Tefta Kafazi; 42 vite tinguj…

 

Në thelb të punës së saj ka  ritmin,  muzikën, tingujt. Tefta Kafazi, nisi për herë të parë punën në vitin 1975 në institucionin e quajtur atëherë Estrada e Tiranës/Shtetit, që sot quhet Qendra Kulturore Tirana – Teatri Metropol. 

Këtë do të mbyllë përvojën e saj si  operatores se  fonisë. Si kanë qenë dyzetedy vitet e  punës  në të njëjtin institucion, me gjithë transformimet e vazhdueshme…              

 Nga Sonila Kapidani

Në një dhomëz të vogël, nga një dritare e ngushtë dhe e heshtur, e vështroj tek vjen gjithmonë përpara kohës së caktuar, me sytë që mbartin shqetësim për procesin dhe saktësinë që ai kërkon, ulet në karrigen e saj, nis të shtypë butonat dhe njëson rrahjet e frymëmarrjes së saj me ato të trupës artistike dhe publikut. Tinguj, zhurma, muzikë skenike, muzikë me karakter, muzikë atmosfere. Gjithçka ka të bëjë me një pjesë me shumë rëndësi në  produkte skenike, fonia. Tefta Kafazi, nisi për herë të parë punën në vitin 1975 në institucionin e quajtur atëherë Estrada e Tiranës/Shtetit, që sot quhet Qendra Kulturore Tirana – Teatri Metropol, në të cilin viti 2017-të do të përfundojë dhe përvojën e saj të punës në profesionin e operatores së fonisë. Po, dyzetedy vite të tëra pune në të njëjtin institucion, me gjithë transformimet e vazhdueshme. Kjo zonjë e thjeshtë, me durim të madh, është dëshmi e njeriut të thjeshtë e të vërtetë, që megjithëse ngjarjet e jetës si të thuash, ka raste që e mjegullojnë personalitetin njerëzor, del mbi ngjarjet, lartësohet, bëhet i bukur! Është dëshmia e njeriut që me forcën e karakterit, nuk zgjedh t’i nënshtrohet fatit, por e bën vetë fatin e saj, të qëndrueshëm, edhe pse mes dallgëve të mëdha.

Biseda me të nis për ditën e parë të punës, e cila përkon me mënyrën se si pjesa më e madhe e njerëzve në Shqipëri do mund ta përshkruanin atë, për shkak të qasjes së edukimit: “shkolla, dihet, nuk të mëson dhe dita e parë e punës nisi me frikë dhe pasiguri, por njëkohësisht…” dhe këtu asaj i qeshin sytë, sepse pikërisht atë ditë është njohur me bashkëshortin e saj, z.Ylli Kazazi, me të cilin kanë jetuar së bashku edhe përvojën bashkëshortore, por edhe përvojën si kolegë. Nga duart e saj që shoqërojnë çdo fjali me gjeste që dëshmojnë seriozitet, ngrohtësi dhe harmonizohen plotësisht me ngjyrën e thellë të syve dhe zërin e plotë, ti dëgjon për lidhje të fortë mes dy njerëzve, të cilëve nuk ua prishte harmoninë ankthi i kryeqytetit.

Përmes tij, ata gjenin mënyra për t’ia dalë, për të shijuar atë që bënin e për të tejkaluar vështirësitë, dhembjet, padrejtësitë. Mes rrahjes së gjëmimeve të përditshme që kalon jeta, besoj se është dhurata më e çmuar që dy njerëz mund t’i bëjnë vetes, njëri-tjetrit, shoqërisë, familjes: durimi për të kuptuar, kontributi për të mbështetur, aftësia për të respektuar. E befasuar ndiqja çdo fjalë të saj dhe nuk mundja të mos e admiroj fuqinë e paqtë që mund të lidhë dy gjinitë dhe këtë rrëfim që e dëshmonte. Do kisha dashur të kishte mundësi kjo lloj dëshmie të gdhendej në gur, a të derdhej në bronz, për t’u vendosur në ndonjë nga sheshet e qytetit për t’i kujtuar njerëzve rëndësinë e bashkëveprimit human.

Tefta ka në thelb të punës së saj ritmin dhe muzikën, tingujt. Çdo ditë takohet e jeton me to dhe ndoshta kjo është një nga arsyet që e brendshmja e saj është plot mirësi dhe bukuri. Biseda me Teftën kishte marrë  udhën e kulturës skenike ndër vite. Sa herë fliste për prodhime të paraviteve ’90, ajo ngazëllehej, i buronte nga sytë një plotësim, një si shije nostalgjie. “Atëherë punohej seriozisht, thotë ajo, kërkohej gjatë çdo detaj, kishte ngjyra, larmi. Situatat silleshin kryesisht nga jeta e përditshme dhe kjo e shtynte publikun të rrinte për ditë të tëra në radhë për bileta. Nuk mund të dilte çdo shfaqje e punuar përpara publikut, vetëm ato që vlerësoheshin si të duhurat dhe këtë nuk e vendoste vetëm një njeri. Kishte diskutim, shtysë për të kërkuar.”

Dhe nis që nga shfaqja e parë me titull “Estrada 1” dhënë në vitin 1952, për të cilën ajo ka dëgjuar dhe vazhdon me shfaqjen e saj të parë në 1975, “Një pyetje nga salla”, me regji të Rifat Pogës. Një seri regjisorësh, aktorësh, këngëtarësh, orkestrantësh, radhitet në bisedë dhe imazhet e punës shfaqen në gjithë portretin e saj. Kultura pune të ndryshme, produkte të ndryshme. Fjalitë bëhen më të shpejta dhe rritet dëshira për të rrëfyer mënyrat e punës ndër vite. Kalon si në revistë seri shfaqjes dhe koncertesh, duke u përpjekur të kujtojë veçoritë e tyre, njerëzit që shtoheshin, iknin, vinin, krijonin, për të ndërtuar kënaqësi emocionale, mendore dhe ndjesore tek publiku.

Ngjyrat e zërit të saj shoqërojnë secilën figurë: “Drejtues atëherë kanë qenë Ramiz Guro, Dhimitër Gjoni, Sulejman Dibra, që qëndroi më gjatë, por femra drejtuese nuk ka pasur si tani dhe nuk besoj se mund të mendoheshin. Ka pasur 5-6 premiera në vit, kryesisht variete me humor, pantomimë, këngë, por edhe recitale, shfaqje për fëmijë dhe komedi situatash apo karakteresh. Im bir që ka kaluar shumë kohë me mua në teatër dhe në turne të ndryshme i ka parë të dyja shfaqjet “3 Dhëndurët”, edhe të Pirro Manit, edhe të tanishmen.  

Recitali i Irma Libohovës që u shfaq 45 ditë dhe nuk pushonin kërkesat e publikut; shfaqja e Gjergj Vlashit në të cilën u dëgjua për herë të parë zëri i Fan Nolit, si dokument historik; Një mori e gjatë emrash artikulohet nga buzët e saj, tamam sikur hap skedat e bibliotekës. Një zinxhir i gjatë prodhimesh, suksesesh, gabimesh, frikërash, entuziazmi, përgjegjësie. Një rrjedhë kohe në të cilën bashkoheshin të kundërtat – njerëz që përpiqeshin me hov të formoheshin dhe punonin për t’i dhënë bazën e qëndrueshme një shteti dhe vetë shteti që përdorte krijimin për propagandë – imazh i modeluar nga sjellje stereotipe kryesisht.  “Atëherë punonim me magnetofona me shirit. Kishim amplifikator me katër hyrje dhe pult italian me 8 hyrje për mikrofona.

Ishim të nderum në atë kohë me pultin. Kishim dhe katër altoparlanta të vegjël, por që nuk e përballonin mirë fuqinë e zërit të këngëtarëve. Ata këndonin live dhe orkestra shoqëronte live. Vrisnim mendjen si të shkonte zëri më mirë në sallë dhe atëherë im shoq, i cili ka qenë i përgatitur shumë nga ana teknike, krijoi një kombinim me dy koka të magnetofonit që të apmlifikoheshin jehonat dhe plotësohej dëgjimi në sallë. Ishte arritje shumë e mirë për atë kohë, aq sa në një festival në Algjeri, trupat e tjera përdorën pultin tonë”…vazhdon duke qeshur Tefta. Dëshmon se dikur diskutohej shumë se si të përmirësoheshin gjërat, edhe pse mundësitë ishin të pakta, ndërsa sot sikur njerëzit hezitojnë të tregojnë se ka gjëra që nuk i dinë, se mund të provojnë, dështojnë, përplasen me mosmarrëveshje, frymëzojnë, fundja kjo është rruga e krijimit. “Atëherë, kur duheshin efekte shkoja tek Radio Tirana. Kishim bashkëpunim të mirë me ta. Prisnim shirita, i ngjisnim.

Ndërsa sot i gjen për dy minuta, hyn në internet dhe ke çfarë të duash. Ah, të ishin mundësitë e sotme me përkushtimin e atëhershëm!” Tefta, është e kujdesshme kur flet, nuk gjykon, por ka një shije qortimi kur flet për shumë prodhime të pas viteve ’90. Sytë i marrin një ngjyrë trishtimi dhe keqardhjeje. “U shndërrua komunikimi, – thotë ajo, – edhe ai njerëzor, edhe ai artistik.” Dhe rrëfen për një kulturë tjetër pune që e transformoi ambientin, për njerëz që komunikojnë ashpër dhe vijnë të papërgatitur, pa motivim për të krijuar, por sunduar nga ndjenja e dukjes, njerëz që nuk janë bujarë me punën, nuk synojnë saktësinë, vazhdimësinë, por aspirojnë të arrijnë hapat e humbur nga zhvillimi i një pjese tjetër të botës dhe kjo i zvogëlon, i bën nervoz, i bën të humbasin dyshimin dhe kreativitetin. Një mjedis i çuditshëm që sikur e tkurr njeriun, i jep formën e një breshke që heziton të dalë nga zhgualli, ta pranojë veten se duhet gjetur një mënyrë që shkon përtej “atëherë dhe tani”, duhet rinovuar energjia krijuese, duhet bërë burim energjie për shoqërinë e trazuar.

Por edhe këta të përkohshëm, si gjithë ajo mori “artistësh”, artistësh, teknikësh, intelektualësh, “drejtuesish”, drejtuesish, që përbëjnë jetën e një institucioni, përvojën e përbashkët, e që pasqyrohen në bibliotekën e gjallë të memories 42-vjeçare të Teftës. “Vitet e transformimeve të njëpasnjëshme të kohës së demokracisë (u ndërrua emri, u tjetërsua godina, u bashkua me Cirkun, u nda nga Cirku, u krijua Ansambli Tirana),  thotë ajo, kanë sjellë dëme që duhet shumë punë të riparohen. Indiferenca e dikujt, arroganca e dikujt tjetër, veçse e kanë rritur trazirën dhe rritur pasojat reale. Varet shumë atmosfera e punës nga drejtuesit dhe më vjen mirë që e sotmja në këtë teatër ka një frymë ndërtimi, respekti, punëdashjeje dhe përpjekje për të ritakuar identitetin e mjegulluar të kulturës teatrore dhe artistike nëpër vite dhe vëmendjen që arti të takojë nevojat e komunitetit duke iu qasur problemeve bashkëkohore.”

Vitet ia lënë vendin njëri-tjetrit dhe secili gdhend në ambientin e lëvizshëm të punës praninë e vet, krahas figurave të tjera të ngrohta, të ftohta, të gjalla, të thara, një larmi forcash shtytëse, mes të cilave ajo e Teftës dallon për nga thjeshtësia, qëndrueshmëria, mirëdashja, pranuesja, e natyrshmja. “Më duket se tani është një kohë në të cilën njerëzit e artit duhet të këmbëngulin për të kërkuar e gjetur përgjigje të reja, për të ndikuar mbi politikën e cila kryesisht nuk ka qenë mbështetëse, por shfrytëzuese.

E gjithë përvoja e mëparshme dhe njohuritë mbi të, tashmë duhet të shërbejnë për të nxitur një mënyrë të re shprehish, duke lënë pas zakonet e sigurta të dikurshme që sjellin pengesa.” Në këto ditë përmbyllëse të punës së saj e pyes a ka diçka që do mund të shkëmbente me tekniken ose teknikun e ri që do të vazhdojë rrugëtimin e këtij institucioni me realizime të tjera dhe ajo thotë se në rininë e sotme ka shumë njerëz që flasin, por pak veprojnë me bujari: “Duhet dëshirë! Në punë nuk është thjesht orari. Duhet dëshirë dhe veprim. Është ndryshe të dish e tjetër të bësh! Ky duhet të jetë thelbi i punës së çdo njeriu”.

Në vendin tonë arkivat e shumë institucioneve që kanë pësuar ndryshime lënë për të dëshiruar dhe nxitja e kësaj bisede me Teftën erdhi pikërisht për të mësuar më shumë nga kujtesa e gjallë e një njeriu që ka qenë aktiv në veprimtaritë e shtrira në kohë të ndryshme që lidhin një përvojë të gjatë humane në fusha të ndryshme të artit brenda një institucioni. Secili nga ne kur njohim diçka të re, kuptojmë më shumë, frymëzohemi dhe na rritet dëshira për të krijuar përvoja të reja transformuese sociale, ekonomike, politike, artistike.

Paralelet me të shkuarën na bëjnë të shohim më qartë e të dimë çfarë duhet të lëmë pas e çfarë të marrim me vete që e ardhmja të na japë më shumë mundësi për t’u identifikuar me njëri-tjetrin, për të shprehur shqetësimet dhe zgjeruar zgjidhjet. Vështrimi i Teftës dhe përkushtimi i saj më shtuan ndjesinë e mirënjohjes dhe formuan një pyetje në mendjen time: Po sot po e shfrytëzon akoma politika artin në Shqipëri apo arti me produktet e veta po përpiqet ta frymëzojë politikën që ta konsiderojë e përmirësojë kushtet që puna e artistëve t’i shërbejë më mirë shoqërisë? Deri në gjetjen e përgjigjes, përpjekjet vazhdojnë.

 
Shkruar Nga
More from Redaksia

Të ecësh, për sport dhe shëndet

Të gjithë janë dakord që për të qënë në formë dhe shëndet...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.

CLOSE
CLOSE