake, dhe ndarjen në dy perandori të Lindjes dhe Perëndimit, ku me shpejtësi fillon epoka e mesjetës me problemet e saj.

Më sipër kodrës, shihen shumë elemente të tjera, ku Bejko thotë se si vazhdon bota ndërtimore, me traditën romake, qoftë nga struktura materiale ashtu dhe objekte të tjera të gjetura që i takojnë kësaj trashëgimie, dhe padyshim vihen re edhe elemente të fesë së re që nisi të përhapet në këtë territor. Këtu janë gjetur shumë copëza qeramike të mbledhura së bashku, për të cilat Bejko thotë se lidhen me enë të mëdha të depozitimit të drithërave, e që mbajnë zajretë, si dhe objekte të tjera të përdorimit të përditshëm, ku pjesa më domethënëse është marrë për t’u analizuar. Për materialet e grumbulluar në fillim të kodrës, të cilat janë dokumentuar, Bejko tregon se janë sistemuar dhe pritet vendimi se çfarë do të ndodhë me sitin në të ardhmen. “Ky informacion është marrë në pikëpamje statistikore e sasiore dhe është dokumentuar duke pritur të rivendoset diku tjetër…”.

Është një material i shumtë për të cilat Bejko thotë se është e vështirë që e gjitha të ruhet nëpër depot që ka Ministria e Kulturës, sidomos materiali ndërtimor.

Por, menjëherë na thuhet se nga tarraca e dytë e deri sipër kodrës ka një program tjetër që arkeologët e quajtën të ri, rindërtimor pasi orientimi del krejt i ndryshëm nga gjetjet fillestare, si teknika e ndërtimit ashtu edhe mënyra e organizimit urban e hapësinor. Bejko thotë se është koncept krejt i ri, duke sjellë mesjetën e zhvilluar…

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Letra e “Senekës” për “Neronin”: Mbi letrën e debatuar të Kadaresë

Nga Ndriçim Kulla Flitet për një letër të Senekës për Neronin para...
Read More