Të lirë në Spaç

Një vizitë nga afër e kampit-burg më famëkeq të regjimit diktatorial. Lugina e harruar mes malesh, godinat në gjysmë rrënoja të një monumenti kulture të kategorisë së dytë. Vuajtjet dhe tmerret çnjerëzore, rrëfyer nga një ish i dënuar… A mund të ishe i lirë në Spaç? E vetmja liri që ndjemë në një ditë fund maji të vitit 2017, ishte të shkelnim në hapat e atyre që lirinë ua vodhën për vite.

Nga Suadela Balliu

Foto: Ani Jaupaj

Nga dritarja pa hekura e një prej qelave të katit të tretë, edhe qielli të dukej i burgosur. I zënë fryme prej atij mali, që edhe pse i gjelbëruar në këtë fundmaji, dukej kërcënues…po aq sa tri rrethimet e telave me gjemba qark luginës. Poshtë, në hapësirën disa metrash katrorë, me bar të rrallë e të shkelur, sheh një burrë flokëzbardhur duke biseduar me një grup studentësh të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë nga Universiteti i Tiranës, që kanë mbërritur aty për një vizitë, të organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë ( IDMC). Vizitës i jemi bashkuar edhe dy gazetare të medies së shkruar. Spaçi është nga ato rrugëtime (jo thjesht destinacione) që duhen bërë të paktën njëherë në jetë. Për të kuptuar, ndjerë e për të shkruar më pas për një vend njëmendi të përjetuar, përpos përshkrimeve të të tjerëve.

…Telat e rrethimit tash nuk janë më. Me shumë gjasë banorët e zonës i shitën për skrap (biznes i tranzicionit). Por Gjeto Vocaj tek na bën udhë, i vijëzon me gishtërinj, duke e kthyer këtë vizitë si në një rrugëtim imagjinar drejt së shkuarës, ose më saktë një vizitë në një prej rrathëve të ferrit, ndoshta më të tmerrshmit.

“Nuk ishim të dënuar, jo. Ishim skllevër”, shton Vocaj, ndërsa rrëfen se rrathëve me tela e me kabina rojesh mundën t’u arratiseshin vetëm dy burra. Shpesh rrëfimet e tij vishen me legjenda. Kaluar gojë më gojë narratorët i kanë shtuar gjithnjë e më shumë elemente gati të mbinatyrshme historive, si për t’i dhënë zemër sho-shoqit se edhe të pamundurave mund t’u arratisesh. Maks Velo, i cili hyri në qelitë e Spaçit më 1979–ën e rrëfen me detaje dhe nota më realiste historinë e dy burrave. U dorëzuan në pikë kufitare në përpjekje për arratisje dhe përfunduan sërish aty në Spaç. Askush më, nuk provoi guximin e arratisjes prej atyre telave.

Veç një djali të ri, që qëllimshëm iu ngjit për të vdekur. Maks Velo e kujton fare mirë atë ngjarje. Thuhej se oficerët e përdorën si informator brenda burgut. Kështu thuhej, por të vërtetën ai e mori me vete. Pas takimit me nënën e motrën, iku i zemëruar. Kur roja e thirri për t’i dorëzuar torbën me ushqime që e ëma i pat sjellë ai refuzoi dhe pa e zgjatur iu hodh telave. E lanë aty të vdekur derisa ekipi hetimor mbërriti me automjet nga Rrësheni. Varur në telin me gjemba mbeti njëra prej këpucëve të tij të rrëgjuara. Pasi Maks Velo bëri një skicë të kufomës mbi tela, që ia kërkuan ekipi hetimor, vite më vonë shkroi një tregim mbi këpucën në tela. Jo vetëm kujtim, por simbol i vuajtjeve të atyre që ikën, detyrë për t’i përjetësuar të atyre që i rezistuan të gjallë regjimit.

Të kërkoje Spaçin ish si të kërkoje Kurrkundin. Sidomos për ata familjarë që mbushin trastat me pak ushqime dhe merrnin udhën drejt burgut të Spaçit. Sot, me mjetet e transportit dhe infrastrukturën rrugore gjendesh për dy orë në stacionin famëkeq. Atëherë, kujton Gjetoja, se të gjithë shoferëve të kamionëve që u binte rruga këtej, u ishte ndaluar të merrnin familjarë. Mbase më ngulmuesit mbërrinin. Pasi kalonin dhomëzën e kontrollit para portës hyrëse të burgut, u drejtoheshin dhomës së takimeve, që zgjasnin vetëm 15 minuta. Oficerët e shërbimit kontrollonin trastat me ushqime. Ata që ishin më fatlumët (familjarët e të cilëve mundeshin të mbërrinin në ‘Kurrkund’ me trasta ushqimesh që ishin ‘kursyer’ pa degdisur në kampe internimi) mund të hanin diç që e kishte ende shijen e ushqimit.

Ujë e kripë, baza e ushqimit të të dënuarve

Të tjerët do të zinin radhën para mensës, aty ku gaveta dhe luga e aluminit (që të kthehej aq e pandashme sa edhe emri, prej trupit) vihej në radhë përpara një ulluku, ku kullonte ujët e shiut “E kishin vu’ për kastile aty që të mbushej gaveta me ujë shiu dhe po të mos e zbrazje shpejt e hidhnin garuzhdën me gjellë sipër ujit”. Por edhe ushqimi i mensës së burgut bazën e kishte ujë. Ujë, kripë dhe një grusht makarona, ishte mëngjesi i dy mijë të burgosurve. Atij që i binte një makaron në masën e madhe të lëngut të kripur, mund të quhej më i ngrënë. Dreka vijonte thuajse me të njëjtët asortimente, ku makaronat zëvendësoheshin me oriz. Ndërsa darka ishte çaj. Kjo ishte menyja e pandryshueshme.

“Ishte nji ushqyerje për ta çu’ njeriun drejt vdekjes dhe nuk kanë vdek’ pak”, tregon Gjetoja. Menyja me pak fjalë ndahej në tri nivele; më e varfra për të papunët, diç në mes për ata që punonin në sipërfaqe dhe pak më e pasur për të burgosurit që punonin në minierën e bakrit dhe piritit, aty pranë. Të burgosurit urdhëroheshin të kryenin normën brenda turnit, që ishte prej 12 vagonësh mineral. Ata që nuk mundeshin ta kryenin, merreshin, zhvisheshin, lidheshin pas një shtylle me këmbët zbathur në dëborë për tetë orë rresht, ndërsa shihnin shokët që mundoheshin aq shumë fizikisht ta kryenin normën. Rruga drejt minierës bëhej më këmbë, të lidhur dy nga dy, ndërsa kontrollet në trup prej oficerëve bëheshin dy herë; një herë në kamp e një herë në hyrje të minierës. Pas tetë orëve, kthimi i gjente në mensë, aty në radhë për ushqimin, që veç vlera ushqimore nuk kishte.

Vendi i kujtesës, i harruar

Pasi zbret disa shkallë, e ulesh në një tjetër nivel tarrace të hapësirës së kampit, në të majtë mund të shohësh mensën. Ose atë që dikur ka qenë e tillë. Sot është thuajse krejt e rrënuar. Në të djathtë, tabela pranë një godine tjetër, lyer me bojë ngjyrë tulle, të thotë se ka shërbyer si qendër shumë funksionale –e ndërtuar pas zhvendosjes së të burgosurve politikë në anën e galerive. Maks Velo kujton se i patën kërkuar të skiconte planin për atë godinë, bashkë me atë të oficerëve, që u projektuan prej tij dhe u ndërtuan nga vetë të dënuarit. Hapësira në mes ishte sheshi ku të burgosurit rreshtoheshin për të ngrënë sipas zonave të shënuara në mure. Tanimë të padallueshme. Toka bëhet më e pjerrët aty ku ngrihen fjetoret e të dënuarve. Ajo që ka mbetur prej tyre është vetëm struktura. Tulla, hekura, pllaka apo dyshemetë me çimento janë shkatërruar. Në disa prej dhomave, ku flinin 54 burra, nga lagështia gjallon bimësi.

Burgu i Spaçit renditet, aktualisht, si monument kombëtar i kategorisë së dytë. I vetmi element që ta kujton këtë janë tabelat sqaruese. Gjithçka tjetër është lënë në (pa)mëshirë të kohës. Nga projekti i detajuar për restaurimin e godinave, kthimin në muze me relikte nga jeta aty, do kenë mbetur vetëm letrat. Asgjë konkrete nuk është bërë. Mbrojtja e vetme është nga një banor i zonës, që siç pretendon ai prej tetë vitesh kur u zotua se do e mbronte, nuk do të shkulej asnjë shufër apo tullë. Ai thotë se nuk ka ndodhur.

Përballë tyre kanë mbetur thuajse themelet e kuzhinës ku të burgosurve me ushqime nga familja u lejohej të gatuanin, por nuk u lejoheshin drutë. Kështu të burgosurit bënin ndonjë ujdi të vogël me oficerët në këmbim të ca shkarpave. Një copë hekuri e ngulur thellë në tokë, thuhet se u shërbente të dënuarve për t’i prerë drutë e për të gatuar vaktin që ua siguronte frymën edhe për pak kohë. Kënaqësia më e madhe është kur pihej kafe. Nuk kishte xhezve, por të burgosurit përdornin çdo mjet rrethanor. Një paketë cigaresh “Durrësi” mblidhej në formë hinke e aty ziente disi kafeja, që gjerbej ashtu.

Pak më tutje janë rrënojat e tualeteve, që i ka zënë bimësia, por ende dallohet vendi ku mbahej sapuni. Kjo ishte edhe pjesë më e tmerrshme, kujton Vocaj. Pasi numri i vogël i banjave, i detyronte të mbanin radhë të gjata, të cilat duhet t’i lije pasi oficerët mund të të thërrisnin për paraqitje. Edhe pse godina nuk ekziston më, tabela shënon se aty mbylleshin për ndëshkim të dënuarit që nuk realizonin normën në minierë apo që kryenin shkelje të ndryshme disiplinore. Dhoma ishte me përmasa 200x120cm. Tarraca e apelit bëhej edhe e vetmja copëz lirie ku të dënuarit mund edhe të shkëmbenin biseda nga bota “tjetër” herë pas here. Rrëfenjat, që shpesh merrnin edhe përmasat e miteve ishin ushqimi për të duruar, se do të vinte një ditë e do ta shihnin lirinë të valëvitej.

Revolta e Spaçit, 44 vjet më pas

Si ai flamuri i ngritur në mes të hapësirës prej gjashtë njësish të godinave të kampit-burg, i bërë me cohën e një jorgani të kuq, i pikturuar me bojë të zezë një shqiponjë, pa yllin komunist. Ishte ky akt dhe rebelimi triditor i të burgosurve ajo që njihet sot si revolta e Spaçit.

Në maj u bënë plot 44 vjet nga ajo betejë në kërkim të lirisë dhe të të drejtave të njeriut, ndodhur në vitin 1973. Revolta nisi me thirrjet “Ja vdekje, ja liri!”. Për disa orë revolta triumfoi, të burgosurit ia dolën të zotëronin kampin, përzunë policinë. Por ndëshkimi ishte mizor. Shumë prej pjesëmarrësve iu shtuan vitet e dënimit dhe katër prej tyre Dervish Bejko, Pal Zefi, Skënder Daja dhe Hajro Pashai, u pushkatuan. “Të mbijetuarit , ata që i rezistuan fizikisht terrorit prej 27 vitesh lënë dëshmitë e tyre me zë e shkrim mbi atë kohë absurdi dhe mizorie, por shumë nuk mundën ta shihnin qiellin pas atij mali që shihet nga dritarja e qelave të fjetoreve.

Eshtrat e tyre paemër prehen diku thellë, pas kanionit. Varroseshin netëve, për të mos pasur dëshmitarë veç hënës. Ndërsa e lë pas kampin, kalon portën hyrëse edhe dalëse që ndante zonën e të burgosurve me administratën, godinat e oficerëve (që sistemi djallëzor e po aq iluziv i kishte burgosur duke i lënë të lirë në rrethimin e kampit të Spaçit). Më tutje, aty ku është parkuar minibusi që do të na kthejë sërish në kohën e sotme janë godinat fantazmagorike të punëtorëve të lirë në Spaç. A mund të ishe i lirë në Spaç? E vetmja liri që ndjemë në një ditë fund Maji të vitit 2017, ishte të shkelnim në hapat e atyre që liria iu vodh për vite. Për shumë të tilla, të gjata e të ashpra…

Shkruar Nga
More from Redaksia

Çfarë duhet të përmirësojmë?

Nga Edi Rama* Po e përsëris që fitorja i takon Shqipërisë dhe...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *