Terapia shok e Edi Ramës, të gjitha frontet e hapura

Nga Ervis Iljazaj

Dje është organizuar konferenca “Ditët e Medias” nga Bashkimi Europian, ku është diskutuar për gjendjen e medias në Ballkan dhe Shqipëri dhe lirinë e saj. Në këtë konferencë, përtej të tjerave, pritej me kuriozitet fjalimi i Kryeministrit Edi Rama, duke qenë se dihet konflikti që ka krijuar me mediat shqiptare kohët e fundit.

Duke parë rastin, pritej nga Edi Rama një lloj rehabilitimi i qëndrimeve të tij të ashpra ndaj medias, për të përmirësuar sadopak marrëdhënien e tij me mediat. Por, ndodhi totalisht e kundërta. Kryeministri jo vetëm që nuk bëri një hap mbrapa të qëndrimeve të tij, por i vazhdoi sulmet ndaj saj me tone edhe më të ashpra.

Të gjithë ata që menduan që Kryeministri do sikletosej në një panel të tillë ku flitej për rëndësinë e mediave dhe rolin e saj, u zhgënjyen. Përkundrazi, Edi Rama vazhdoi përplasjen me një nga mediat që historikisht ka qenë në mbështetje të tij, Top Channel. Akuza dhe kundërakuza u hodhën në drejtim të Top Channel dhe kryeministrit ditën e djeshme.

Me këtë fakt, Edi Rama ndodhet me të gjitha frontet e hapura të qeverisë që drejton, duke marrë një serë aksionesh që e rrezikojnë ose do ta forcojnë vazhdimësinë e qeverisë.

Qeveria Rama dy, ndodhet përballë një sërë sfidash, nga të cilat do të varet dhe suksesi apo dështimi i plotë i saj.

Në radhë të parë është sfida që ka aktualisht me mediat shqiptare në përgjithësi. Një marrëdhënie delikate ku ka ngecur çdo qeveri që ka kaluar në këtë konflikt.

Në radhë të dytë, është sfida që ka me kriminalitetin. Gjendja e kriminalitetit në vend është shqetësuese. Kjo theksohet në të gjitha raportet apo faktet evidente që dalin përditë. Çështja Tahiri, po ashtu e ka zënë poshtë këtë qeveri, duke e vënë me shpatulla pas murit. Kjo qeveri e ka propaganduar fort Reformën në Drejtësi, sidomos gjatë fushatës zgjedhore, duke e kthyer atë në arritjen kryesore të saj. Në këtë kuptim qytetarët janë duke pritur ende reagimin e saj të fortë kundër këtij fenomeni. Jo vetëm qytetarët shqiptarë, por edhe ndërkombëtarët dhe sidomos amerikanët duket sikur i kanë lënë afat qeverisë për të luftuar si duhet fenomenin e krimit të organizuar dhe lidhjet e tij me politikën.

Në radhë të dytë, është sfida që ka hapur qeveria për të reformuar administratën publike. Ky ishte i vetmi premtim elektoral i Edi Ramës gjatë fushatës elektorale dhe në këtë kuptim është i detyruar ta çojë deri në fund atë. Deri më tani ka disa iniciativa për të reformuar tërësisht administratën publike, por të kesh një administratë efikase nuk mjafton vetëm të reduktosh numrin e agjencive, të drejtorive dhe ministrive. Kriteret e saj kërkojnë një përgjegjësi dhe një vullnet edhe më të madh.

Dhe së fundmi, është sfida që ka qeveria aktuale me ekonominë. Ende nuk është i qartë vizioni ekonomik dhe plani që ka ajo për të nxitur rritjen dhe zhvillimin e saj. Vendi është duke kaluar një stanjacion ekonomik për shkak të mungesës të politikave që lidhen me të, fut këtu dhe rritjen e taksave që shtohen çdo ditë.

Të gjitha këto janë frontet e hapura që ka qeveria aktuale dhe që presin përgjigje urgjente të saj. Megjithatë problematikat që shqetësojnë popullin shqiptar janë edhe më të mëdha. Kështu që, kjo qeveri nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Ndodhet përballë një serë sfidash nga ku varet vazhdimësia apo jo e saj.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gjok Nonaj: Shuhet rapsodi 107-vjeçar, më i vjetri edhe në Europë

Është ndarë nga jeta në moshën 107-vjeçare lahutari Gjok Nonaj, rapsodi më...
Read More