Tentativa e fundit për të ndalur vettingun

Nga Ervis Iljazaj

Ndërkohë që  vëmendja e opinionit publik është e përqendruar te fushata zgjedhore, unioni i gjyqtarëve ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese ligjin e vettingut, ku kërkojnë shfuqizimin e disa neneve të tij që ka të bëjë me pastërtinë e figurës dhe lidhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve me krimin e organizuar.

Pa hyrë në detaje për pretendimet e gjyqtarëve, pretendime të cilat janë kompetencë ekskluzive e Gjykatës Kushtetuese për t’i vlerësuar, ajo që duhet theksuar është fakti se, sa herë që ky ligj kaq thelbësor për Reformën në Drejtësi shkon drejt zbatimit përfundimtar, ka gjithmonë një tentativë për ta frenuar atë. Kjo ndodhi edhe në momentin e ankimimit të ligjit nga Partia Demokratike, që vonoi procedurat e hyrjes në fuqi të tij.

Duket se kësaj here janë vetë gjyqtarët, pas aprovimit dhe dakordësisë së forcave politike për ta zbatuar atë, që kërkojnë ta ndalojnë zbatimin e tij. Duket si një tentativë e fundit për të ndaluar reformimin e sistemit gjyqësor në Shqipëri. Një tentativë e cila, ndër të tjera është kryer në fshehtësi të plotë, pasi ligji është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese në datën 1 Qershor.

Është e qartë tashmë, që ka një konflikt interesi për sa iu përket gjyqtarëve  të cilët e ankimojnë atë sepse vetë ata janë subjekt i këtij ligji. Konflikt interesi jo në kuptim ligjor të tij, por së paku në kuptimin moral. Përtej faktit nëse kanë të drejtë në pretendimet e tyre apo jo, një gjë është e sigurt, ligji i vettingut nuk do të mund të ndalet. Jo për arsyen sepse mund të ketë problematika, por për faktin se është një ligj thelbësor i Reformës në Drejtësi. Reformë e cila ka investuar të gjitha kapacitetet politike juridike dhe ndërkombëtare për  të çrrënjosur tërësisht sistemin e vjetër të drejtësisë dhe për të instaluar një sistem i cili ndryshe nga sistemi i mëparshëm që kontrollohej nga politika, është ai tashmë që do të duhet të kontrollojë atë.

Në këtë kuptim çdo tentativë për ta ndaluar qoftë edhe duke vonuar hyrjen në fuqi të tij nëpërmjet procedurave ligjore është një tentativë e dëshpëruar, pasi këtu bëhet fjalë jo thjesht për reformim tërësor të tij juridik, por edhe në filozofinë e perceptimit të një prej pushteteve kryesore në një demokraci kushtetuese.

“Lufta” politike që po zhvillohet gjatë kësaj fushate zgjedhore, me sa duket nuk ka harruar që të zhvillojë betejën e saj edhe në këtë drejtim. Duke bërë çdo gjë që është e mundur për të patur çdo instrument gjyqësor në duart e saj për të shpëtuar më së paku hetimin juridik, i cili do të shërbente si një ngushëllim për humbjet politike të mundshme.

Sepse në vitet e fundit në Shqipëri, problemet e drejtësisë janë përjetuar kryesisht si një përplasje e pushteteve të shtetit, përplasje që është karakterizuar nga një dhunë verbale e pazakontë. Kjo dhunë, shpeshherë nuk ka lënë indiferent dhe pushtetet informale, duke filluar që nga masmedia e duke përfunduar te pushteti antishtet që bashkëpunojnë me ato në mënyrë të padukshme, por po aq të dhunshme.

Kundërshtitë drastike dhe tensionet e rrezikshme të përhershme kur flitet për drejtësinë, janë shfaqur jo vetëm midis palëve politike, por edhe midis institucioneve dhe organeve të shtetit, të cilat janë stimuluar nga kjo klasë politike që tenton rregullisht t’i këtë nën kontroll ato. Një kontroll i cili me këtë reformë po i del jashtë kontrollit dhe në këtë mënyrë kërkojnë që konfliktin midis politikës dhe drejtësisë ta transferojnë brenda vetë mureve të kësaj të fundit.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Bllokohet Reforma në Drejtësi, kushtetuesja pezullon Vettingun, e çon në Venecia

Gjykata Kushtetuese ka vendosur dje me 6 vota pro dhe 2 kundër...
Read More