Teatri Kombëtar, pse diskutimi teknik, moral dhe arkitekturor u kthye në politik

Diskutimi për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një të riu, por me haraçin e ngritjes së shtatë kullave përqark, merr karakter të mirëfilltë politik, duke anashkaluar artistët, specialistët dhe arkitektët.

Kjo ndodhi sot në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ku kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u përplas ashpër me deputetët e PD-së, kryesisht Flamur Nokën, Ervin Salianjin dhe Klevis Balliun.

Demokratët kundërshtuan ashpër Veliajn, duke i kërkuar të linte sallën pasi nuk ishte i ftuar, ndërsa më pas gjithçka përfundoi me debate të forta dhe akuza të ndërsjellta.

Vetëm për teatrin nuk u fol… Gjithçka mori karakter politik, ndërsa ishte ndezur një “zjarr” nga protesta e aktorëve të njohur dhe qytetarë të Tiranës që kundërshtojnë prishjen e teatrit dhe kërkojnë transparencë nga ana e qeverisë mbi lejet që do jepen për ngritjen e shtatë kullave pranë “shtëpisë së artistëve”.

Nga ana tjetër, përçarja ka nisur edhe ndërmjet artistëve, që duket se janë ndarë në dy qëndrime, ata që mbështesin nismën e qeverisë dhe bashkisë për prishjen e teatrit dhe të tjerë që këmbëngulin se ky objekt nuk mund të shkatërrohet pasi ka vlera akitekturore dhe morale. Edhe mes tyre është futur “krimbi” i kundërshtisë, që mund të shërbejë për rënie e trarëve të këtij teatri.

Debati i sotëm dhe degradimi në zyrat e kuvendit nga shumë është konsideruar si një “betejë e fituar” nga Veliaj dhe qeveria, që është investuar për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe ngritjen pranë tij të shtatë kullave.

“Shfaqja e sotme në Komisonin e Medias nuk i shërbeu aspak kauzës së teatrit por u kthye në një boks politik & nuk dha asnjë rezultat. Përkundrazi, mos trajtimi i temës së Teatrit i shërbeu @erionveliaj dhe interesit tij të ngushtë por jo opozitës, artistëve & qytetarëve”,- shkruan deputetja e PD-së, Rudina Hajdari, vajza e Azem Hajdarit.

Përplasja agresive politike për Teatrin Kombëtar zbehu zërat kritik të artistëve, qytetarëve dhe shoqërisë civile, që ka disa ditë që po proteston dhe janë të vendosur për të mos lejuar shkatërrimin e teatrit.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Zheji tregon takimin e fundit me Hajdaragën: Nuk kishte makinë, e shoqërova…

Nga Artur Zheji E binda për të ardhur në emisionin tim, si...
Read More