Të pathënat e skandalit: Pse dolën tani në dritë Izet Haxhia dhe Agron Xhafaj

Partia Demokratike publikoi sot dosjen e plotë ku vërtetohet se vëllai i ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj  është i dënuar nga Gjykata Supreme e Kasacionit në Itali me 7 vjet e 2 muaj burg për trafik droge. Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj sfidoi Xhafajn për një deklaratë të këtij të fundit muaj më parë se do të mbante përgjegjësi për cdo prove dhe fakte që do të sillte PD-ja.

Dosja u publikua e plotë dhe aty duket e zeza mbi të bardhë i gjithë aktiviteti i vëllait, Agron Xhafaj.

Deri këtu gjithçka është e qartë. Ajo që është e paqartë është se pse Partia Demokratike priti që nga muaji shtator i vitit 2012 për të publikuar dosjen e plotë.

Nga dokumentet që ajo vetë publikoi shihet se vendimi ndaj Agron Xhafajt është marrë në muajin shtator të vitit 2012 kohë kur në pushtet ishte PD-ja. Sigurisht që procedura ka kaluar në ministrinë e Drejtësisë shqiptare asokohe e drejtuar nga opozita. Pra dosja për Xhafajn ekzistonte me letra.

Enkelejd Alibeaj u përpoq të shpjegonte se qëndrimi i PD-së në këtë përiudhë pra 2012 deri në 2013 (kur erdhi PS-ja në pushtet) ndaj kësaj dosje lidhej vetëm me çështje procedurash, duke fajësuar PS-në që nuk lëvizi gishtin prej vitit 2013 e këtej…

Atëherë pse PD-ja e publikoi pikërisht në këtë moment, kur ka thuajse një vit që e sulmon Xhafajn përmes konferencash për shtyp?

Pikëpyetjet dhe hamendësimet janë të mëdha…

Ajo që mund të thuhet me siguri është se publikimi i kësaj dosje lidhet me një tjetër ngjarje të rëndësishme atë të ekstradimit të Izet Haxhisë dhe paralajmërimit të këtij të fundit se do të kërkojë rihapjen e dosjes së Azem Hajdarit. Vetë Sali Berisha tha dy ditë më parë se dosjet i hap drejtësia dhe jo Rama duke sqaruar gjithashtu se Haxhia ishte një tjetër “kriminel në krah të Ramës”. Berisha la të kuptojë gjithashtu se kjo ishte një ndërhyrje e Ramës tek Erdogan për ta sjellë Izetin në Tiranë, përmes ministrisë.

Me të mbërritur, avokati i tij, Fran Dashi tha se dosja do të rihapet. Ndërsa vetë Izet Haxhia ka deklaruar parapakisht se do të ketë fakte të hidhura për Berishën në rast se dosja rihapet. Pra presioni mbetet…

Izet Haxhia mbërin në Tiranë, ndërsa PD-ja “nxjerr armët” e saj. Nga njëra anë “kërcënohet” se do të dalin të vërteta për Berishën, në anën tjetër Basha nxjerr kartat me të vertetat e hidhura të kësaj qeverisjeje.

Një aleancë fluide Basha-Berisha…dhe zbritje në betejë për të palarat nga të dy kampet…

Shkruar Nga
More from Redaksia

Mogherini: 2025 mundësi anëtarësimi edhe për Shqipërinë

  Zv.Presidentja e Komisionit Europian, Federica Mogherini, intervistë ekskluzive me drejtoren e...
Read More