Të kuptosh “shpirtin e largët” të Edi Hilës

Më në fund, drejtori i ri i Galerisë Kombëtare të Arteve hap dyert për publikun, me ekspozitën retrospektivë të piktorit Edi Hila, të quajtur piktori i transformimit. Duke prezantuar artistët e mënjanuar nga Europa Lindore, Muzeu i Artit Modern në Varshavë para pak kohësh me këtë argument i referohej veprës së Edi Hilës, duke paraqitur për herë të parë krijimtarinë e tij në këtë muze. I njëjti pasazh transferohet në Tiranë në ekspozitën që hapet të enjten

Një artist që nuk pranoi të mashtrohej nga gjurmët e transformimit, në ndjekjen e kërcënimeve të ndryshimeve që vinin bashkë me të. Duke prezantuar artistët e mënjanuar nga Europa Lindore, Muzeu i Artit Modern në Varshavë para pak kohësh me këtë argument i referohej veprës së Edi Hilës, duke paraqitur për herë të parë krijimtarinë e tij në këtë muze.

I njëjti pasazh transferohet në Tiranë, duke u quajtur nga Muzeu i Varshavës si “piktori i transformimit” lidhur me Shqipërinë e dikurshme në raport me ndryshimet e sotme.

Me këtë retrospektivë të Hilës më në fund Galeria Kombëtare e Arteve hap sezonin artistike, pothuaj në mbyllje të tij, që prej emërimit në krye të saj të Erzen Shkolollit, që është njëkohësisht edhe kuratori i veprës së piktorit së bashku me Joanna Mytkowska, Kathrin Rhomberg. Puna e pas ’90-ës, – kur artisti ndjek kërkimet e tij drejt pikturës, se si ai vëzhgoi me kujdes jetën pas rënies së diktaturës, në përpjekje të përshkruante realitetin e transformimit shoqëror – është e shfaqur në serinë novatore Comfort (1997). Duke vazhduar në këtë rezistencë të realitetit, Hila vendoset në disa seri, ndër më të rëndësishmet Paradoks (2000-2005), Marrëdhëniet (2002-2014), Kërcënimet (2003-2009), Objekte në rrugë (2007-2010), Bulevardi i dëshmorëve të kombit (2015) dhe Një tendë në çatinë e makinës sime (2017). Kuratorët e ekspozitës Kathrin Romberg, Erzen Shkololli dhe Joana Mitkovska e vlerësojnë këtë lloj pikture nga detajet të cilat ai i shfrytëzon për të përcjellë të vërtetën psikologjike të fenomenit të vëzhguar. Duke përzgjedhur me kujdes temat te Hila veçojnë forcën e autenticitetit të vëzhgimit të përditshëm, si dhe universalitetin e parimit ekzistencial. “Në versionin e tij, kjo shmang transformimin në Evropën Lindore të aksidentit ose aventurës tipike të shumë prezantimeve dhe i jep asaj peshën e të vërtetave, sikur të ishte kronisti i tij përfundimtar”.

I mbështetur te klasicizmi, piktura e Hilës shihet si një magjepsje me burimin te Rilindja.

“Është sikur modernizmi të zhduket nga fusha e tij e interesit dhe nuk ka dilema të modernitetit. Kjo është arsyeja pse transformimi, në përplasje me traditën klasike të pikturës dhe të ekuilibrit të kuptuar në shpirtin e largët të Rilindjes, e përcjell në mënyrë të qartë ndarjen dhe goditjen ndaj harmonisë dhe rendit. Nga ana tjetër, ajo është e rrënjosur në dilemat njerëzore që janë të vështira për t’u fshehur”. Mbi këtë ide ekspozita e Edi Hila në Muzeun e Artit Modern në Varshavë u pa në kontekstin e një sërë ekspozitash të përkushtuara për artistët e anashkaluar nga Europa Lindore ku gjatë viteve të fundit në këtë muze ka pasur disa ekspozita monografike. Por ky projekt shtrihet përtej kuriozitetit akademik ose nevojës historike.

Hila është prezantuar si një shembull, me përvojën e së kaluarës kur në vitet 1960 ai eksperimentoi me deformimet. Dhe në vitin 1972 ai pikturoi Mbjelljen e Pemëve, një pamje e këndshme, paraqitur paksa joreale përmes përdorimit të ngjyrave. Për këtë shkak kjo shmangu doktrinën e realizmit socialist, dhe piktura u përdor si pretekst për dënimin e tij.

Ekspozita në Varshavë ka qëndruar e hapur prej 2 marsit, deri më 6 maj, të këtij viti duke qëndruar në një nga linjat me të rëndësishme të artit bashkëkohor në botë

Edi Hila ka lindur në Shkodër në vitin 1944. Ai jeton dhe punon në Tiranë. Pasi përfundoi studimet e larta pranë Institutit të Arteve në Tiranë në vitin 1967, Hila filloi punë si skenograf në Radio Televizionin Shqiptar. Në vitin 1972 ai pikturoi Mbjellja e Pemëve, një pikturë që fillimisht u vlerësua nga publiku dhe kritika e kohës. Një vit më vonë, Hila kreu një formim profesional si skenograf pranë stacionit televiziv të Firences. Kontakti me muzetë si dhe pikturën rilindase do të ishte në të ardhmen një ndikim i rëndësishëm në punën e Hilës.

Gjatë kësaj periudhe në Shqipëri filloi ndëshkimi i shfaqjeve me influenca të huaja në art dhe kulturë. Si pasojë u kritikua Mbjellja e Pemëve si dhe dekori i Festivalit të 11-të. Mbjellja e Pemëve u cilësua si një pikturë me një ekspresivitet të theksuar që devijonte nga doktrina e realizmit socialist e të cilës i mungonte e ashtuquajtura “frymë revolucionare”. Për këto arsye, kjo pikturë së bashku me dekorin e Festivalit të 11-të, shërbyen si bazë për dënimin e Hilës, duke e dërguar për riedukim në fabrikën e rritjes së shpendëve në vitin 1974. Largimi nga realizmi socialist, i kushtoi Hilës tri vite në fabrikë, ku detyra e tij kryesore ishte transporti i thasëve. Gjatë viteve 1975-1978, ai krijoi fshehurazi një seri vizatimesh e grafikash në akuarel, motivet e së cilës frymëzoheshin nga puna dhe jeta e punëtorëve të fabrikës së pulave.

Në vitet 90-të, Hila vazhdoi të pikturojë duke kërkuar rafinimin e qëndrimit të tij estetik, duke e vëzhguar me kujdes jetën teksa ndryshonte thelbësisht pas rënies së regjimit komunist dhe duke u përpjekur të paraqesë realitetet e transformimit shqiptar. Hila krijoi serinë novatore Komfort (1997) gjatë krizës së thellë që pasoi rënien e skemave piramidale, e cila çoi vendin në një kaos të gjithanshëm. Seria paraqet utopinë e konsumit të pashtershëm që i ishte premtuar shoqërisë së re.

“Të punuarit në mënyrë tematike i zhvesh transformimet e Europës lindore nga rastësia apo aventura, të cilat gjenden rëndom në shumë interpretime të tjera të këtij fenomeni në rajon. Duke iu dhënë këtyre transformimeve peshën e të vërtetave thelbësore, duket sikur është ai, pra artisti, kronisti i fundit i tyre. Realizmi i pikturës së Hilës është i veçantë, i bazuar në vrojtimin e vëmendshëm të detajeve, të cilin ai e shfrytëzon për të përçuar të vërtetën psikologjike të fenomenit të vëzhguar. Ky reduktim thelbësor vjen nga prirja e Hilës ndaj klasicizmit si dhe magjepsja me burimet e pikturës rilindase. Duket sikur modernizmi ka avulluar nga fusha e interesave të tij. Ndaj transformimi i paraqitur në punën e Hilës përcjell një përçarje e sulm ndaj rregullit dhe harmonisë. Ndërkohë, rrënjët e punës së tij ndodhen në dilemat njerëzore, e këto vështirë se mund të fshihen pas shëmbëlltyrës së modernizimit”, thuhet në njoftimin për mediat.

Edi Hila, Piktori i Transformimit është një projekt i përbashkët i Galerisë Kombëtare të Arteve, Muzeut të Artit Modern të Varshavës dhe Koleksionit Kontakt në Vjenë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Alle Da”: Që fëmijët të përfshihen si qytetarë europianë

Botimeve Poeteka për fëmijë dhe të rinj iu shtohet edhe një libër...
Read More