Teatër me Teatrin

Sherri për ndërtesën e Teatrit Kombëtar u zhvendos dje në Kuvend. Kryebashkiaku i Tiranës dhe deputetët e djathtë të Komisionit të Medias shkuan deri në prag të përplasjeve fizike, në tentativë për ta nxjerrë Veliajn. Pas “aktorëve të sherrit” vjen përplasja verbale Rama-Basha.

Komisioni Parlamentar i Medias u kthye dje në një “skenë” përplasjesh e debatesh të ashpra mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe deputetëve të djathtë. Përplasjet kanë nisur mes Veliajt e Albana Vokshit, drejtueses së komisionit, e cila deklaroi se Veliaj kishte ardhur aty pa ftuar. “Po bëni ju teatër, në vend që të bëjnë aktorët. Jeni duke gënjyer sepse sapo ju thashë që nesër sheshi “Skënderbej” është për një çmim në Barcelonë. Në respekt erdha siç më kërkuat. Nëse do të bësh aktoren bëj audicion, por ti po gënjen. I keni vjedhur protestën aktorëve. Shfrytëzoni çdo kauzë për ta politizuar”, tha Veliaj. Tonet u rritën kur Vokshi kërkoi që Veliaj të nxirrej jashtë. “Të kanë dhënë rolin e zhurmuesit, më vjen shumë keq për ty. Nxirreni jashtë kryetarin e bashkisë. Nuk mund të marrësh mikrofonin për t’i bërë reklamë bashkisë. Mbyllet mbledhja derisa të iki kryetari”, tha Vokshi. Kryetarja e Komisionit të Medias kërkoi 5 minuta pushim derisa kryebashkiaku i Tiranës të largohej nga mbledhja. Sherri në Komisionin e Medias mori përmasa të mëdha kur pas disa kërkesash të përsëritura të kryetares së këtij komisioni, Albana Vokshi, që kryebashkiaku i Tiranës të nxirrej jashtë nga Garda e Republikës, deputeti demokrat Flamur Noka u ngrit për ta zgjidhur vetë çështjen. Noka iu drejtua Erion Veliajt për ta ngritur nga karrigia ku ishte ulur dhe vetëm ndërhyrja e Gardës së Republikës shmangu përplasjen fizike. Më pas të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë duke diskutuar me tone të larta. “Garda të nxjerrë jashtë kryetarin e bashkisë, ndryshe do të kërkoj që të merren masa. Garda, zbatoni ligjin! Ju kam kërkuar që të nxirrni jashtë kryetarin e bashkisë, pasi është i paftuar në komision. Ka ardhur që të prishë mbledhjen”, tha Vokshi. Pas disa minutash debate, Erion Veliaj vendosi që të largohej duke thënë “Tirana do fitojë”. Pas tij u largua edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, së bashku me deputetët socialistë. “Dënoj me forcë largimin e ministres Kumbaro, e cila ishte thirrur për të dhënë llogari për Teatrin Kombëtar. Ky është fundi i parlamentarizmit. Mazhoranca nuk do që të bëjë transparencë për krimin që po bëhet me Teatrin Kombëtar”, deklaroi Vokshi.

Vokshi: Nuk intimidohem

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se mazhoranca do të kërkojë shkarkimin e kryetares së Komisionit të Medias, Albana Vokshi. “Kaq e turpshme është edhe sjellja e zonjës Vokshi. Ne jemi duke konsideruar mbi nenet dhe parashikimet e rregullores për të kërkuar shkarkimin e zonjës Vokshi. Ne kemi dhënë konsensusin tonë në kuadër të parashikimeve të frymës së rregullores për një ndarje sipas proporcionalitetit që mbajmë në parlament, ku 5 komisione i takojnë mazhorancës dhe 3 opozitës. Por drejtimi në këtë mënyrë i komisionit është i patolerueshëm”. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Albana Vokshit. Ajo e konsideroi propozimin e Ballës absurd, ndërsa tha se nuk intimidohet dhe as impresionohet. Nuk më intimidon as më impresionon as propozimi absurd i Taulant Ballës që po konsideron shkarkimin tim. Ne do vazhdojmë, do e thërrasim të hënën, të martën, të mërkurën do rrimë 24 orë derisa ministrja të paraqitet. Do bëjmë transparencën, jemi të vendosur për të ndaluar këtë akt kriminal që po e përgatit partneriteti Rama-Veliaj-Fusha”, -tha Vokshi.

Veliaj: Projektligji nuk prish Teatrin por hap negociatat

Pas sherrit dhe tensionit në komisionin e Medias Erion Veliaj dha një prononcim për gazetarët për të sqaruar atë që kishte ndodhur. “Iu përgjigja pozitivisht thirrjes së 2/3 që është shumica. Erdha pasi nesër do të jem në Barcelonë ku do të vlerësohet sheshi “Skënderbej”. Pr/ligji nuk prish Teatrin por hap negociatat. Nisma është fantastike për t’i dhënë Tiranës pas 100 vjetësh një teatër të ri. Reagimi i sotëm ishte reagim mllefi ndaj ekspertëve. Ata i kapi dëshpërimi, si te këndi i lojërave, ku angazhuan dhe presidentin, prandaj ka ngelur presidenti lishars. Është i njëjti skenar dhe i njëjti grup që thotë rrena e të pavërteta. Teatri me këtë propozim vetëm hap negociatë. Unë i kam ftuar publikisht aktorët, qoftë dhe ato që duan të bëhen drejtorë kulture. Të negociojmë. Jemi në fazën e negociatave dhe më pas biem dakord, ose biem dakord të mos biem dakord. Kur e ke kryetarin e partisë pulë me vezë do merresh”, tha Veliaj.

Rama: PD-ja, parti e zbrazur mendërisht

Kryeministri Edi Rama reagoi në Twitter për debatin e ashpër që u zhvillua në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik. Kreu i qeverisë e cilësoi ngjarjen një turp dhe ironizoi duke thënë se për deputetët e opozitës duhet dhënë një leje për kullën e sporteve të rënda. Kryeministri shkruante: “Një parti e zbrazur mendërisht e politikisht (se shpirtërisht ka firuar me kohë), por e angazhuar fizikisht e ka kthyer debatin parlamentar në një teatër gjuhësh e gjymtyrësh të dhunshme! Pse mos u japim një leje ndërtimi tek SHQUP-i për Kullën e Sporteve Trup me Trup?”.

Basha: Opozita mbrojti interesin publik

Pas Ramës edhe kreu i PD, Lulzim Basha, reagoi me një postim në “Facebook”. “Sot opozita mbrojti interesin publik dhe parlamentarizmin. Parlamenti duhet të përfaqësojë interesat e popullit dhe jo të mafias së ndërtimit, krimit dhe drogës. Por Edi Rama e ka të vështirë të bëjë dallimin midis batakut mes të cilit kalon gjithë kohën dhe parlamentit, prandaj edhe komentet e tij publike janë të gjitha me gjuhën e batakçiut”, shkruan Basha në profilin e tij në Facebook.

Sipas Bashës, ajo çfarë po ndodh me Teatrin Kombëtar, është një grabitje kriminale që Edi Rama ka më se një vit që e përgatit në bashkëpunim me klientët e tij. “Në këtë aferë do të vidhet prona publike për të ndërtuar kulla të larta që do financohen me para të krimit dhe drogës. Ky që garantoi karrierën me 20 përqindëshin për çdo leje ndërtimi dhe u ngrit në majë të politikës me formulën “një pallat, një votë”, tani sillet si një bandit që do të grabisë 100 për qind të Shqipërisë”, shkruan Basha. Duke reaguar mbi statusin e Ramës për dhunë fizike në parlament nga ana e deputetëve të PD, Basha thekson se “Dhunuesi i Parlamentit, Kushtetutës dhe ligjit është Edi Rama. Dhunuesi i shqiptarëve është Edi Rama që pasi u vodhi votën, po vjedh edhe pasurinë publike për të shtuar pasurinë e vet private. Dhunuesi i Shqipërisë është Edi Rama që po na mbyll derën e Europës për të pestin vit me radhë. Sot ai mund të ngrejë kulla dhe të pastrojë paratë e drogës në çdo cep të Tiranës, por e afërt është dita kur këto zullume do ta zënë poshtë bashkë me Fikun e Tiranës!”.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Për çështjen e teatrit duhet të mbështesim artistët!

Nga Gentian Kaprata – Memo Sovranit Debati mbi godinën e Teatrit Kombëtar...
Read More