Tërheqja e Genc Rulit, një gjest që duhet përshëndetur dhe ndjekur

Nga Ervis Iljazaj

Në këto orë të fundit që janë duke u plotësuar listat për kandidatët për deputetë, ka bërë lajm letra që Genc Ruli i ka dërguar kryetarit të Partisë Demokratike për t’i bërë me dije vendimin e tij për të mos qenë pjesë e listave që do të garojnë në zgjedhjet e 23 Qershorit.

Ndoshta në politikën që jemi mësuar, dorëheqje që vijnë si pasojë e vendimeve personale të tilla janë të rralla dhe kjo meritonte me patjetër dy rreshta për t’u theksuar dhe lavdëruar. Aq më tepër kur shohim njerëz të cilët na përfaqësojnë që kërkojnë me patjetër të ikin nga politika kur Zoti ta vendosë.

Më këtë gjest Genc Ruli i ka hequr dhe një siklet kryetarit të tij. Nuk është e lehtë për një kryetar partie të mos kandidojë një person i cili ka qenë shumë i rëndësishëm në historinë e saj. Sepse për Lulzim Bashën nuk është aspak komod menaxhimi i situatës brenda partisë në këto momente. Që tani kanë filluar grindjet e para apo format e presionit që bëhen në drejtim të tij. Dhe ky është një fenomen i cili ka karakterizuar politikën shqiptare përgjatë këtyre viteve. Në këtë kuptim ky gjest duhet të shërbejë si një shembull i cili duhet ndjekur.

Në pamje të parë duket si një gjë e parëndësishme, por instituti i dorëheqjes kur nuk ke më ç’t’i ofrosh politikës aktive, është një nga gjestet më të fisshme që një politikan mund të bëjë. Ne nuk jemi mësuar me fisnikëri të tilla, andaj edhe një gjest i tillë na duket fare pa rëndësi.

Në fund të fundit, politika është një profesion dhe si e tillë ka nevojë për energjinë dhe inovacionin e nevojshëm. Sigurisht që eksperienca është e domosdoshme, por midis saj dhe kohës për t’u larguar ka një vijë demarkacioni shumë të hollë që jo të gjithë e kuptojnë.

Ka disa momente të rëndësishme kur një politikan mund të tërhiqet nga politika. Si për shembull kur koha e tij ka mbaruar. Jo vetëm ajo e moshës, por ka dhe një kohë politike e cila ndryshon dhe si pasojë ka nevojë që politika të gjenerojë protagonistë të rinj. Një politikan mund të tërhiqet edhe pse rrezikon të kthehet në patetik. Dhe nuk ka gjë më të rrezikshme se sa një politikan i tillë. Shembujt në Shqipëri janë pafund.

Nuk ka rëndësi arsyeja se përse zoti Ruli ka lajmëruar tërheqjen e tij nga politika. E rëndësishme është që maturia politike për të marrë vendime të tilla nuk është e lehtë të fitohet. Dihet që politika është një lloj patologjie e cila me vështirësi mund të mundet. Dhe nëse një politikan ia arrin duhet përshëndetur në të mirë të saj, por edhe të vetë personit, për faktin se e bën jetën politike më dinjitoze dhe më të frytshme.

Përtej rasteve të tilla është fakti që gjeste të tilla nëse nuk vijnë si pasojë e vendimeve individuale, duhet me patjetër të vijnë si një vendimmarrje politike e cila iu takon liderëve të partive kryesore. Ndoshta ky është momenti më i mirë për të treguar kurajën e duhur në këto orë të fundit përpara shpalljes të listave. Lista që zoti Basha do t’iu paraqesë votuesve shqiptarë do të jetë një shenjë e parë e vizionit dhe mënyrës së qeverisjes së tij nëse arrin të vijë në pushtet. Një shenjë e qartë e ndarjes me të shkuarën dhe krijimin e një të djathte vizionare dhe europiane.

Nëse ky shembull nuk ndiqet nga vetë politikanët, atëherë do të ishte e udhës që kufizimet e mandateve politike, në kuadër edhe të marrëveshjes politike midis forcave kryesore të vendoseshin si detyrime kushtetuese.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Gjashtë fakte për foton që po thyen rrjetin

Thellë në zemrën e Hanoit në Vietnam, presidenti amerikan Barack Obama u...
Read More