Teatri: Të jesh apo të mos jesh?!

 

Nga Brunilda Basha* – Të jetë apo të mos jetë? Kjo është e vetmja dilemë e cila duhet të diskutohet në çdo tavolinë apo diskutim. Në vend të pyetjes “A ju pëlqen apo jo teatri i ri; a është i bukur apo jo, a i përmbush kriteret apo jo projekti i prezantuar në ambientet e Kryeministrisë” më së pari duhet të ngrihet pyetja “A duhet një godinë e re në vend të ekzistuesit për teatrin?” Dhe më keq akoma: “A duhet të shembet i pari për t’iu përgjigjur plotësisht në funksion jetës shoqërore të Tiranës”? Sot, ashtu si dhe shumë herë të tjera Hamleti vjen sa më i gjallë në realitetin që jetojmë.

Dashje pa dashje Tiranës po i mbyllen të gjitha dritaret nëpërmjet të cilave ne arrijmë të mësojmë ndërtimin dhe historinë e atij qyteti. Kështu fshihet çdo gjurmë e periudhave historike, kushteve kulturore të së shkuarës, momenteve të jetuara në ato objekte. Teatri Kombëtar, më shumë se një godinë është një shkollë teatri dhe vatër e rëndësishme vlerash artistike të kulturës sonë. Lindja e tij përbënte ngjarje të shënuar, ndaj shembja e tij nënkupton fshirje të një trashëgimie tetë dekadore të mbushur me përvoja humane, politike e sociale. Teatri merr nota jete dhe emocioni vetëm pasi të kesh dëgjuar se ç’vepra janë luajtur në të, cilët emra artistësh të mëdhenj kanë hipur në skenën e tij, ç’problematika ka ngritur ai institucion. Ama këto detaje nuk mund të përmenden mbi themelet e një objekti i cili ndërtohet sot pa asnjë element të trashëguar nga i vjetri.

Diku në opinionet e shkruara lexova se prishja mund edhe te tolerohet pasiqë : “…në kushtet në të cilat ndodhen ndërtesat nuk i përgjigjen aspak kërkesës së qytetarëve.” Ama siç autori Donovan Rypkema thotë: “Rehabilitimi i ndërtesave historike dhe përdorimi i metodave aktuale është përgjegjësi mjedisore”. Nëse ecim me arsyetimin se ndërtesat e vjetra nuk i përgjigjen jetesës së sotme atëherë do gjendemi përballë një panorame ku nuk do të mbesë asnjë shenjë e së shkuarës. Që për fat të keq po ndodh dita ditës, aq më tëpër me Tiranën.

Ndërtesat historike dhe që mbartin vlera kulturore duhet të kenë/kishin një përkujdesje të vazhdueshme, kështu s’do jetë/ishte e nevojshme nga ana teknike të prishen komplet si objekt. Nga ana tjetër, nëse ndërtesa nuk i përmbush plotësisht nevojat e kohës, ata riadaptohen (qoftë strukturalisht ose funksionalisht) sipas kohës dhe nevojave specifike.

Kishte mjaft mënyra për ta trajtuar teatrin, të cilat mund të evitonin shumë mirë shembjen si; 1- restaurim, 2- projektimi i një shtese e cila rriste funksionet dhe kapacitetin e teatrit por njëkohësisht nuk nxirrte as jashtë funksioni ndërtesën aktuale, ose 3- e fundit rikonstruksioni i teatrit duke ruajtur fasadën kryesore të saj të paprekur. Këto dy të fundit bëjnë pjesë në kategorinë e (adaptive reuse)-Ripërdorim adaptim. Shembuj dhe trajtime të sukseshme simotra me teatrin hasen në gjithë botën, si në Francë, Itali, Malajzi, Singapor, ndaj nuk është e pamundur të aplikohet i njëjti concept dhe në rastin në fjalë.

“Fjongoja” e prezantuar nga studioja daneze BIG, (duke mos analizuar origjinalitetin e vetë projektit dhe mos u ndalur fare në akuzat për plagjiaturë), nuk shpërfaq asnjë element të arkitekturës të viteve 1939 kur dhe ky teatër u realizua. Projekti i propozuar është thjesht një tjetër ndërtese “moderne” e cila ndodhi të jetë në Tiranë, por shumë bukur mund të vendoset në çdo qytet tjetër të botës, madje edhe në Kore.

Një tjetër shqetësim është mosdhënia rëndësi mendimit të profesionistëve, artistëve dhe atyre që më së shumti mbajnë përgjegjësinë për formimin e një qyteti që janë: urbanistët dhe arkitektët. Zhvillimi i qendrave metropolitane, pasurimi i kryeqyteteve me objekte moderne është një proces prej së cilit mund të mos shpëtojmë dhe nuk kemi pse, por kurrsesi ai nuk duhet bërë në kurriz të së djeshmes.

Është e pafalshme që në vargun e qindra momenteve kulturore, banesave historike, urave e shumë veprave të artit të prishura gjatë shekullit të fundit nga “qytetarë” jo të mirë të cilët nuk e kuptojnë peshën e historisë, ti shtohet një tjetër vepër e cila po prishet me gjakftohtësinë më të madhe nga vetë politika e cila e ka për detyrë ruajtjen dhe kujdesin e tyre. Frikohem se kur të vijë dita që ne kolektivisht të kuptojmë se “duhet të trashëgojmë dhe jo të zhdukim” do të jetë mjaftueshëm vonë.

*Arkitekte

Shkruar Nga
More from Redaksia

Lys Assia, Ndahet nga jeta fituesja e parë e Eurovizionit

  Ndahet nga jeta fituesja e parë e ‘Eurovision Song Contest’, Lys...
Read More