Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë: SHBA bën thirrje për qetësi dhe dialog

Shtetet e Bashkuara thanë se dënojnë me forcë ngjarjet e së hënës në Mitrovicë, që sipas tyre rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet dhe kërcënojnë stabilitetin rajonal.

Në një deklaratë të lëshuar të martën nga zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit Heather Nauert, SHBA u bëjnë thirrje të gjitha palëve “që të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës si dhe të veprojnë me qetësi për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore.”

“Për të krijuar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Ballkan, – thuhet në deklaratë, – Kosova dhe Serbia duhet të përqëndrohen në normalizimin e marrëdhënieve nëpërmjet Dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.”

“Shtetet e Bashkuara, – përfundon deklarata e Departamentit të Shtetit, – janë të gatshme të mbështesin të gjitha palët në bisedimet e Dialogut.”

Ndërkohë, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, tha nëpërmjet një komunikate se ka biseduar në telefon me ndihmës sekretarin amerikan të shtetit Wess Mitchell për zhvillimet e djeshme.

“Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se ruajtja e paqes është parakusht për vazhdimin e çfarëdo bisedimesh për të ardhmen e rajonit”, thuhet në një komunikatë të zyrës së presidentit serb.

Të hënën, njësitë e policisë së Kosovës ndërhynë në veri për të shpërndarë një tubim ku merrnin pjesë zyrtarë serbë që kishin hyrë në Mitrovicë me gjithë ndalesën nga autoritetet e Prishtinës.

Policia arrestoi dhe e dërgoi në Prishtinë shefin e zyrës serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili bashkë me sekretarin e përgjithshëm të presidentit të Serbisë, Nikola Selakoviç, kishin hyrë në Mitrovicë jashtë rrugëve të ligjshme.

Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë të tubuarit./VOA

Shkruar Nga
More from Redaksia

Sara Netanyahu, Ndaj bashkëshortes së kryeministrit izraelit janë ngritur akuza…

  Ndaj bashkëshortes së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, Sara, janë ngritur akuza...
Read More