Teatri në Butrint: Shekspiri grek dhe aktorët tanë, kinse “dramatikë”

Në natën e 3-të Festivalit “Butrinti 2000” performoi Teatri Thesis i Athinës, i cili shfaqi për publikun e Butrintit një version bashkëkohor të një prej kryeveprave të Shekspirit “Ëndrra e një nate vere”, me regji të Michalis Sionas.

Nga Josif Papagjoni

Një natë më parë në shkallët e Teatrit antik të Butrintit ndoqa komedinë e famshme e gjithë dritë të Shekspirit “Ëndrra e një nate vere”. Ka katër versione regjisoriale “antologjike” botërore të kësaj komedie të famshme, kur gjeniu i dramës ishte fare i ri, plot hare dhe optimizëm për jetën dhe eksperimentonte. Por çuditërisht kjo komedi atje në Butrint lundroi kaq mirë e bukur mes reales dhe fantastikes, ëndrrës dhe zhgjëndrrës, trillit dhe të njëmendtës. Nga këto katër versione, ai i regjisorit anglez Piter Brukut në vitet ‘60 thuhet se ishte nga më të habitshmit, pasi ai e kishte ndërtuar atë përmes pantomimës, muzikës dhe akrobacive dhe skenat e pyllit i sajonte me trupat e aktoreve. Një tjetër regjisor, kësaj here amerikani Xhon Xhori e kishte trajtuar si muzikëll, ndërsa me herët regjisori i famshëm austriak Mak Rainhard, që i dha krahë edhe Aleksandër Moisiut tonë, diku në fund të viteve ‘30, e trajtoi komedinë në një gjuhë gjithë fantazmagori, elemente magjike e hipnotike, si një përrallë e cirkus ku njerëzit fluturonin dhe Paku magjistar sajonte gjithë mrekullitë… Edhe në teatrin tonë kemi pasur disa versione, ku veçoj versionin e Altin Bashës, që kishte shumë shpengim dhe një gjuhë teatrore moderne, por edhe versioni i Driada Dervishit, paçka se me pranë “klasikes”, e sillte aromën e kësaj komedia kaq “ëndërrore”… E pra, në Butrint pash versionin e një trupe greke nga Athina dhe më rrëmbeu energjia, ritmi i lartë, trajtimi plastik. Ishin pesë aktore me disa elemente të pakta, një teatër minimalist, me konvencione, maska, kapele, instrumente muzikore, falë të cilave aktorët krijonin larushinë e skenave, duke kaluar sa nga njeri personazh në tjetrin, sa nga ligjërimi në dialog aq dhe në kuplet, këngë, parodi, pastaj në pantomima të bukura, imitime, lëvizje të shkathëta trupore, dinamizëm, energji pa fund, çka e bënte tekstin e hershëm të Shekspirit sikur të ishte i sotëm, me një kahje të fortë përditësimi. Këtë shfaqje mund ta quaje pikërisht shfaqje të aktorëve, pasi aty regjia plot fantazi e detaje kishte llogaritur konceptin dhe zgjidhjen e vet, karakterin e vetë shfaqjes. Pesë aktorë të rinj, të zhdërvjelltë, të palodhur, të një ritmi të lartë, që nuk e linin fjalën të “flinte” dhe kalonin furishëm, me konvencionet e aktrimit, kalimin nga një rol në tjetrin dhe nga një gjendje në tjetrën, pa krijuar askund xhepa, “barqe”, pauza, mërzi. Pikërisht ky vrap i bukur e bëri shfaqjen të përthithej si me “një frymë” nga ne. Regjia e begate ne fantazi dhe detaje më dha të kuptoj se teatri e gjen gjithmonë bukurinë dhe çelësin për të depërtuar në një tekst klasik duke e sjellë bukur mirë atë sot te publiku i ri e i një tjetër niveli, kur respekton vetveten, kur i rri pranë gjetjes së saj. Dhe në këtë rast “tharmi ngjizës” ishin aktorët. Ata qenë kolona mbajtëse e shfaqjes. Energjia e tyre e pashtershme. Dhe në fund të shfaqjes, mendoja: Pse nuk e kemi dhe në ende këtë tip aktori – pra aktorin e gjithanshëm, që bën një lojë tërësore ose totale, me dialogun, fjalën, muzikën, plastikën, imitimin, pantomimën, vallen etj. Pse tipologjia e aktorëve tanë, me pak ndryshime, vazhdon të jetë ajo “klasike”, vetëm e fjalës, shpesh e një farë “rëndese” kinse psikologjike, kinse dramatike e tragjike, duke i bërë shfaqjet të mërzitshme. E pra, që nga shkolla, aktori i modelit të ri të kohës dhe zhvillimeve të brendshme të teatrit, kërkon tjetër tipologji të aktorit. Unë e di se shkolla jonë, Universiteti i Arteve, ka vite që përpiqet të harmonizojë të dyja kahet a tipologjitë e aktrimit, psikikën dhe fizikën. Por te kjo e dyta jemi ku e ku me larg se fqinjët tanë. Dhe këtë mbresë ma dha edhe shfaqja e grekeve “Ëndrra e një natë vere”, ku ata alternuan pa na bezdisur të katër linjat bazë të komedisë, rrjedhimisht duke luajtur personazhe të ndryshme në rrethana të ndryshme, pa e humbur vijimësinë. Nga shfaqje të tilla besoj se mëson, sidomos aktorët. Festivali i Butrintit herë pas here ka ofruar shfaqje mësimdhënëse për artistët tanë, por mjerisht hapësira e tij nga viti në vit është ngushtuar si pasojë e syrit opak të atyre që kanë paratë, nga Ministria e Kulturës gjer të Bashkia Sarandë. Kur, do të mendoja, se ky festival duhet të ishte krenaria e përfaqësimeve dhe ballafaqimeve të teatrit tonë me teatrot e sotme europiane e më gjerë.

*Titulli është redaksional

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Çili: Vonesa shqiptare është thjesht mungesa në vendosjen e tregut

U promovua sot në mjediset e UET, libri i Henri Cilit: Vonesa...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.