Tejkalimi i kombit si gabim politik i shqiptarëve

Nga Viliem Kurtulaj*

Të paktën që pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe më parë, vihet re një tendencë ndër shqiptarë për t’iu shmangur idesë së kombit, qoftë edhe në artikulim. Akademikët shqiptarë përgjithësisht iu shmangen studimeve nacionaliste, madje shpeshherë dëgjohen të thonë edhe shprehje të tilla si “shkenca nuk pyet për kombin”. Unë nuk e di se për çfarë shkence e kanë fjalën, por shkencat politike pyesin shumë për kombin, aq sa universitetet më prestigjioze në Botë kanë pafund programe dhe departamente për studime nacionaliste.

Në fakt kombi është një prodhim artificial ose siç e quan Benedict Anderson, komunitet imagjinar. Konstatimi i Andersonit është aq i rëndësishëm si zbulim njësoj sikur të themi që luani është kafshë. Se si është bërë i famshëm Benedict Anderson duke thënë diçka që të gjithë e dinë, kjo mbetet mister. Pra, biem dakord që kombi është një prodhim imagjinar ose artificial. Në fakt, është veti e njeriut të prodhojë në mënyrë artificiale, ndryshe nga kafsha që ka vetëm prodhim natyror, prodhim biologjik.

Një qasje të ngjashme e vëmë re dhe te libri The Human Condition i Hannah Arendt, ku ajo bën ndarjen e Punës nga Të punuarit. Puna (fizike) është një veprimtari që korrespondon me proceset dhe nevojat biologjike të ekzistencës njerëzore, vetë mbijetesën. Në këtë aspekt njerëzimi është shumë afër kafshëve dhe Arendt i referohet njeriut në këtë modalitet si animal laborans. Ndërsa Të punuarit lidhet me jonatyroren, me fabrikimin e një bote artificiale idesh, konceptesh, sendesh, artefaktesh që jetojnë përtej aktit të krijimit. Njeriut në këtë modalitet Hannah Arendt i referohet si homo faber, i cili arrin të sigurojë hapësirën dhe institucionet ku jeta njerëzore mund të shpaloset.

Siç e përmendëm më lart, kafsha prodhon vetëm në mënyrë natyrore ose biologjike. P.sh. kafsha prodhon pasardhësit e saj nëpërmjet riprodhimit, prodhon mënyrë jetese në bazë të gjakut, gjinisë apo llojit çka janë të gjitha prodhime biologjike. Njeriu nga ana tjetër, përveç prodhimit natyror, prodhon kryesisht në mënyrë artificiale, çka e bën atë të ketë një tipar thelbësisht dallues nga kafsha. P.sh. njeriu prodhon gjuhë, prodhon fe, prodhon komb, prodhon politikë, prodhon institucione, prodhon sport etj. Pra t’i përkasësh një kombi është po aq prodhim artificial sa ç’është t’i përkasësh një ideologjie politike apo një feje. Nëse themi që jam shqiptar ose italian dhe konservator ose liberal, kapitalist ose komunist, mysliman ose katolik, madrilen ose milanist etj., mënyra e prodhimit e të gjitha këtyre nga njeriu është artificiale. Pavarësisht rrethanave të ndryshme sesi njeriu i prodhon këto, ato në logjikën e krijimit janë të njëjta. Pyetja që del prej këtu është, nëse kombi është koncept i pavlefshëm sepse është prodhim imagjinar ose artificial, atëherë pse janë të vlefshme konceptet ose përkatësitë e tjera që përmendëm duke qenë se edhe këto janë prodhime imagjinare apo artificiale?!

Kombi mbetet njësia kryesore e shteteve në botën e sotme. Shteti më i fuqishëm në Botë, SHBA-ja nuk ka komb mirëpo prej kohësh po mundohet ta krijojë atë. Shqiptarët nga ana tjetër janë komb dhe prej kohësh po përpiqen ta shkatërrojnë atë. Për më tepër, organizmi kryesor politik botëror sot është Organizata e Kombeve të Bashkuara. Se si mund të jesh pjesë e një organizate botërore në të cilën marrin pjesë kombet, duke qenë kundër kombit ose duke mos e konsideruar veten komb, kjo mbetet sfidë për logjicienët. Njësoj si të jesh pjesë e një organizate botërore marksiste dhe të jesh kundra marksizmit.

Ndoshta në të ardhmen ideja e kombit mund të zhduket dhe Bota nesër mund të funksionojë e pandarë në kombe. Ndoshta ashtu mund të jetë më mirë. Nuk e dimë! Mirëpo për aq kohë sa shtetet më të fuqishme të Botës nuk kanë hequr dorë nga kombi, është e pakuptimtë të heqim dorë ne të parët. Çkombëtarizimi, nëse është një proces që duhet kryer, ai duhet të fillojë nga francezët e gjermanët, rusët e italianët, serbët e grekët dhe më pas te shqiptarët, por jo t’ia nisim prej shqiptarëve.

Nëse ideja e kombit duhet të lihet pas, kjo nuk bëhet duke e tejkaluar ose anashkaluar kombin por duke kaluar mes përmes kombit. Tejkalimi i kombit pa kaluar mes përmes tij do të thotë të djegësh etapat. Tejkalimi ose djegia e etapave në fakt është tipar i shoqërisë shqiptare. Ne zakonisht mundohemi t’ia djegim etapat e adoleshencës dhe rinisë djemve të vegjël duke i konsideruar burra që 14 vjeç. Të kesh frikë që fëmija të bëhet adoleshent, i ri, dhe më pas burrë, dhe për këtë arsye të kërkosh që nga fëmijë të bëhet menjëherë burrë duke djegur etapat, kjo nuk e maturon fëmijën, përkundrazi, mund ta lërë gjithë jetën fëmijë. E njëjta gjë edhe me kombin! Të kesh frikë nga kombi dhe për këtë arsye ta tejkalosh si etapë pa e jetuar, rrezikon që gjithë jetën të mbetesh një komb-fëmijë./Mapo.al/

*Pedagog UET

Shkruar Nga
More from Redaksia

Skandali, kryetarja e Gjykatës: Si u justifikuan sekretaret për 300 dosjet e harruara

Enkeledi Hajro, kryetarja e Gjykatës së Tiranës, e konsideron të papranueshëm faktin...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.