Të varur nga ndërkombëtarët

Nga Ervis Iljazaj

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë disa kritika për politikat ekonomike të ndjekura nga qeveria shqiptare. Edhe pse marrëdhënia e qeverisë më këtë organizëm financiar ndërkombëtar ka ndryshuar, qëndrimet e saj ngelen përsëri të rëndësishme për politikën dhe opinionin publik.

Pa hyrë në detaje të orientimeve të saj për qeverinë shqiptare, ajo që bie në sy është fakti se Shqipëria ka nevojë ende për fjalën e ndërkombëtarëve, edhe pas 27 vitesh të ndryshimit të regjimit.

Fatkeqësisht, ngjajmë me një shtet embrional edhe pse kanë kaluar tri dekada nga ardhja e pluralizmit politik.

Në këtë kuptim, jemi të detyruar të dëgjojmë dhe të ndjekim orientimet e aleatëve tanë.

Ditët e fundit, treguam edhe njëherë që nuk mund të bëjmë dot pa to. Edhe deklaratat e ambasadorit amerikan ishin një shenjë e qartë e këtij fakti. Të vetmet raste kur shqetësimet e vendit merren seriozisht nga opinioni publik, janë ato kur ndërkombëtarët i sjellin në qendër të këtij opinioni.

Qëndrimet e Donald Lu, tronditën opinionin publik, jo për faktin se ato shqetësime nuk diheshin edhe më parë, por vetëm sepse deklarata të tilla u bënë nga një aleat i rëndësishëm dhe i fortë i Shqipërisë.

Është normale për një vend si Shqipëria, që është në proceset e integrimit euroatlantik të jetë nën ndikimin e ndërkombëtarëve, por ajo që nuk është aspak normale në këtë drejtim, është rëndësia që marrin qëndrimet e ndërkombëtarëve në opinionin publik shqiptar.

Kjo ka anën negative dhe pozitive të saj. Ana pozitive ka të bëjë me fatin që ka Shqipëria të ketë një aleat të tillë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sepse në lojën e madhe gjeopolitike, të kesh një aleat si SHBA, që promovon vlerat e lirisë dhe demokracisë është privilegj. Prandaj nuk ka rëndësi fare nëse ndërhyjnë më shumë seç duhet apo jo. Kritikat që u bëhen në të tilla raste, duke futur në lojë sovranitetin e Shqipërisë, janë pa kuptim në një botë të ndërkombëtarizuar. Aq më tepër kur kjo vjen si pasojë e mungesës së besimit që kanë shqiptarët te klasa politike e tyre, dhe e vetmja shpresë ngelen aleatët tanë.

Ndërkombëtarët, pa përjashtim, kanë shërbyer si një balancë ndaj pushtetit politik të Shqipërisë. Në ketë mënyrë ata janë të vetmit kundërtrupa ndaj sëmundjeve politike dhe shoqërore ku kalojmë jo rrallë.

Misioni i ndërkombëtarëve ka qenë gjithmonë i diskutueshëm dhe shpeshherë i kritikueshëm, por ndikimi i tyre në procesin e integrimit dhe rrugës drejt konsolidimit të demokracisë është më se pozitiv deri më tani. Pa ndihmën e tyre, Shqipëria do të ishte një vend edhe më në vështirësi në sfidat që ka përpara.

Për këto arsye, Shqipëria e ka të detyruar në rrugën e saj bashkëpunimin me aleatët tanë. Edhe nëse shpesh tentohet që ata të anatemohen, sa herë që i duhet lojës sonë politike, është në interes të shoqërisë shqiptare t’i shohë ata si miq të tyre.

Këtë gjë, nuk rreshtin asnjëherë së thëni dhe vetë këto misione, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Politika, dhe veçanërisht qeveria, fatkeqësisht apo fatmirësisht, nuk bëjnë dot pa asistencën e tyre në të gjitha aspektet. Nëse duan besimin e shqiptarëve, duhet të rreshtohet pro qëndrimeve të aleatëve tanë perëndimor.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Fëmijët e klasave të para, mjekët apel për kontroll të syve

Doktoreshë Eneda Rustemi, mjeke okuliste shpjegon se: “Sa më herët të zbulohen...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.