‘Teatri i ri’ ndryshon balancat politike, mazhoranca 79 vota, i bashkohen 3 deputetë

Votimi i ligjit për teatrin e ri, pavarësisht rezistencës së opozitës, ka ndryshuar sërish balancat e numrave në Parlament, duke fuqizuar më tej pozitat e mazhorancës qeverisëse. Duke iu referuar procesverbalit të votimit, rezulton që tre deputetë të forcave të tjera politike kanë bashkuar votat me Partinë Socialiste, duke votuar pro ligjit për teatrin kombëtar.

Pas deputetes së PDIU Reme Lala dhe deputetit të LSI, Robert Bitri, të cilët iu bashkuan Partisë Socialiste, duke i çuar votat e saj në parlament në 76, edhe tre deputetë të tjerë kanë bashkuar dje votat me shumicën parlamentare. Konkretisht, pro ndërtimit të teatrit të ri kanë votuar deputeti i PSD, Tom Doshi, deputetja e PDIU, Elena Xhina dhe deputeti i PDIU Dritan Bici. Vota e deputetit të PDIU Dritan Bici pro ligjit për teatrin ishte e papritur për shkak se, gjatë ditëve të fundit, kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi ka ashpërsuar retorikën politike kundër mazhorancës, ndërsa vetëm Dritan Bici pati mohuar zërat për një afrim të mundshëm me mazhorancën. Pro ligjit rezulton se ka votuar edhe deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo, por ky i fundit ka pohuar se nuk ka qenë në seancë.

Në një reagim për Report Tv, deputeti i LSI sqaron se dje nuk ka qenë në Kuvend për arsye shëndetësore, ndërsa dikush tjetër ka votuar me kartën e tij të deputetit.

Sapo jam informuar. Nuk kam qenë në seancë dje. Mungoja për arsye shëndetësore. Nuk e di çfarë ka ndodhur. Dikush ka votuar me kartën time, mesa duket”, tha Tavo. Karta e çdo deputeti ndodhet në tavolinën e tij në Kuvend dhe në jo pak raste deputetë të ndryshëm i përdorin për të votuar. Nëse versioni i Tavos është i saktë, votat e shumicës në parlament janë 79. Në fund të këtij sesioni parlamentar mazhoranca duhet të sigurojë 84 vota për të votuar projektligjin për disa ndryshime në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka paralajmëruar se grupet parlamentare po bisedojnë për të mundësuar votimin e projektligjit, por zhvillimet e fundit në parlamentar, duket se i kanë larguar më shumë palët nga rruga e konsensusit.

Reagon Vasili

Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, ka akuzuar dje mazhorancën qeverisëse se ka manipuluar votën e deputetit të LSI, Vangjel Tavo, në Parlament.

“Manipulohet votimi i ligjit për teatrin, përgjegjësi penale nga kryetari tek më i fundit. Dje maxhoranca manipuloi votimin e ligjit për teatrin. Deputeti Vangjel Tavo që mungonte në seancë rezulton votues. Ky është një manipulim banditesk dhe vjedhje votash edhe brenda sallës së Kuvendit nga po ata që vodhën votat në 25 qershor. Ky votim është nul dhe kryetari i Kuvendit Ruçi duhet të deklarojë që sot anulimin e votimit dhe përsëritjen urgjente të votimit, përndryshe ai si institucion ka rënë juridikisht, politikisht dhe moralisht.  Prokurorja e Përgjithshme të fillojë hetimin për këtë vepër penale shumë të rendë të manipulimit të votimit parlamentar. Tanimë hajdutët e votave janë ulur këmbëkryq në parlament dhe në krye të qeverisë. Nëse prokuroria mbyll sytë edhe përpara kësaj atëherë çdo qëndrim ndaj saj është plotësisht legjitim”, shkruan Vasili./shqiptarja.com

Shkruar Nga
More from Redaksia

SHBA-të, 700 miliardë dollarë për ushtrinë, arsenali më i madh në histori

  Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka miratuar të premten...
Read More