Të vëmë kujën për librat dhe veten

Nga Leonora Laçi

Këto ditë në media u përhap lajmi se në Bibliotekën Kombëtare janë lagur rreth 12 mijë libra për shkak të shirave të fundit në Tiranë, madje kjo u vërtetua dhe të gjithë i pamë librat që ishin shfletuar nëpër tavolina dhe jo për ndonjë panair apo aktivitet promovues, por për t’u tharë.

Çfarë fatkeqësie!

Të tjerët e kanë shpikur historinë e heronjtë kombëtar, ndërsa ne e kemi historinë, e kemi shkruar atë të zezë mbi të bardhë, e kemi të dokumentuar në libra, arkiva, muze.

Kur nuk ruajmë dot as librin, si mundet të ruajmë trashëgiminë, si mundet të ruajmë identitetin kombëtar, çfarë mund të presim më nga vetja?!

Në marsin e vitit 2017 ra zjarr në katin e nëndheshëm të Bibliotekës Kombëtare e tani i hyri uji, nesër mund të ketë një fund edhe më tragjik. Teatri u bë teatral me historinë e prishjes apo të mosprishjes së tij, aq sa është zhvendosur çështja nga problemi fillestar, tani duhet që dhe çështja e Bibliotekës Kombëtare pasi i del tymi e i hynë uji të na sillet ndërmend që duhen marrë masa që probleme të tilla të mos ndodhin më.

Ku qëndron problemi?! Kush është përgjegjës ?! Nuk është puna për të bërë dikë kurban, por për raste të tilla kurbani duhet. Kur nuk ruajmë librin atëherë çfarë jemi në gjendje të ruajmë?! Të ruajmë votat, pushtetin, kokën, jetën, mendjen, apo të ruajmë veten nga vetvetja ?! Neve po na e fusin ujin nën rrogoz çdo ditë e pse duhet të reagojmë për “diçka” kaq të parëndësishme !! Ne na hyn uji e zjarri, ne i presim, djegim pyjet për të ngrohur trupin por nga mendja vazhdojmë të jemi të akullt. Ç’na duhen librat kur nuk ka lexues?! Ç’na duhen arkivat kur nuk ka studiues?! Ç’na duhen teatrot kur s’ka spektatorë?!

Nëse politika ngel në dorë të artistit, do të bëjë një abstraksion që vetëm ai do e kuptojë, dhe sado ne të tjerët të përpiqemi e të japim mendim tonë se çfarë shohim, ky mendim do të jetë i gabuar dhe jo ajo çfarë piktori ka në mendje. Jemi mësuar të përmbyten njerëz, bagëti, tokë, shtëpi e orendi por që të përmbyten libra ende s’e kishim provuar, vetëm kjo na mungonte, çfarë shije të hidhur paska pasur. Lagia e tyre është degradim shoqëror, moral, kulturorë, intelektual, degradim institucional-shtetërorë. Nuk është një fatkeqësi natyrore por fatkeqësi arkitekturore, varfëri shpirtërore e babëzi pushtetore.

Si për ironi të fatit, sheshi “Skënderbej” ka marrë vlerësime në bienalen e Çikagos një vit më parë, e këto ditë ka marrë çmimin prestigjioz Europian për Hapësirën Publike Urbane 2018. Çmimi që iu akordua nga Qendra e Kulturës Bashkëkohore të Barcelonës dhe gjashtë institucionet europiane më të rëndësishme të arkitekturës dhe dizajnit në Europë. Sheshi “Skënderbej” u përzgjodh mes 279 projekteve nga 32 vende të ndryshme europiane.

Tashmë ai shesh bëhet sebep që Bibliotekës t’i hynte uji, pra Bashkia e Tiranës ka menduar për madhështi të sheshit po jo për zgjidhjen e çështjeve të kanaleve kulluese, ka menduar për triumfe dhe jo për libra, ka menduar për veten dhe jo për ne, ka menduar për garantim pushteti pavarësisht se në kurriz të kujt do fitohej, biles as nuk ka menduar fare, veç ka bërë marketing me njerëz, sheshe, liqene, pazare dhe shpesh ngelen veç reklama të bukura, por në fakt gjërat e mira e të vërteta nuk kanë nevojë fare për promovim.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Flet mjeku: Nga telefoni, tek kompjuteri si po rrezikojmë shtrembërimin

Fitim Sinani, fizioterapist, shpjegon se nga këto qëndrime të gabuara në telefon,...
Read More