Te liqeni i zemrës: Zef Skiroi i dheut amë dhe poezisë

Tufa e poezive “Te liqeni i zemrës” është e gjitha besnike e ndjeshmërive të poetit, por do thosha edhe të dramaturgut.

Ani pse poezia e drama janë gjini letrare të ndryshme, ashta është po ajo, që unë e kam parë sa te e para, ashtu edhe te e dyta, pra dhe te ky vëllim i fundit.

Është po ai Zef Skiro, arbëreshi me përjetimet mbi fatin e popullit të tij, me mallin dhe brengën e hershme e të sotme

Nga Josif Papagjoni
Para do ditësh isha ne Sarandë, në një tubim të bukur shkrimtarësh që kishte organizuar Lidhja e Shkrimtarëve Jonianë: shqiptarë, grekë, italianë, boshnjakë, maqedonas, shqiptarë nga Kosova dhe të tjerë. Krahas veprimtarive të tjera, u bë dhe promovimi i librit të fundit poetik të shkrimtarit të mirënjohur arbëresh Zef Skiro di Magio.

Është ndër të paktët atyre anëve, tutje dheut mëmë, një shenjë identitare dhe personalitet kulture dhe i letrave jo vetëm në Horën e Arbëreshëve në Siqeli ku ka lindur dhe ka fis e farë, por gjerazi në hapësirën e motmotshme shqiptare në Itali. Ishte takimi ynë i parë së toku, rasti s’e kishte dhënë më parë, paçka se këmbenim fjalë të ngrohta vlerësuese andej-këndej detit Adriatik. Vite më parë, Nasho Jorgaqi më pat dhënë një tufë dramash të shkruara nga Zef Skiroi dhe më tha t’i lexoja e, mbase, t’i përcillja diku në shtyp me ndonjë shkrim.

Ashtu bëra! Madje e zgjerova qasjen time analitike duke e kthyer në një studim për dramaturgjinë e tij, 18 drama gjithsej, dhe i përfshiva në librin tim “Grishje nga/për letërsinë”. Në ato drama të inskenuara fshatrave arbëreshe ndihej përherë ai, malli gërryes për dheun e të parëve nga gjysh-stërgjyshërit që ikën dhe u ngulën atyre krepave e gërxheve të Siçilisë. Ndërsa drama e tij, “Nita”, është vënë në skenë si tek ne në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë.

Kur u çua për botim një përmbledhje me dramat e tij, unë i bëra një përcjellje, siç thashë, të gjerë mbushur me simpati të thellë për atë – një mbresë e mirënjohje kjo prej miqsh – që ai e shfaqi dhe publikisht në rrjetet sociale tek shkruante: “Profesori më shkruajti një parathënie letraro-shkencore te libri me titull “Teatri im Arbëresh – Tri Vepra: Për Tokën fisnike të Horës, Orëmira, Kërkuesit” – dalë nga Shtëpia Botuese Ombra GVG, më 2010 në Tiranë. Shkruajti edhe zërin “Zef Skiro Di Maxho” te vëllimi i tij “Enciklopedi – Teatri & Kinematografia Shqiptare” – Botimet Toena – Tiranë 2009. Gëzim i madh të kem përpjekur (takuar) në Sarandë në ndodhjen e promovimit të librit tim me poezi: “Te liqeni i zemrës”, botuar nga Milosao”.

E pra, fjalë mirënjohjeje e zemre. Prandaj kisha shkuar në Sarandë, paçka se me një grip të fortë e zëngjirur, për të takuar e folur për Zef Skiro Di Maxhon dhe librin poetik të tij tek ajo tubë shkrimtarësh që këmbejnë libra dhe recitojnë vargje të tyre. Komunikonim ndonjëherë dhe në facebook, por gëzimi i shtrëngimit të dorës dhe një përqafim vëllazëror është ku e ku më ndryshe. Fola atje, tok me të tjerët, për librin e tij të fundit me poezi “Te liqeni i zemrës”, botuar nga “Milosao” nën kujdesin e poetit sarandiot Agim Mato. Ato pak fjalë doja t’i thosha dhe në këtë shkrim…

…Tufa e poezive “Te liqeni i zemrës” është e gjitha besnike e ndjeshmërive të poetit, por do thosha edhe të dramaturgut. Ani pse poezia e drama janë gjini letrare të ndryshme, ashta është po ajo, që unë e kam parë sa te e para, ashtu edhe te e dyta, pra dhe te ky vëllim i fundit. Është po ai Zef Skiro, arbëreshi me përjetimet mbi fatin e popullit të tij, me mallin dhe brengën e hershme e të sotme, me valëzimin e shpirtit që preket edhe për kostumet e vashave arbëreshe e bukurinë e tyre, edhe për poetët e vdekur shqiptarë, edhe për qytetet tona qoftë Peja, Ulqini, Struga, Berati e kudo gjetkë ku ka qenë i ftuar e ka bujtur së fundmi, edhe për vdjerrjen që po ngjet në doke e zakone, sidomos në gjuhën amë, shprishjen e saj nga amalgamat leksikore dhe sintaksore të italishtes.

Brenga e tij flet vargjeve edhe për emigrimin shkretues, braktisjen e fshatrave, pleqtë e mbetur vetëm – këto peizazhe të trishta që të sëmbojnë në mishin e plaguar të zemrës me hiçin, shkretimin, braktisjen. Dhe plot e plot brenga, dridhje zemre, telashe, dufe, dhembje, harmime plagësh të vjetra e të reja, gjak e qelb, kripë e sheqer, dritë e hije, gjersa shpirti s’ia mban më e këlthet: O të rreptë Etër Arbëreshë/ nga bindjet tuaja të përjetshme/ atje te varri u grisën/ nani digat/ e kohëve çë latë trashëgim…

“Liqeni i zemrës” është një përzgjedhje nga Anton Nikë Berisha nga mbi 10 libra poetikë të mëhershëm të autorit. Siç shkruan Antoni, te ky libër “vërehen vlera të rëndësishme të poezisë së Zefit, që e pasurojnë më tepër botën dhe mozaikun e tij poetik, që njëkohësisht nënkupton dhe pasurinë e poezisë së sotme arbëreshe në përgjithësi”.

Nga të parat gjëra që dua të them, e cila lidhet me vëllimin poetik por edhe më tutje tij shkon është gjuha, aroma e saj që vjen si nga diku, tutje-tutje, mugëtirës së historisë së largët, kur trimat e Skënderbeut e të Motit të Madh ikën e u ngulën brigjeve italiane që mos të thyenin besën e të parëve, besën e dheut, shqipen e hershme të arbëreshëve, fenë e tyre, prej nga vjen dhe historia e moçme e ngulmimeve arbëreshe në Italinë e Jugut, në Siqeli e Kalabri.

Ka shumë tema e motive fletëve të kësaj përmbledhjeje, janë doket e zakonet e tretura ndër njerëzit e atyre anëve, është malli për vendlindjen, por jo pak edhe rreziku i zhbërjes së gjuhës, tretja e saj në heshtje e mes farfurive estetike prej ‘harresës”, kamjes dhe integrimeve gëlltitëse. Ti fare lehtë e ndjen pulsin e Zef Skiros, mërzinë e tij nga zmbrapsja e kockës së vjetër arbërore nga “modernizimi” i zakoneve dhe stuhitë e globalizmit, nga vërshimi i kulturës virtual. Atij i dhemb shpirti teksa sheh e ndjen lëshimin si pa u ndjerë të copave të identitetit arbëror, shoqëruar nga një brengë e mëri që shihet tej e tëhu pezmit e ironisë së vargjeve.

Nga ky libër duket sikur del njëherazi një “aht” prej shpirti të brengosur, sa dhe ironik. Të vdekurit e Zef Skiroit peshojnë aq shumë: mëma (që nani di gjithë të fshehtat e qiellit), vëllai (poezia prekëse “Këtu kam dhe tim vëlla”, ku e bukura More e sprasme është këtu/ ku jam./ Këtu u kam zotin tatë, këtu u kam zonjën mëmë/ këtu kam dhe tim vëlla/ gjithë mbuluar në këtë dhe (atdhe).

Por kjo More e largët, sa e spërndritur nga kujtesa dhe malli aq dhe e çmuar së fundmi si Siçili e Kalabri, pra si “Atdheu i Ri”, vjen edhe në qasje gazmore e me një metaforë të këndshme ngujuar, ku bëhen tok shqiptarët e sotëm si emigrantë të rinj në Itali me arbëreshët si emigrantët e dikurshëm brigjeve të kësaj Italie, ku: Kushedi në kanë ndërgjegje/ se ritakohen pambarim/ nga dy More të largëta çdoherë./ Mëma o bija/ motra o dama shoqërimi (poezia Dy More të largëta). Paradoksi është domethënës.

Vijnë në vjershat e Zef Skiros si nga yllësitë e kujtesës fanitje arbëreshësh të jashtëzakonshëm si Jeronim De Rada, epokalë në kontributet e krijimit të Arbërisë së re, Shqipërisë, falë ngasjes mallëngjyese të vëllait të vdekur, Xhirolamos; lotët e nxehtë mbi rrasën e varrit të shkrimtarit arbëresh Vinçenc Belmonte, një vashë që reciton vargjet e poetit Vorea Ujko, përmallja për vendet ku ka shkelur këmba e poetit fshatrave arbëreshe të shndërruara në memorie të ëmbla.

Poezia e Zef Skiroit nuk duhet lëvduar thjesht si e ardhur nga strukturat e mbijetuara të gjuhës shqipe në trungun arbëresh, as si një relikte a një farë politese ndaj tij si arbëresh. Afërmendsh edhe kjo është, zë një vend mirënjohjeje, pse jo! Zefi s’e pranoi këtë qasje “sentimentaliste” në tubimin e shkrimtarëve në Sarandë duke pohuar një mendim që ka me vete gjithë arsyen estetike e teorike: Poezia është dhe duhet të jetë “poezi”, në gjithë aromat dhe ngjyrat e saj të mëvetshme.

Por… por… materia e poezisë, i dashur Zef Skiro dua t’i them unë, është gjuha. Dhe unë dua aq shumë ta çmoj atë gjethnajë të lisit të motshëm deradian që qit dhe sot, nën penën tënde të ëmbël, bisqet e rinj; bisqe që epohen nga të mbramet e shqipes, por edhe trungun e vjetër të arbërishtes e lakmojnë po njësoj.

Dhe meqë jam në këtë brazdë, unë po sjell vetëm pak vargje të një peizazhi fort të bukur në vjershën “Gjithë retë papritur”, ku thuhet: Gjithë retë papritur/ i ha era/ barra e plumbtë mbi frymën e shkurtër/ avullon/ brazda hapur te liqeni i zemrës…

Dhe për t’i dhënë lexuesit provën e shijes, dua ta sjell të plotë poezinë e ndjerë, madje brilante, kushtuar vdekjes së poetit Ali Podrimja, që shfaqet dhe si një kredo poetike e vetë Zefit: Kur vdes Poeti/ Pëlhura e Faltores shqyhet/ E Zeza pushton Botën/ pasiguria kap Njerëzit/ Fjala mbyllet në Varr/ Të tretën ditë/ Fjala ringjallet nga Varri/ Njerëzit rimarrin Guxim/ Ngjyrat ripushtojnë Botën/ Pëlhura e Faltores e re pa arnim/ Në Fytyrë Shqipeje/ Arbëri/ në sqep mban/ Kurorën Tënde Dafinash…Prandaj Zef Skiro di Maxho për mua është një karakoll i gjakut të shprishur të Arbrit, një shenjë e fener, ku pulson ende drita e atyre njerëzve, që ndonëse shekujt peshojnë aq fort mbi shpatullat e tyre, gjithsesi janë e kanë mbetur po ata, arbëreshët e dikurshëm me dashurinë dhe mallin e pikur për mëmëdhenë, atje ku “kanë nënë e tim vëlla”.

Është një dritë që vibron edhe shpirtit të mikut tonë të shtrenjtë, një dritë që të tjerëve u jep ngrohtësi, ndërsa vetes paqe, mall dhe lumni krijuese. Ardhsh serish në “dheun amë” i dashuri Zef Skiroi! Edhe atje, te Saranda e bukur e buzë detit, ku ti the se jemi nga këto brigje dhe “na”, se shumë emra fshatrash kanë të njëjtin emër andej e këndej Jonit, se kujtesat e djeshme i përkëdhelin miqësitë e sotme…

Shkruar Nga
More from Redaksia

Jane Austen: Krenaria dhe paragjykimet, një “shembull i keq”?!

Është historike mbledhja e tre autorëve të famshëm për të kujtuar shkrimtaren...
Read More